Presidenti i Bajernit, Uli Hënes, ka folur për herë të parë mbi detaje personale për jetën brenda qelisë dhe provokimet që i janë bërë gjatë vuajtjes së dënimit në burg. Gjatë një interviste për gazetën “Die Welt”, Hënes shpjegon gjithashtu edhe pse nuk do të marrë më pjesë në emisionet politike.
“Kanë provuar që të më bëjnë foto me celularë të futur në mënyrë të paligjshme brenda në burg, për t’i shitur më pas për shumë para. Ishte shumë e rëndë që të mësoje që njerëz me të cilët unë kisha luajtur me letra pak çaste më parë, tentonin që të më fotografonin në dush apo diku tjetër. Në momente të tilla ishte shumë e vështirë që të ruaje qetësinë”, zbulon 65-vjeçari.
Për faktin që këto foto nuk u bënë kurrë publike, ai thotë se, “gazetat e dinin se sa shtrenjtë do t’u kishte kushtuar nëse do ta bënin një gjë të tillë”. Hënes shtoi se krijimi i miqësive brenda atyre mureve ishte i pamundur për shkak të mungesës së besimit: “Atje brenda ti mund t’u besosh shumë pak njerëzve. Në burg aftësia ime për të njohur mirë njerëzit u shua, sepse ti ke të bësh me njerëz që janë aktorë shumë të mirë”.
Gjykata e Mynihut e shpalli fajtor Uli Hënesit në vitin 2014 për akuzën e evazionit fiskal prej 28.5 milionë eurosh në biznesin e tij personal dhe e dënoi atë me 3.5 vite burg. Por, për shkak të sjelljes së mirë, Hënes fitoi lirinë pas 21 muajsh. Për dy muaj do të mbushet një vit që kur ai është liruar dhe sot ai e shikon momentin më të vështirë të jetës së tij disi më i relaksuar.
Ai rifitoi besimin e klubit dhe vendosi të rikandidonte për presidencën e Bajernit, duke u rizgjedhur me 97.7% të votave, një rezultat plebishitar, i cili e befasoi edhe vetë atë. Por në emisionet politike Hënesin nuk do ta shohim më të marrë pjesë. Arsyeja? “Sepse unë e di që kam një dobësi, që nuk mund t’i bëj bisht të vërtetës”.