Historia e 60 vjeçarit nga Frakulla: Pagova topografin dhe juristin për tokën që më takon me ligj
Fiks Fare denoncoi me zë dhe figurë një nëpunës të Hipotekës së Fierit, i cili i merr ryshfet një qytetari 300 mijë lekë për t’i dhënë atë që i takon! Qytetari Ariz Çervanaku, nga zona e Frakullës në Fier, u ankua se juristi i ZVRPP Fier, Ervis Bregasi, e ka sorollatur për muaj me radhë për t’i nxjerrë certifikatat e pronësisë së tokave. Në fund, juristi i kërkoi 300 mijë lekë, ndërsa kamera e “Fiks Fare” faktoi momentin kur nëpunësi i shtetit merr edhe ryshfetin.
“Unë jam 60 vjeç dhe i jam drejtuar emisionit ‘Fiks Fare’ se kam 3 vjet që sorollatem nëpër zyrat për të aplikuar për tokat dhe s’po m’i bëjnë certifikatat. Topografi më kërkoi 300 mijë lekë. Ja dhashë dhe po më sjell vërdallë. Vete te hipoteka dhe ai juristi kërkon 300 mijë lekë. Unë kam 4 dylymë e gjysmë dhe e kam përfituar me ligjin 7501” thotë qytetari.
Më tej shton se “i dhashë lekë Bedri Trokës, 300 mijë. Bedriu është topografi i njësisë vendore Frakull e Madhe dhe po më bie vërdallë. Në Hipotekë ky juristi Ervis Bregasi më kërkon 300 mijë lekë për një parcelë”.
Qytetari shton se lekët ia kërkon për të bërë tokat me certifikatë. “E kam takuar 4-5 herë dhe më ka thënë nam 300 mijë lekë t’i bëj certifikatat. Pronat i kam në rregull, me ligjin 7501 dhe s’kam konflikte me njeri” thotë Çervanaku, ndërsa kërkon vetëm të regjistrojë pronat.
Pas denoncimit, qytetari shkon te Hipoteka e Fierit për të takuar juristin Ervis Bregasi. Pasi e pret disa orë, juristin nuk e takon dot, ndërsa i merr numrin e telefonit rojës. E telefonin dhe lënë takim te ETC-ja në Fier. Qytetari shkon te vendi dhe pasi e pret disa minuta, takohen dhe lëvizin bashkë. “Tani hua i gjeta unë ato (lekët) të shkreta, hua i gjeta ato. S’ke ça bën dhe ti, po dhe ne s’kemi ça bëjmë se unë kam 7 parcela, po nga 5, i thonë 35. Po Bedriu do. Do se s’ti bën, po s’ti bëri ai, s’ti bën dot ti dokumentet. I bën dot ti, pa prurë ai? S’i bën dot” i thotë qytetari, ndërsa ai i përgjigjet se “po mirë, ça të bëj dhe unë o Ariz”.
Më pas i thotë “i ke marrë me vete (lekët)?”. “Ja shikoje, se thua pastaj më ke dhënë 200 pastaj. Ma ka bërë njëri kështu mua. Gjashtë… Na…” i thotë, ndërsa i jep edhe 300 mijë lekë.
Më pas të dy bisedojnë edhe për parcelat e tjera, ndërsa juristi i thotë se certifikatën e kësaj parcele e ka në shtëpi ditën e hënë. Për të tjerat nuk i kërkon lekë, ndërsa e pyet sa i ka marrë edhe topografi i Njësisë Administrative Frakull. “300 i kam dhënë” i thotë qytetari.
Pas disa ditësh, qytetari shkon sërish në Hipotekën e Fierit, ku kërkon juristin. Roja thotë se “shefja i ka mbyllur brenda me çelës”. Pas kësaj, qytetari telefonon juristin dhe ai i përgjigjet se “certifikatën e bëri, me postë do vijë”.
Ndërkohë, pas disa ditësh, gazetarët e Fiks Fare shkojnë në Hipotekën e Fierit dhe takojnë drejtorin Petrit Kanani. Pasi i bëjnë me dije përse kishin shkuar, drejtori thërret juristin nëse ka përfunduar praktikën e z.Çervanaku. “Ai ka marrë certifikatë pronësie, unë e kam mbaruar praktikën që në datë 19.03.2018. Unë si jurist e kam mbaruar” thotë Bregasi, ndërsa drejtori e pyet nëse ka marrë apo jo lekë.
“Ai mund të thojë çfarë të dojë. Arizi është i mangut nga trutë. E kam takuar poshtë, më ka thënë kshu kshu e kam hallin. I thashë Ariz do të ndihmojë. I thashë, sipas ligjit Ariz unë do të ndihmojë. I thashë do ta shikojmë me përparësi praktikën, do të të ndihmoj. E ndihmova” tha juristi, ndërsa tha se nuk ka marrë lekë. Gjithashtu, nuk pranoi të japë intervistë. Gazetarët e pyetën nëse e ka takuar këtë qytetar, dhe ai fillimisht tha se “në sportel po, edhe në telefon po, më ka kontaktuar. Më ka marrë numrin te roja”.
