Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Shqipëria dhe Mantova- e dyta qytet provincial në Italinë e Veriut, kurse e para një vend që ende pretendon të bëhet i denjë për në BE. Askush nuk do ta kishte menduar se mes tyre mund të kishte ndonjë lloj marrëdhënieje domethënëse. Por realiteti, veçanërisht varianti shqiptari i tij, është shpesh më i çuditshëm se filmat. Dhe sikurse kam përcjellë në shumë artikuj të mëparshëm, kjo nuk do të ishte as çudia e parë.
Pika jonë e nisjes, këtë herë, do të jetë një personazh disi i shquar, Lorenza Baroncelli. Sipas faqes së saj personale në rrjet, Baroncelli është “arkitekte, kërkuese dhe kuratore italiane”. Si arkitekte, kërkuese dhe kuratore, ajo ka ngritur një portofol mbresëlënës klientësh, sikurse janë renditur në faqen e saj:
“Ajo është këshilltare bashkiake për Rigjenerimin Urban dhe Projektet Ndërkombëtare për qytetin e Mantovës, si dhe bashkëpunëtore për projektet speciale në Galerinë Serpentine në Londër, ku është koordinatore e programit të pavijoneve. Ajo është këshilltare për Strategjitë Kulturore dhe Urbane e Edi Ramës, Kryeministër i Shqipërisë dhe e Erion Veliajt, kryebashkiak i Tiranës, ku ajo po punon me Stefano Boerin për masterplanin e ri të qytetit”.
Shfaqja e saj e parë “zyrtare” në horizontin shqiptar ishte kur ajo u bë këshilltare për Strategjitë Kulturore dhe Urbane e Kryeministrit Edi Rama. Ndryshe nga këshilltarët e tjerë, emërimi i saj nuk u paraqit asnjëherë publikisht dhe nuk u përcoll nga asnjë media. Ndërsa titulli i “këshilltares së Kryeministrit”, që ajo përmend në faqen e saj, nuk përdoret asnjëherë në materialet publike në kuadrin e përgatitjes së masterplanit të Tiranës (Tirana 030), ku ajo paraqitet vetëm si këshilltare në Bashkinë e Mantovës dhe Romës (në Itali, këshilltarët bashkiakë janë funksionarë- zakonisht, por jo gjithmonë -të zgjedhur të bashkive, të cilët drejtojnë departamente të caktuara- në mënyrë analoge me ministrat në qeverinë qendrore).
Me fjalë të tjera, lidhjet e saj të shumta (me gjasa, në konflikt interesi) ajo i përmend vetëm kur i shërbejnë politikisht. Por, për fat, ajo ka aq shumë dëshirë të duket në faqen e saj në rrjet sa aty i zbulon të gjitha.
Para emërimit nga Rama, Baroncelli duket se ka punuar vetëm për arkitektin dhe aspirantin për politikan “majtist” Stefano Boeri. Në studion e tij ajo ka punuar nga viti 2009 deri në vitin 2011 duke u përfshirë në disa projekte prestigjioze. Shumica e botimeve të saj, gjithashtu, janë shfaqur në revistat e drejtuara nga Boeri, të tilla si Domus dhe Abitare. Prandaj, është e arsyeshme të mendohet se mes saj dhe Boerit ka besnikëri të madhe profesionale.
Dhe vërtet, jo shumë kohë pas emërimit të saj “zyrtar”, Baroncelli shfaqet me të dy klientët e saj, të vjetrin dhe të riun. Fotografia më poshtë është marrë nga një postim në faqen në rrjet të fushatës për kryebashkiak të Milanos të Stefano Boerit, shkrepur gjatë një darke të organizuar nga Astrit Çela, një biznesmen shqiptar nga Milano dhe funksionar i dhomës së tregtisë së atjeshme- sepse, meqë ra fjala, Rama nuk është i vetmi “artist” me ambicie politike.
Boeri është, edhe ai, tifoz i hapur i Edi Ramës, sikurse mund të gjykohet nga dhjetëra botime mbështetëse dhe lëvduese të tij për Ramën- si ky postim entuziast në faqen e tij në rrjet, apo artikulli i botuar fillimisht në gazetën e rëndësishme “La Repubblica” dhe pastaj ripostuar në Facebook apo ky artikull-lëvdatë për Ramën e sapozgjedhur Kryeministër, botuar po në “La Repubblica”.
Në të njëjtën kohë, në mars 2013, Edi Rama (dhe Anri Sala) nënshkruan një peticion drejtuar kryebashkiakut të Milanos, Juliano Pisapia, kundër pushimit të Boerit nga pozicioni i këshilltarit komunal për Dizenjimin, Modën dhe Kulturën të Milanos.
