Gazetari i citynews, Genci Pishtari, është dhunuar nga policët e Bashkisë Tiranë vetëm sepse po filmonte një moment kur ata po gjobisnin një grua, shitëse ambulante në rrugën “Ferit Xhajko” në unazën e kryeqytetit. Gazetari i citynews po filmonte momentin kur policët e bashkisë po i vendosnin gjobë administrative një zonje, shitëse ambulante. Kamera i ka acaruar policët e bashkisë, të cilët i janë afruar gazetarit duke tentuar ti marrin telefonin dhe ushtruar dhunë ndaj tij. Në video dëgjohet qartë që gazetari G.Pishtari i është prezantuar që në fillim si gazetar, por kjo nuk i ka ndaluar policët, të cilët të frikësuar kanë dhunuar dhe ushtruar presion ndaj tij. Për herë të dytë, G.Pishtari i ka theksuar se është gazetar, por ka marrë një përgjigje jo të denjë nga njëri prej policive bashkiakë, i cili e kthen konfliktin në cështje personale dhe ushtron presion ndaj tij. Në lidhje me këtë ngjarje reagoi ashpër dje edhe deputeti demokrat, Luçiano Boçi i cili deklaroi se ngjarja në fjalë dëshmon frikën e pushtetit ndaj medias dhe fjalës së lirë. “I ndodhur në ngjarje dhe duke filmuar aktin e dhunimit të një gruaje 60-vjeçare, shitëse ambulante në një nga rrugicat e Tiranës, gazetari i “CityNews” Genci Pishtari, ka rënë pre e dhunës së policëve Bashkiakë dhe më pas atyre të Rendit. Madje, duke “e plasur” atë në birucat e Komisariatit Nr. 4 banditizmit policesk që tashmë lëviz e koordinohet në linjën Polici Bashkiake-Polici e Rendit, ndaj gazetarit të “CityNews”, dukshëm tregon arrogancën e një pushteti të degraduar në çdo qelizë, e një pushteti të dalë duarsh e medsh! Të jesh sot gazetar në Shqipëri nuk është e lehtë. Të jesh gazetar denoncues i padrejtësive, i dhunës, i aferave, koncesioneve zhvatëse, korrupsionit, në vendin tonë po bëhet gjithnjë e më e pamundur!! “Junta” policore e Ramës nuk të lë të ushtrosh profesionin tënd siç bëri sot me Genc Pishtarin dhe siç ka bërë me shumë të tjerë përgjatë këtyre tre viteve. Junta ka frikë nga gazetaria e lirë dhe kërkon ta mbyllë atë komisariateve, ta përgjojë e ta linçojë. Junta i trembet së vërtetës prandaj, kërcënon, dhunon e burgos. Junta s’ka arsye. Ajo ka vetëm urrejtje për qytetarët e saj dhe për ata që mbrojnë qytetarët! Banditizmi me uniformë policie i turret fjalës së lirë sikur kjo të ishte figurë krimi dhe jo figura e së vërtetës. Arrestimi dhe dhunimi i Genc Pishtarit, është ulërimë për lirinë e medias dhe nivelin e demokracisë, por dhe njëkohësisht grahma e një pushteti qesharak që numëron me ankth rënien e merituar. Sot krimi ka çelësat e shtetit që mbyllin portat e qelive, ndërsa gazetarëve dhe qytetarëve u janë lënë vetëm qelitë. PD dënon aktin e ndalimit të gazetarit Genci Pishtari të bërë sot dhe kërkon lirimin e tij të menjëhershëm! Së paku, Rama të vendosë një arnë në flamurin e bërë shoshë të pushtetit të tij të grisur!” u shpreh deputeti demokrat në reagimin e tij.
Kryesore
Continue to the categoryBasha: Arrestimi i Çyrbës rrëzon legjitimitetin e Ramës si kryeministër
Kryetarit të PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një postim në facebook, ka ndarë një pjesë nga intervista në emisionin “Shqipëria Live” ku komentoi arrestimin...