Në një status të shpërndarë në rrjetet sociale, Joni Myshketa, kandidat për deputet i Koalicionit Euroatlantik në qarkun Durrës, ka bërë një thirrje të sinqertë dhe reflektuese për qytetarët e Durrësit, ndërsa fushata elektorale po hyn në fazën e saj më intensive.
Myshketa i bën apel qytetarëve që më 11 maj të mos e shohin votën si një akt formal, por si një përgjegjësi të thellë për veten, familjen dhe të ardhmen e vendit. Ai u kërkon qytetarëve të mos mashtrohen nga premtimet madhështore të zakonshme që jepen në çdo fushatë, por të mendojnë me qetësi për realitetin në të cilin ndodhen.
Ai flet për problemet reale që përjetojnë çdo ditë shqiptarët – largimi i të rinjve, pensionistët në kushte të vështira, bizneset që vuajnë padrejtësitë dhe pasurimi i pashpjegueshëm i individëve të lidhur me pushtetin.
“Të mëdhenjtë e politikës kanë gjithçka, përveç asaj që kemi ne: fytyrën njerëzore, ndershmërinë, thjeshtësinë. Ne jemi si ju. Ju e keni në dorë. Ne së bashku e kemi në dorë.”
Më poshtë, statusi i plotë i Joni Myshketës:
Mirëdita miq!
Pas plot tri javësh të gjithë ne do t’i drejtohemi kutive të votimit për të deleguar drejtimin e vendit 4 vitet e ardhshme, për të deleguar përfaqësimin e interesave tona zonjave e zotërinjve kandidat për deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Kjo është një përgjegjësi e madhe miq!
Një detyrim qytetar karshi vetes, familjes, fëmijëve, të ardhmes, karshi vendit tonë.
Mendohuni mirë dhe me shumë qartësi dhe qetësi vendosni JU për veten tuaj.
Harrojini për një çast premtimet e mrekullueshme deri në madhështore që jepen pa kufi këto ditë.
Mendoni për situatën ku jeni.
Mendoni për qindra e mijëra të rinj e të reja që janë larguar e duan të largohen.
Mendoni për qindra e mijëra pensionistë që jetojnë në kushte lëmoshe.
Mendoni për mijëra biznese që gjobiten nën dorë për të marrë atë që u takon.
Mendoni për tërë ata rrugëçër që qarkullojnë para syve tanë me mjete luksoze pa punuar asnjë ditë.
Mendoni për veten tuaj, veten tonë.
Kjo fushatë ka hyrë në zonën e saj të nxehtë.
Të mëdhenjtë e politikës të 2 kaheve kanë burime financiare pa fund, frut i korrupsionit dhe interesave okulte, kanë militantë më tepër, hapësira mediatike më tepër, çka e bën këtë garë jo të barabartë.
Por ne kemi atë që ata nuk e kanë dhe kurrë nuk do ta kenë më, pasi e kanë shitur.
Ne kemi fytyrë njerëzore.
Ne kemi ndershmërinë.
Ne kemi thjeshtësinë.
Ne kemi të njëjtat sfida ditore siç dhe Ju.
JU e keni në dorë…
NE së bashku e kemi në dorë.
Më 11 maj 2025.
ZGJOHU DHE VOTO ZGJUAR!
PËR VETEN TËNDE – TË ARDHMEN TONË!
#JoniMyshketa #DurrësiVoton #KoalicioniEuroatlantik #ZgjohuDheVotoZgjuar #KEA #VotoNR4