Sekretari amerikan i Shtetit vizitoi Brukselin dhe Londrën, vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan që nga vota britanike për largimin nga Bashkimi Evropoian, një lëvizje që përbën shqetësim të lartë për Uashingtonin.
Zyrtarët amerikanë thonë se zoti Kerry, i cili shtoi dy ndalesat në momentin e fundit gjatë vizitës së parashikuar më parë në Romë, do të shprehë mbështetjen amerikane për Britaninë dhe theksoi rëndësinë e vendeve të tjera anëtare të BE në bllok.
Zoti Kerry tha të dielën se, Shtetet e Bashkuara ndjejnë keqardhje për votimin e largimit nga BE, por u zotua se do të vazhdojë një marrëdhënie të ngushtë me atë që shumë shpejt do të jetë një bllok 27 vendesh evropiane.
Bisedimet e zotit Kerry në Bruksel vijnë mes një aktiviteti të dendur diplomatik të nivelit të lartë të hënën, përfshi udhëheqës të fuqive evropiane si Gjermania, Franca dhe Italia, duke zhvilluar takime për të diskutuar situatën tani që Britania po largohet.
Sekretari Kerry do të shkojë në Londër për takime me Sekretarin e Jashtëm britanik, Philip Hammond dhe zyrtarë të tjerë si pjesë e procesit për të ruajtur lidhjet me aleatin kryesor të Uashingtonit në një zonë të re ku Britania është më pak e angazhuar në Evropë.
Kryeministri britanik në largim, David Cameron, do të zhvillojë një mbledhje të kabinetit sot, ndërsa mblidhet Parlamenti në përpjekje për të shqyrtuar se si do të veprojë lidhur me atë që shumë menduan se nuk do të ndodhte kurrë, largimi Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Ministri britanik i Financave, George Osborne tha të hënën se, “Britania është e hapur për biznes”. Në një fjalim drejtuar tregjeve financiare botërore të trazuara që nga vota për largimin e Britanisë, zoti Osborne tha se, “bazat e ekonomisë britanike janë të forta” dhe se Britania “do të ofrojë stabilitet në këto kohë sfiduese”.
Monedha britanike paund ra edhe më tej të hënën përkundrejt dollarit amerikan, ndërsa shumica e tregjeve aziatike ishin pozitive. Disa tregje të rëndësishme evropiane patën rënie me rreth 1 për qind.
Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë bërë thirrje për shkëputje të menjëhershme me Britaninë, por zoti Cameron ka lënë të kuptohet se negociatat për largimin nuk do të fillojnë para largimit të tij nga posti në muajin tetor.
Shefi i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, tha të dielën se një periudhë pasigurie do të sillte më shumë pasiguri. Zoti Cameron pritet të takohet me udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të BE në një samit në Bruksel të martën.
Votimi për largim po ashtu ka shkaktuar trazira për Partinë Laburiste, me thirrje që drejtuesi Jeremy Corbyn të japë dorëheqjen. Zoti Corbyn publikoi një dekleratë të dielën ku thoshte se, nuk do të lërë drejtimin. Anëtarët e partisë e akuzojnë atë, se kishte dështuar në sigurimin e mbështetjes brenda partisë për të mundur votimin për largim.