Lulzim Basha ka zhvilluar një vizitë në një punishte hekuri në zonën e Farkës në Tiranë, ku ka diskutuar me sipërmarrësit rreth problematikave që përballen bizneset sot dhe zgjidhjeve që ofron programi i Koalicionit Euroatlantik. Gjatë takimit, sipërmarrësi ka shprehur shqetësimet e tij për mungesën e fuqisë punëtore dhe burokracitë e tepërta të qeverisë, të cilat e vështirësojnë funksionimin e bizneseve.
Basha tha se politikat e qeverisë në 12 vite nuk janë bërë për të mbështetur ekonominë, por vetëm shërbejnë për të mbushur xhepat e zyrtarëve të korruptuar tek 7×7-313. Ai tha se programi i Koalicionit Euroatlantik do të ofrojë një sistem më të drejtë dhe mbështetje për bizneset e vogla, me taksën e sheshtë 9% dhe bizneset e vogla jo më shumë se 1% e xhiros vjetore. Sipas tij, një tjetër masë do të jetë reduktimi i inspektorëve që janë kthyer në gjobaxhinj për bizneset dhe çdo gjë të bëhet në bazë të analizës të riskut.
Basha gjithashtu theksoi rëndësinë e luftës kundër korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë si element kyç për zhvillimin ekonomik të vendit.
Pjesë nga biseda:
Basha: Me këtë punë jeni marrë gjithmonë? E keni specialitetin tuaj? E keni marrë, keni bërë shkollimin për këtë punë?
Qytetari: Jo, jo, e kena vjedh.
Basha: Ashtu ëëë? Në emigracion?
Qytetari: Po jo nga këto vjedhjet që bëhen këtu.
Basha: “Vjedh” është fjalë që duhet me ia rezervuar hajdutëve. Kjo është: e keni përvetësuar dijen edhe përvojën. Në Greqi e keni mësuar?
Qytetari: Po.
Basha: Punë me hekur. Edhe çdo lloj? Edhe çdo lloj procesi?
Qytetari: Çfarë ka lidhje me hekurin.
Basha: Veç ju të dy jeni? Ju klasifikoheni si biznes i vogël për nga xhiroja?
Qytetari: Ne, kur s’kemi pas punëtorë, na kaluan në biznes të madh.
Basha: Seriozisht e ke?
Qytetari: Kur kena qenë me punëtorë më shumë, kena qenë biznes i vogël. Këtu është absurditet shumë i madh, se në kulturën e kontabilitetit, unë e njoh se kam pasur biznes aty ku kam qenë, të njëjtën punë…
Basha: Si mund të kualifikoheni ju si biznes i madh, dy vëllezër që punoni me hekur?
Qytetari: Është absurditet i madh. Dhe një biznes, në qoftë se do konkurrencë të ndershme, nuk mund ta taksosh nëpërmjet xhiros, nëpërmjet fitimit. Ma do mendja, logjika ashtu e ka — që të shtosh edhe konkurrencën në treg, të jesh sa më ulët. Xhiro e madhe, fitimi i vogël. Bon vaki janë më të zgjuar se ne, ato?!
Basha: Këtu, ata nuk mendojnë për ekonominë, nuk mendojnë as për sipërmarrjen. Ata mendojnë si e si me mbush arkën, pastaj e vjedhin. Pra kur vënë gjoba, kur rrisin taksa, atyre ju leverdis, sepse ato para, siç e kemi parë, vidhen, shpërdorohen. Jo se e themi ne, se jemi në opozitë, e thotë KLSH-ja, e thotë SPAK-u! Prandaj është mbush, siç i them unë, 7×7 = 313-ta. Pse është mbush? Se lekët e taksave të shqiptarëve i kanë rrit vit pas viti, i kanë fut në xhepat e tyre.
Zotimi jonë i parë është që ju, të paktën qeverinë, ta mos e keni kundër, por ta keni në krah. Taksa 9%, sa e ka Mali i Zi. Ne minimalisht duhet të jemi konkurrues me rajonin. Sigurisht, biznesi i vogël: zero taksë. I vetmi detyrim që ka biznesi i vogël është 1% e xhiros vjetore — jo më shumë se kaq. Tarifë, taksë lokale, jo taksë qendrore.
E dyta janë inspektimet, se ia marrin shpirtin biznesit! Inspektimet janë kthyer në gjoba për njerëzit. Çdo gjë në bazë të analizës së riskut. S’ka pse të dalin e të gumëzhijnë inspektorë e tatimorë gjithandej, për t’ju marrë kohë, për t’ju marrë energji. Jo! Çfarë ka analizë risku — pa diskutim, siç e bën Perëndimi. Ti ke punuar në Perëndim. Pse duhet të vijë nga mëngjesi deri në darkë të të mbyllë biznesin ty, për të bërë kontroll?
A më the vetë që i trajnon këtu e të ikin atje? Pse ikin atje? Se marrin profesionin këtu nga ty dhe shkojnë atje ku as gjuhën nuk e flasin, sepse atje kanë trajtim të drejtë. Kaq e thjeshtë është.
Do që ta ndalim këtë? Trajtoje biznesin me ndershmëri. Trajtoje drejt, sepse e ke në krah biznesin. Biznesi të punëson njerëzit, biznesi të ndihmon në rritjen e konsumit, në rritjen e fuqisë blerëse, biznesi të mbush edhe arkën publike, por ta shpenzosh për publikun, jo për veten tate.
Qytetari: Për ne nuk lejohet. Të jesh një vend në këtë nivel ekonomik dhe të vuash për fuqi punëtore, ky është absurditet shumë i madh.
Basha: Paradoks dhe pasojë e drejtpërdrejtë e politikës së papërgjegjshme dhe të korruptuar. Nuk ka program që të ecë përpara pa goditur korrupsionin dhe papërgjegjshmërinë.
Qytetari: S’na duhet pasaporta europiane ne, po s’patëm këto gjëra në rregull.
Basha: Nuk mund të shkojmë pas një gënjeshtre tjetër. 12 vjet me gënjeshtra — tani ka shpikur “pasaportën europiane”.