Juristi Emin Cani do të përfaqësojë Demokratët Euroatlantikë të Peqinit më 11 maj: Respektimi i pronës dhe hapja e dosjeve, të rëndësishme për një demokraci funksionale

Juristi Emin Cani është një ndër emrat që do të përfaqësojë Demokratët Euroatlantikë në qarkun e Elbasanit, më konkretisht zonën e Peqinit.
Me një përvojë të gjatë si njëri i angazhuar dhe si jurist, nëpërmjet një statusi në profilin e tij në rrjetin social faebook, Cani shprehet i vendosur duke besuar në vlera të larta dhe ofrimin e mundësive të reja për zhvillimin e vendit.

“Një tjetër problem i rëndësishëm që do të duhet të adresojmë është mosrespektimi i pronës dhe fakti që dosjet e komunizmit ende nuk janë hapur. Ky është një hap i domosdoshëm për të ndërtuar një demokraci të fortë dhe të qëndrueshme.” – shkruan ai.

Më poshtë postimi i plotë:

Me ju dhe për ju!

Sot, kam nderin të ndaj me ju një falënderim të sinqertë dhe të thellë për strukturat e PD Euroatlantike këtu në Peqin, për zotin Lulëzim Basha dhe Këshillin Kombëtar që më dhanë besim dhe mbështetje për kandidaturën time si kandidat i Partisë Demokratike (kualicioni Euroatlantik) qarku Elbasan.

Unë jam Emin Cani, lindur dhe banues në Peqin, një qytet i njohur për traditat dhe vlerat që kemi. Jam i martuar dhe kam tre fëmijë. Kam mbaruar arsimin e lartë në Fakultetin e Drejtësisë Tiranë. Aktualisht, me përvojën dhe ekspertizën time, ushtroj profesionin e avokatit në qytetin e Elbasanit dhe më gjërë. Jam anëtar i Këshillit Bashkiak të Peqinit dhe kam kontribuar në mënyrë aktive për zhvillimin dhe mirëqenien e qytetit tim.

Familja ime ka pasur një ndikim të rëndësishëm në futbollin e Peqinit. Duke filluar nga babai im, dy vëllezërit e mi dhe unë i njohur si “VERI”, kemi kontribuar për rreth 15 vjet në futbollin e qytetit tim, si dhe në qytetin e Cerrikut. Vëllai im, Bujar Cani, ka pasur një karrierë të spikatur si futbollist në Peqin, Elbasan, me ekipin e Partizanit dhe kombëtaren e Shqipërisë.

Kam vendosur të kandidoj për Partinë Demokratike Euroatlantike, duke besuar në vlera të larta dhe ofrimin e mundësive të reja për zhvillimin e vendit tonë. Unë jetoj në Peqin dhe në Elbasan, si politikan, si avokat por dhe si njeri që kontaktoj çdo ditë me njerzit për hallet e tyre të përditëshme, jam i njohur me problemet dhe hallet që përballen qytetarët e Peqinit, zonave për rreth dhe gjithë qarkut Elbasan. Kam pasur mundësinë të kuptoj thellë sfidat e përditshme që ndodhin në këtë realitet dhe e di që shumë prej këtyre janë të lidhura ngushtë me korrupsionin që ka prekur çdo degë të administratës dhe institucioneve tona, ky fenomen është bërë shkaktar i shumë problemeve të cilat kan arritur në nivele të paimagjinueshm, duke shkatërruar besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe në të gjitha institucionet.

Një tjetër problem i rëndësishëm që do të duhet të adresojmë është mosrespektimi i pronës dhe fakti që dosjet e komunizmit ende nuk janë hapur. Ky është një hap i domosdoshëm për të ndërtuar një demokraci të fortë dhe të qëndrueshme. Unë mbështes forcimin e SPAK-ut dhe të institucioneve që luftojnë korrupsionin, pasi besoj që vetëm përmes një drejtësie të pavarur dhe të fuqishme mund të krijojmë një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Në ditët në vazhdim, do të organizojmë takime dhe diskutime të hapura për të diskutuar të ardhmen e Peqinit tonë dhe të gjithë qarkut Elbasan. Do të kërkoj mbështetje dhe angazhim nga të gjithë demokratët dhe qytetarët që kërkojnë ndryshimin. Programi i Partisë Demokratike Euroatlantike është një mundësi reale për të ofruar zgjidhje konkrete dhe për të sjellë zhvillim në çdo aspekt të jetës publike dhe private.

Shqipëria meriton më shumë. Çdo qytetar ka të drejtë të jetojë dhe të punojë në një vend të pastruar nga korrupsioni, me mundësi të barabarta dhe pa diskriminim. Ju ftoj të më jepni besimin tuaj, për të krijuar së bashku një të ardhme më të ndritur për Peqinin dhe Shqipërinë. Kemi shumë mundësi dhe shumë sfida përpara nesh, por së bashku mund t’i kalojmë ato dhe të sjellim ndryshim të vërtetë.

Ju faleminderit dhe shpresoj të mund të kontribuoj në zhvillimin e vendit tonë dhe qarkut Elbasan.

Me respekt,
Emin Cani

Exit mobile version