“Asnjë qeveri nuk do të jetë serioze nëse nuk do të çojë para drejtësisë Ramën”. Kryetari i PD, Basha ka deklaruar nga Kuvendi Kombëtar i PD se kjo qeveri do të largohet bashkë me grupin e tij në qeveri.
Prej të paktën një shekulli, politika ka qenë e keqja mes shqiptarëve, politika ka qenë më shpesh pengesë se shtytje për përparim ka qenë më shpesh ndarje se sa bashkim, ka qenë një mjet në duart e disave për të grabitur dhe sunduar gjithë shqiptarët tjerë. Sot, ne kemi nevojë për një politikë perendimore, një politikë në shërbim të njerëzve dhe të kombit, për veprime të vërteta jo për parrulla dhe predikime sipërfaqësore dhe për fjalë në erë. Kjo nuk eshte e lehte por as e pamundur.
Duhet një brez i ri politik. Duhet një elitë e re e vendit, e aftë për këtë aspiratë ndryshimi të shqiptarëve. Ndaj detyra morale dhe fitorja më e madhe për brezin e sotëm politik, është ndalja e së keqes që ka pllakosur vendin dhe përgatitja e kalimit të politikës në duart e një elite të re. Ne duhet të krijojmë kushtet Duhet të ndërtojmë rrugën për këtë kalim të madh të përgjegjësisë së drejtimit të vendit tek një brez i ri në politikë, ekonomi dhe shoqëri.
Hapja e rrugës për këtë kalim të madh, për këtë ndryshim të madh mund të arrihet vetëm përmes ndërtimit të një sistemi politik, ekonomik dhe shoqëror, të lirë, të hapur dhe meritokratik. Ky është dhe do të jetë deri në fund qëllimi im kryesor dhe mbi të gjitha si drejtues i Partisë Demokratike.
Sot nga kjo tribunë, nga ky takim demokratësh, në këtë përvjetor të atij dhjetori magjik dhe triumfues të historisë sonë, ju ftoj në këtë mision të madh kombëtar, në këtë mision për të shpëtuar Shqipërinë me të vetmen kurë që ka shpëtuar dhe çuar përpara kombet e përparuara mbi dhé: liri, demokraci dhe europianizëm.
Shqipëria e sotme, ashtu si Shqipëria e para 30 viteve, është ende prapa botës së zhvilluar, është ende larg potencialit tonë kombëtar, është ende një vend i prapambetur ekonomikisht, politikisht dhe nga pikëpamja shoqërore.
Vitet e fundit, vendi është zhytur në autokraci, po vuan nën sundimin e krimit dhe të korrupsionit, po lëngon në mjerim ekonomik dhe është e izoluar nga bota e politikës, ekonomisë, kulturës, dijes, shkencës dhe vlerave perendimore.
Është e vërtetë se korrupsioni nuk lindi këto pesë vitet e fundit.
Është e vërtetë se krimi ka tentuar dhe ka mundur edhe më parë të ndikojë apo të ketë lidhje me qeverinë. Është e vërtetë se biznesmenët kanë synuar edhe më pare, jo pa sukses, të ndikojnë vendim-marrjen e qeverisë në favor të tyre. Por me qeverisjen e fundit socialiste të gjitha këto dukuri shkatërruese për demokacinë dhe zhvillimin, u ngritën në sistem. Projekti i ashtuquajtur i rilindjes në fakt ishte një projekt për institucionalizimin e krimit, të korrupsionit dhe kapjen e shtetit nga interesat private dhe kriminale.
Sot politika, biznesi dhe media janë shkrirë në një.
Një grusht njerëzish të politikës, të biznesit të medias dhe të krimit kontrollojnë krejtësisht pushtetin politik, pushtetin ekonomik, pushtetin mediatik të vendit. Ajo që synon tani ky grup i kriminalizuar është të çimentojë kontrollin e vet mbi këto pushtete për dekadat e ardhshme duke duke futur në dorë dhe kontrolluar të gjitha burimeve ekonomike dhe natyrore të vendit.
Mineralet, pyjet, bregdeti, ujërat, parqet, trojet dhe pasuritë e tjera natyrore po privatizohen apo i jepen me koncesion këtij grupi për dekadat të tëra. E gjithë infrastruktura e vendit, shëndetësia, arsimi po i jepen këtij grupi njerëzish. Të gjitha këto operacione po financohen duke e zhytur Shqipërinë në borxh.
Miliarda euro borxh ka marrë qeveria socialiste që kur ka ardhur në pushtet, të cilët kanë përfunduar të gjitha në duart e këtij grushti të vogël njerëzish.
Breza të tërë shqiptarësh do të paguajnë në të ardhme këto borxhe që kanë përfunduar në xhepat politikanëve dhe klientëve të tyre, nëse nuk e ndalim këtë projekt.
Përmes pushtetit ekonomik dhe kontrollit të burimeve të vendit, Ky grup kriminal politik ekonomik dhe mediate, kërkon të kontrollojnë procesin politik për sot dhe për nesër ose me mirë të asgjesojë atë: • vullneti i shqiptarëve nuk do të ketë asnjë rëndësi dhe asnjë ndikim në punët e vendit • vota e tyre nuk do të vlejë veçse për t’u blerë pasi ky grup kriminal do ta mbajë pushtetin përmes parasë dhe dhunës.
Brenda 5 vitesh, përmes bashkëpunimit me krimin dhe grabitjes së pasurive të vendit, Edi Rama: • Shkatërroi procesin zgjedhor, • Shkatërroi procesin politik • Vuri nën kontroll ekonominë, median e pavarur • Vuri në gjumë shoqërinë civile Tani, ai po kërkon që këto “arritje” kriminale t’i përjetësojë.
Po kërkon që kjo të jetë gjendja e përhershme të Shqipërisë: • Pa demokraci • Pa ekonomi tregu • Pa media • Pa shoqëri civile • Pa drejtësi