Në vitin 2012, Boeri kishte humbur përballë Pisapias në zgjedhjet e brendshme partiake për kandidatin për kryetar bashkie të Milanos. Më vonë, Pisapia fitoi edhe vetë zgjedhjet për kryebashkiak dhe megjithë lobimin e Boerit nuk pranoi ta emëronte atë këshilltar për urbanizimin, për arsyen e thjeshtë se lidhjet e Boerit me kompanitë e ndërtimit dhe të pasurive të patundshme përbënin qartësisht konflikt interesi me punën që do t’i duhej të kryente. Por për fatin e mirë të Boerit, konflikti i interesit është modeli qeverisës i Edi Ramës.
Të kthehemi tek Baroncelli, të cilën e ndeshim sërish si “këshilltare shkencore” të Hans-Ulrich Obristit, drejtori i Galerisë Serpentine dhe kuruesi i Pavijonit Zviceran në Bienalen XIV Ndërkombëtare të Arkitekturës të Venecias në vitin 2014- pavijon në të cilin mori pjesë jo vetëm klienti i saj i parë Boeri, por edhe klienti i dytë, Rama- së bashku me emrin e zakonshëm të Anri Salës dhe Freek Persynit të “51NE4”, kontributin e të cilëve në këtë forum e kam prekur në një artikull tjetër.
Deri tani nuk ka ndonjë gjë të keqe. Në këtë vështrim të pjesshëm të marrëdhënieve në dukje profesionale Baroncelli, Boeri, Rama dhe Obrist, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme apo shumë problematike. Ndodh shpesh që në skenën kulturore njerëzit të punojnë së bashku, në projekte të shumta dhe në rreshtime të ndryshme- projektet që kam përmendur më sipër nuk janë përjashtim.
Megjithatë, problemet lindin në momentin kur në këtë skemë përfshihen paratë publike dhe projektet publike. Në këtë rast, projektet duhet të përzgjidhen dhe paratë të jepen përmes procedurave transparente dhe të mirëpërcaktuara.
Minimalisht, nuk është më politikë e shëndetshme publike të pëzgjedhësh këtë apo atë firmë apo person vetëm se i ke takuar më parë dhe të kanë pëlqyer. Ky është parim bazë i mirëqeverisjes.
Le të diskutojmë tri raste se si nuk duhet bërë.
Rasti i parë është Masterplani i Tiranës, Tirana 030, i filluar në janar 2016. Sikurse kam shpjeguar më parë, procedura e prokurimit publik në formën e konkursit ndërkombëtar kishte një rezultat të paravendosur, sikurse Boeri pati “mirësinë” të ma pranonte ballë për ballë: “Ma kërkoi personalisht Edi Rama të merrja pjesë. Ishim marrë vesh që studioja ime do të fitonte”. Dhe pse jo? Nëse shikon ndërveprimin e tyre të mëparshëm, të dokumentuar nga Boeri për hir të “fushatës” së tij politike, është e qartë se e pëlqejnë njëri-tjetrin.
Fatkeqësisht, nuk është kjo mënyra se si mund të propozohet riprojektimi tërësor i kryeqytetit të një kombi. Sidomos, nëse kjo punë bëhet me aq pak cilësi sa e ka bërë Boeri. (Pata mundësinë të shfletoj një kopje të “planit” aktual që ka hartuar Boeri; është në gjendje po aq të mjerueshme sa edhe drafti i parë që kam diskutuar këtu, vetëm se i janë shtuar imazhe nga Google. Por asnjë nuk ka për ta parë këtë plan derisa Erion Veliaj ta bëjë atë publik- pra, kur të jetë tepër vonë.
Nejse, këshilltarja e Edi Ramës dhe kolegia e Stefano Boerit me këtë rast u bë tashmë, gjithashtu, këshilltare e kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj- sepse Zoti e paska ndaluar që dikush tjetër ta çojë në mendje apo ta provojë këtë gjë!
Një rast fantastik të vjedhjes intelektuale
Rasti i dytë është edhe më i turpshëm, sepse këtu hyn në skenë edhe Mattia Palazzi, kryebashkiaku i Mantovës. Sikurse përmenda në fillim, Lorenza Baroncelli është, gjithashtu, këshilltare për Rigjenerimin Urban dhe Projektet Ndërkombëtare për qytetin e Mantovës.
Në të njëjtin muaj që Boeri dhe Baroncelli udhëtuan drejt Tiranës për të paraqitur projektin e tyre “fitues” për masterplanin, Rama udhëtoi (në mos ai fizikisht, të paktën emri i tij) drejt Mantovës, ku ai u përfshi në një akt të “rigjenerimit urban”, duke lyer një kompleks ndërtesash në periferi të qytetit me bojë blu, me disa të ngritura të vogla betoni në nuancë të verdhë në hyrje të godinës.
Dikush mund të mendojë se Rama, i cili më parë ka provuar të lyejë fasada, ka bërë një referencë ironike ndaj flamurit të BE-së, duke projektuar shpresat dhe ambiciet e tij për të hyrë në BE në një ish-kompleks industrial të pavend, në një qytet italian pa lidhje.
