Juria e shpall fajtor/ Donald Trump, ish-Presidenti i parë amerikan që dënohet për vepra penale

Donald Trump u bë ish-presidenti i parë që u dënua për vepra penale, pasi një juri në Nju Jork e shpalli atë fajtor për falsifikimin e dokumenteve, si pjesë e një skeme për të ndikuar zgjedhjet e 2016, duke fshehur një pagesë ndaj një aktoreje të filmave pornografikë, e cila tha se kishte patur një marrëdhënie intime me ish-Presidentin, në këmbim të heshtjes së saj.

Ish presidenti Trump u shpall fajtor për 34 akuzat që ishin ngritur ndaj tij.

Vendimi i fut Shtetet e Bashkuara në një terren të panjohur përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, kur Trump, kandidati republikan, synon të fitojë garën për Shtëpinë e Bardhë përballë presidentit demokrat Joe Biden.

Nderkohe Trump, 77 vjeç, ka mohuar akuzat dhe pritet të apelojë vendimin.

Ish-presidenti amerikan u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës, ndërsa ka thënë se “vendimi është i turpshëm dhe gjyqi i montuar”.

“Ky ishte një gjyq i montuar nga një gjykatës i cili ishte i korruptuar…Kjo nuk ka marrë fund, do të vazhdoj të luftoj deri në fund…Verdikti i vërtetë do të jetë më 5 nëntor”, ka shtuar ai.

Artikulli paraprakDel në ankand “Topi i Artë” i Diego Maradonës, mund të kap vlerën e 10 milionë eurove
Artikulli tjetërRritja e shpenzimeve, “tkurr” kursimet e shqiptarëve