Joe Biden anuloi udhëtimin, shtyhet edhe takimi mes Ukrainës dhe aleatëve

Një takim i nivelit të lartë i grupit Ramstein të donatorëve të armëve për Ukrainën është shtyrë pasi presidenti i SHBA-së, Joe Biden, u detyrua ta anulonte vizitën e tij në Gjermani këtë javë për shkak të afrimit të uraganit Milton në Florida.

Këtë lajm e kishin konfirmuar më herët gjatë ditës edhe dy burime nga NATO-ja për Radion Evropa e Lirë. Ende nuk dihet se për kur është shtyrë takimi.

Grupi Ramstein, i njohur gjithashtu si Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, ishte planifikuar të takohej gjatë vizitës së Bidenit në Gjermani nga 10 deri më 13 tetor.

Presidenti e shtyu udhëtimin e tij më 8 tetor “për të mbikëqyrur përgatitjet dhe përgjigjen ndaj uraganit Milton, si dhe përgjigjen ndaj pasojave të uraganit Helene në juglindje”, sipas një deklarate nga Shtëpia e Bardhë.

“Ngjarja e 12 tetorit 2024 është shtyrë”, tha zyra e marrëdhënieve me publikun e SHBA-së. “Njoftimet për takimet e ardhshme të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës do të bëhen së shpejti”.

Parashikuesit kanë paralajmëruar se stuhia Milton, e dyta në dy javë që godet Floridën, mund të kthehet në fatkeqësinë më të madhe natyrore që ka prekur shtetin në një shekull.

Biden, dhe kryetarja e Tampas, Jane Castor, paralajmëruan njerëzit në zonat e evakuimit që të largoheshin ose do ta rrezikonin vdekjen.

Pritet që Milton të godasë Floridën më vonë më 9 tetor, ndërsa Florida perëndimore ende po përballet me pasojat e uraganit Helene, i cili përmbyti rrugë dhe shtëpi në këtë zonë dy javë më parë.

Ajo stuhi la të paktën 230 të vdekur në të gjithë jugun e Shteteve të Bashkuara.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kishte deklaruar për përgatitjet për këtë takim qysh muajin e kaluar.

Ai kishte theksuar nevojën për të bërë përparime para këtij takimi për të siguruar aleatët perëndimorë për aftësitë e Ukrainës në fushëbetejë./REL

Artikulli paraprakDosja 5D/ Elton Kacidhja mbi 3 orë në Prokurorinë e Posaçme: Ja për çfarë u thirra
Artikulli tjetërKarabina: Projektligj për t’ia kaluar KOKSH-it organizimin e sporteve në sistemin arsimor, është në shkelje të kuadrit rregullator kombëtar e ndërkombëtar