Por në fakt kemi të bëjmë me një rast fantastik të vjedhjes intelektuale!
Sepse në vitin 2015, gjashtë muaj para se Edi Rama të lyente në blu ndërtesën e tij në Mantova, një firmë arkitekture shumë e afërt me të, “Bolles+Wilson” inauguroi një ndërhyrje të ngjashme në një ndërtesë në një shesh publik në Korçë. Rama vetë ka qenë disa herë vetë në Korçë për të shpallur “rilindjen” e qytetit përmes përpjekjeve projektuese të “Bolles+Wilson”- e cila, meqë ra fjala, i është aq mirënjohës për tenderin ish-kryebashkiakut të Korçës dhe zëvendëskryeministrit të tanishëm, Niko Peleshi sa i dekoroi atij zyrën dhe ky i fundit aq i lumtur me ta sa ka pozuar si zëvendëskryeministër për katalogun e tyre tregtar- dhe është krejtësisht e pamundur që Rama të mos e ketë vënë re këtë ndërhyrje.
Ai thjesht e kopjoi atë kur Lorenza Baroncelli i kërkoi që ai të bënte diçka për klientin e saj tjetër, të katërtin, kryebashkiakun e Mantovës. (Është e qartë se artistë të tjerë e kanë përdor më parë ngjyrën blu për ndërtesa të braktisura, për shembull Florentijn Hofman në veprën e tij Beukelsblauw (2005), por nuk pres që Rama të ketë njohuri për të.)
Kjo vepër e vjedhur u shfaq, pastaj, në ekspozitën vetjake të Edi Ramës në Napoli, në maj 2016, e cila u kurua nga… Lorenza Baroncelli.
Konflikte interesi, vjedhje intelektuale dhe mashtrim
Rasti i tretë është skandali që shpërtheu në qytetin e Mantovës, kur Stefano Boerit iu dha pa procedura prokurimi publik një kontratë me vlerë 39 mijë euro për zhvillimin e një projekti të rigjenerimit urban. A nuk tingëllon e dëgjuar? Boeri kishte lobuar me entuziazëm për kandidaturën e Mattia Pallazzit në vitin 2015, duke ju bashkuar atij në një tur me motor Vespa përmes qytetit, për të vëzhguar zonat që do të zhvilloheshin.
Mediat që përcjellin skandalin nuk kanë harruar pa përmendur faktin që këshilltarja për Rigjenerimin Urban të Mantovës, Lorenza Baroncelli është njëkohësisht bashkëpunëtore e Boerit, duke shtuar dyshimet për konflikt të mundshëm interesi në këtë skandal.
Do të jetë interesante të shohim nëse Palazzi do të justifikohet për mungesën tërësore të prokurimit publik në të njëjtën mënyrë si justifikohet qeveria shqiptare: “nuk kemi kohë” dhe duke i quajtur kritikat sulme politike.
Ja ku jemi. Tri raste që përfshijnë të njëjtin grup njerëzish: Kryeministrin Rama, “këshilltaren” Lorenza Baroncelli, arkitektin Stefano Boeri dhe kryebashkiakun Matia Palazzi.
Tre shembuj të konfliktit të interesit, ku paraja publike shpenzohet pa asnjë procedurë të përshtatshme. Tri raste që në vende të tjera do të çonin në hetime të mirëfillta, si, për shembull, në këtë rast në Belgjikë, ku jo për rastësi është i përfshirë sërish Edi Rama.
Por kjo nuk ndodh në Shqipëri. Këtu duket se velloja e paligjshmërisë është veshja normale për çdo arkitekt që do të fusë duart në projektet e zhvillimit të pasurive të patundshme apo në ndonjë operacion tjetër pastrimi parash.
Edhe një gjë të fundit. Në pranverën e vitit 2016, Lorenza Baroncelli ishte në garë për t’u bërë këshilltare për Rigjenerimin Urban e kryebashkiakut të Romës- (kandidati i PD-së*) Roberto Giachetti kishte shpallur se ajo do t’i bashkohej ekipit të tij nëse ai do të fitonte zgjedhjet, të cilat, në realitet u fituan nga kandidatja e Pesë Yjeve Virginia Raggi.
Megjithatë, faqja e Facebook-ut Tirana 030, e cila mirëmbahet nga ekipi i Boerit, i gënjen haptasi qytetarët kur pohon se ajo është këshilltare për Rigjenerimin Urban të Romës, madje që para se të mbaheshin zgjedhjet lokale në Itali, por “harron” të përmendë lidhjet e saj të forta me Ramën apo Boerin.
Me pak fjalë: konflikte interesi, vjedhje intelektuale dhe mashtrim- fillimet e një karriere të mrekullueshme!