Jo për politikë, por për drejtësi! Nesër…

Nga Albert AVDYLI

Mbaj shënime mik!
Vitet e tranzicioneve politike, por jo vetëm, e ballafaqojnë individin, familjen, shoqërinë me një mijë vështirësi. Përshtatja me të renë dhe lëkundja e legjislacionit krijojnë pengesa. Në disa raste, pushteti i uzurpuar nga sharlatanë, të vë në sprova durimi dhe zhgënjimesh.

Periudhat e ndërmjetme janë edhe mundësi suksesi për të tjerë njerëz me inisiativë, vizionar, guximtar apo matrapaz.

Në tranzicionin e pafund të Shqipërisë, ku ndërrimi i pushteteve shndërrohet në shkrirje dhe ribërje të strukturës administrative, problemet theksohen më tepër.

Spikat në këto dekada katrahura, që ndodh kur e majta merr pushtet. Brenda pak ditëve, me dorë të hekurt, spastrojnë administratën shtetërore nga ata, të cilët nuk i kanë në lista partiake.
A ka ndodhur me pushtetin e PD – së ?

Po, në vitin 1992. Kushtet ishin të justifikueshme sepse u ndërrua regjimi jo pushteti. Gjithësesi dhe në atë kohë nuk është se qëndrimet ishin radikale.

Me rikthimin në vitin 1997 të së majtës në qeverisje, fshesë gjithë kundërshtarëve.
Partia Demokratike u rikthye në vitin 2005.

Bëri lëvizje sigurisht, por me kujdes dhe ligjore. Të korruptuarit, të inkriminuarit, të paaftët do të largoheshin nga administrata shtetërore. Slogani i atëhershëm ishte ” Me duar të pastra”. Kjo thirrje u bë promotori i lëvizjes, por askush nuk u ndëshkua për duart e zhytura në buxhetin e shtetit, në xhepat e shqiptarëve.

Në lëvizjet e administratës ka patur dhe gabime, por nuk ishin kurrë fenomen.
Ligjin e kanë dritë konservatorët. Si shenjt i falen shtetit dhe ligjit.
E majta u rikthye me revansh në vitin 2013.

Terror në administratë e në polici.

U morën me cilindo dhe penalizuan nëpunës e ministra.

Kujtoni listat e firmosura për një ditë e specialstë të hedhur në rrugë nga çdo institucion.
Kujtoni firmën si rrufe të shkarkimit të gjithë drejtuesve të policisë brenda një nate. Etjer, etjer…

Le të vijmë te e sotmja.

PD po vjen në pushtet. Veç zbatimit të programit qeverisës dhe spastrimit të hallkave shtetërore nga elementët e kriminalizuar duhet, si profilaksi: verifikimi i çdo akti ku kanë akorduar fondet, pasuritë, lidhjet me krimin.

Revizionim i plotë i shtetit, në çdo detaj.

Mbi të gjitha ne duhet të jemi me shpirt të pastër, arsye të plotë e gjak të ftohtë.
Për zbatimin korrekt të ligjit mjafton njeriu i ditur dhe korrekt.

Pushtetin e monitoron jo vetëm opozita, por çdo qytetar, pavarësisht bindjeve.

Për zbatimin e ligjeve të ashpra mjafton njeriu i butë dhe s’ka pse duhet rrugaçi agresiv i lagjes.
Në funksion të ligjit, ne duhet të evidentojmë emër për emër nëpunës dhe policë që kanë tejkuar ligjet. Po, po tejkaluar. . .

Nominimi i policit që shqelmonte studentin Shahu, gazetarin Lela, arkitektin Seranaj, aktorët Budina, Liçaj dhe Emiri, kryetarin e forumit rinor Këlliçi, ish deputeten Kërpaçi e Cakaj, studentin fierak Baçi, Hanku, Darvinin, Zekri, Bathorja, të rinjtë e Vaut Dejës, Urës Vajgurore, Peqinit, kryetarin e degës Vreto, Ujkun e Cërrikut, Gent Ndoj, deputetin Balliu, Protoduarin me shokë te unaza.
Mos harro adoleshentin Ardit Gjoklaj.

