Joni Myshketa: Më 11 Maj, qytetarët kanë një alternativë reale, larg hijes së së shkuarës

Kandidati për deputet i Koalicionit Euroatlantik, Joni Myshketa, ka shpalosur një mesazh të fortë dhe reflektues në kuadër të fushatës zgjedhore. Duke vënë në pah zhgënjimin e qytetarëve nga sistemi politik aktual, ai u bëri thirrje të gjithëve të mbështesin alternativën e re, të ndërtuar mbi ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj shërbimit publik.

Myshketa kritikoi ashpër dy partitë e mëdha, të cilat sipas tij, ndajnë pushtetin si trashëgimi dhe jo si përgjegjësi, ndërkohë që qytetarët vuajnë mungesën e drejtësisë, pasigurinë ekonomike dhe shpopullimin.

Në deklaratën e tij, ai u ndal edhe tek sulmet dhe paragjykimet që hasin partitë e reja dhe kandidatët e rinj, duke e quajtur këtë një paradoks të shoqërisë shqiptare që kërkon ndryshim, por shpesh nuk e mbështet kur ai shfaqet realisht.

“Nuk kemi frikë nga politika — por nga indiferenca. Jemi këtu për të ndezur një fije shprese. Për ta kthyer këtë vend në një hapësirë ku qytetari ka fjalën e fundit — jo klani, jo partia,” tha Myshketa, duke e mbyllur thirrjen me një apel të qartë për votë në numrin 4, Koalicioni Euroatlantik.

POSTIMI I PLOTË NGA JONI MYSHKETA:

Prej dekadash në Shqipëri na është thënë se “s’ka zgjidhje”, se “nuk ka alternativë”. Se jemi të dënuar të zgjedhim mes dy partive të mëdha që ndajnë pushtetin si trashëgimi, jo si përgjegjësi. Nga njëra anë, Partia Socialiste, e cila ende ruan frymën e Partisë së Punës. Nga ana tjetër, një Parti Demokratike e lodhur, që në 30 vite nuk arriti t’i përmbushë premtimet e saj më themelore — duke filluar nga drejtësia për të përndjekurit politikë dhe pronarët që ikën nga kjo jetë pa parë drejtësi, pa parë tokat e shtëpitë e tyre të kthehen.

Sot na thonë se politika është plakur. Se nuk ka vend për të rinjtë. Por më 11 maj, përballë jush do të dalin katër parti të reja — me njerëz të ndershëm, profesionistë, punëtorë, mjekë, juristë, ekonomistë, qytetarë të lagjeve tona. Janë njerëz që nuk vijnë me premtime boshe apo me hijet e së shkuarës, por me energji të pastër, me përvojë reale dhe me një dëshirë të vërtetë për të shërbyer.

Dhe si shpërblim? Një lumë sharjesh. Një helmosje e opinionit publik nga njerëz pa emër, por me tastierë. Që e sulmojnë çdo nismë të re si “të shitur”, si “vegël e dikujt tjetër”. A nuk ishit ju që kërkuat parti të reja? A nuk i kërkuat njerëzit e ndershëm të përfshihen? E tani që dalin përballë jush, ju i mbyllni derën. Madje i përgojoni. I baltosni.

A jeni ulur ndonjëherë të pyesni veten: çfarë duam vërtet?

Ne duam t’i kthejmë politikën njerëzores. Te familja. Te ndershmëria. Te fjala e dhënë. Ne nuk kemi frikë nga politika — por nga indiferenca. Dhe po, ka një kontradiktë të thellë mes asaj që themi dhe asaj që bëjmë. Na pëlqen guximi në vende të tjera, por e përçmojmë tek ne. Jemi të dashuruar me pushtetin që na dhunon, që na vjedh, dhe arrijmë deri aty sa të justifikojmë: po mirë, vjedhin, por vjedhin më pak…

Por ne jemi këtu për t’i thënë mjaft. Ne jemi këtu për të ndezur një fije shprese. Për ta kthyer këtë vend në një hapësirë ku qytetari ka fjalën e fundit — jo klani, jo partia.

Artikulli paraprakPëllumb Seferi: Çdo premtim është një detyrim. Ju votoni, ne bëjmë atë që themi!
Artikulli tjetërS’ka prodhim vendas, rriten çmimet në prill, inflacioni arrin në nivelin më të lartë në 14 muaj