Joao Cancelo: Po punoj për rikthimin në fushë

Joao Cancelo pret me padurim rikthimin në fushë. I transferuar në orët e fundit të merkatos së verës nga Valencia në drejtim të Interit, mbrojtësi i krahut të majtë ka mundur të luajë vetëm një takim me fanellën zikaltër, atë kundër Romës. Për ta bërë të mundur sa më shpejt rikthimin në fushën e blertë dhe për të dhënë kontributin e tij për skuadrën, Cancelo në një intervistë është shprehur se po punon shumë në mënyrë që ta kalojë sa më shpejt këtë moment.
“Po punoj shumë me stafin mjekësor për ta kaluar sa më shpejt dëmtimin. Pres me padurim momentin që do të jem sërish në dispozicion të trajnerit, në mënyrë që të jap edhe unë kontributin tim për skuadrën. Dua të falënderoj shokët e mi të skuadrës, të cilët po më mbështesin në këto momente. Jam i bindur se me ritmet që po punoj do të jem shumë shpejt në fushë”, tha Cancelo.
Në javën e katërt të kampionatit italian, Interi do të udhëtojë në transfertën kundër Crotones. Për këtë takim, tekniku Spalleti përveç portugezit Cancelo, pritet të ketë në dispozicion pjesën më të madhe të skuadrës.

Artikulli paraprakRaiola: Verrati “për momentin” qëndron tek PSG
Artikulli tjetërShqipëria bie përsëri në renditjen e FIFA-s