Mos harro alkimistin që ju mbyti me gaz helmues kur protestoje.

Mos harro kryetarin e bashkisë së uzurpuar që tjetërson pronën publike.

Kujto që nga drejtoruci i Asllan Rusit, i cili flakte në rrugë puntorët se nuk i pëlqente mbiemri e deri te shefi madh. Duhet hapur e kontrolluar çdo firmë e hedhur e çdo pasuri e vënë.

Aktet e miliardave të raportuara nga Kontrolli Lart i Shtetit si abuzime duhen gjykuar një ditë.
Misteret shtetërore zakonisht krijohen si mite aty ku vidhet.

E ky mit duhet shëmbur.

Një administratë me ekspertë është më shërbyese sesa një zinxhir lidhjesh me ndryshk miqësie e interesash.

Alternimi i të rinjve me administratorët, të cilët kanë përvojë dhe që u flakën në rrugë më 2013.
Gjyqet e fituara për largimet e padrejta nga puna kanë rënduar skajshëm buxhetin e shtetit. Firmëtarët duhet të japin llogari.

Ata që kanë veshur çizmet e pushtetit dhe janë shndërruar në thundra shpuese, duhet të ndjejnë ato gozhdë në mishin e tyre.

Mba shënime mik, i njohur, i pa njohur, demokrat, socialist, i paangazhuar.

Shënime për drejtorin e shkollës, që mbushi muret e shkollës me posterat e partive.

Shënime jo për mesuesen me bindje socialiste, por për arsimtaren që ju thotë nxënësve të klasës së tretë se perspektiva e Shqipërisë u çel më 8 nëntor 1941.

Sigurisht, shënime dhe për mësuesen që ju thotë nxënësve se atdheun e krijoi Sali Berisha.
Shënime për inspektorin e tatimeve, i cili ju turr biznesit të demokratit me urdhër partie.
Shënime, qartësisht të dukshme, për policin bashkiak arrogant.

Shënime mba jo për nëpunësin socialist, por për nëpunësin që blen vota me trajca mielli apo 5 mijë leksha.

Shënime jo për komisionerin socialist apo demokrat, por për komisionerin që mbush kutinë me fletë votimi e fallsifikon nr e votuesve.

Shënime mba për ekspertin që ka firmosur mbushjen e trotuareve me kioska apo i ka dhënë hapësirat publike për pazare pallatesh.

Qeveria aktuale, riktheu si vlerë spiunimin e kolegut me bilbilfryrës.

Spiunimi nuk është virtyt, denoncimi është detyrë.

I vetmi shërbim spiunimi që nderohet janë shërbimet e posaçme dhe strukturat investigative ligjore.
Evidentimet dhe deklarimet publike për shkeljen e ligjit apo tejkalimin e tij është qytetare.
Po, emër për emër, jo thjesht për ndëshkimin e shkelësve, por edhe si profilaksi dhe kujtesë për administratorët e rinj.

Për t’ju thënë atyre se po shkele ligjin nuk ka parti që të mbron.

Mba shënime dhe ji mirënjohës për brezin e 50 apo 60 vjeçarëve të PD. Intelektual dhe idealistë, kocka e partisë janë këta thinjosh.

Shumë prej tyre, pa asnjë dilemë, jetën e investuan dhe aksionet i kanë tek kjo parti si simbol i pluralizmit, lirisë, ekonomisë së tregut.

Mba shënim . . .

Në politikë, në drejtësi sikurse në jetë, fakti është i rëndësishëm, jo hipteza.

Nëse faktin e zotëron ti, alibia e të tjerëve bëhet nul.

Se Tirana nuk është qyteti i parë as në botë, as në Shqipëri.

Tirana është kryqyteti i vetëm dhe i parë në botë që shkallmon historinë e saj të vjetër e vjell histori të reja.

Mba shënim. . .

Jo për politikë, por për drejtësi.

Nesër do të ketë dhe gjykata…

Artikulli paraprakSot në orën 17:00 Shkodra në protestë për Teatrin Kombëtar
Artikulli tjetër“Europa Nostra” mbështet qëndrimin e Presidentit: Hetim Ndërkombëtar për Teatrin!