Ai mohoi ta ketë takuar para një biznesi, në momentin kur i ka marrë lekët. “Jo, se kam takuar” këmbënguli ai, ndërsa gazetarët i bënë me dije se gjithçka është e filmuar. “Ti mund t’i nxjerrësh pamjet filmike. E kam takuar në sportel poshtë, e kam marrë në makinë se më ka ardhur keq, nuk e di ku e ka shtëpinë, andej nga …” ishte përgjigjja tjetër e tij.
Në fund, drejtori i Hipotekës së Fierit, Petrit Kanani, tha se “volumin unë se kam firmosur se kemi pasur KLSH-në këtu, do të thotë se qytetari s’e ka marrë certifikatën akoma. Do t’i kaloj unë volumet tani, që të gjitha, e ka të mbyllur ai, e ka të mbyllur ai” përfundoi ai.
BISEDAT E REGJISTRUARA
… Qytetari shkon te Hipoteka e Fierit
Qytetari – S’i ke kaluar?
Roja – Me njerëz, punë m…
Qytetari – Më ka marrë inat mua kjo, obobobobobo.
Punonjësja – Ti më ke marrë inat mua. Shyqyr që s’më ra dosja jote mua se … Ariz Çervanaku.
Qytetari – Ëëëë shiko si më mban mend mua ajo.
Punonjësja – Njerëzit që ma kanë bërë borxh i mbaj mend.
Qytetari – Jooo, po mirë një llaf tjetri nga inati do ta thojë. Unë vajta tre vjet, çik me stres jam, nuk i parashikon ti?
Punonjësja – Po s’ka qenë letra në rregull që të faturohej në sportel.
Qytetari – Si?
Punonjësja – S’i kishe në rregull, vinte dhe motra dhe kërkonte llogari për vëllain, që nuk lejohet. Tani …
Roja – Ose s’do kjo t’i bëjë.
Qytetari – Ë?
Roja – Ose s’do kjo t’i bëjë.
Qytetari – Sa është ora?
Roja – 5 pa 10 vajti. Mos kanë ikur më përpara ata?
Qytetari – Po ku di gjë unë i shkreti.
Roja – Ne s’i pamë, këtu ishim.
Qytetari – Ne i pamë të tërë, nëse ka dalë para ai.
Roja – Ti e ke numrin, e ke numrin.
Qytetari – Jo re, numrin se kam unë.
Roja – Ta dha ty ai.
Qytetari – S’ma dha numrin ai mua. Ai tha hajde në këtë kohë të jesh këtu.
Roja – E do numrin?
Qytetari – E ke numrin e atij Visit?
Roja – Po.
Qytetari – Po nëse e ke ma bjerë. Ky vetë tha dje më prit
Roja – Do të ketë dalë më përpara, s’e pamë. Na (numrin e telefonit të juristit).
Qytetari telefonin juristin Ervis Bregasi
Ervis Bregasi – Alo?!
Qytetari – Ervisi? Arizi jam unë, kush je ti?
Ervis Bregasi – Visi jam!
Qytetari – Ervis po vajti 1 orë atje të porta (e Hipotekës), të prita dhe s’dole ti. Ku, erdhe sot a s’erdhe sot a, nuk e di. Unë…
Ervis Bregasi – Jo ika shpejt unë Ariz, hajde këtu te …
Qytetari – Në rregull, po të vij.
Bisedë me juristin e Hipotekës së Fierit, Ervis Bregasi
Ervis Bregasi – Hë?
Qytetari – Si je?
Ervis Bregasi – Nëpër shitë.
Qytetari – Po ça të bëjmë ne.
Ervis Bregasi – O të lumtë ty ëre.
Qytetari – Po unë të thashë ty ore, te dera e ETC-së po strehohesha atje.
Ervis Bregasi – Këtu rrije ti.
Qytetari – Po ndëjta aty, shiko s’ka. Ëëëë.
Ervis Bregasi – Hajde…
Qytetari – Jam mbas teje, ku të thuash ti, hë.
Ervis Bregasi – Ti e di ëë. Hajde këtej, hajde. Ti ku rri këtu?
Qytetari – Poshtë rri, aman.
Tregtarja: Urdhëroni ndonjë qershi të mirë, se dy orë ka që është këputur.
Qytetari – E te qershitë e kemi mëndjen ne, apo jo ëë?
Ervis Bregasi – Ça qershie.
Qytetari – Nashi hua i gjeta unë ato (lekët) të shkreta, hua i gjeta ato.
Ervis Bregasi – Po mirë, ça të bëj dhe unë o Ariz.
Qytetari – S’ke ça bën dhe ti, po dhe ne s’kemi ça bëjmë se unë kam 7 parcela, po nga 5, i thonë 35. Po Bediu do (topografi i njësisë Administrative Frakull).
Ervis Bregasi – Pse ça do Bedriu?
Qytetari – Do se s’ti bën, po s’ti bëri ai, s’ti bën dot ti ëëë, dokumentat. I bën dot ti, pa prurë ai? S’i bën dot.
Ervis Bregasi – Ja sa të marr një kështu unë, dhe unë marr çik ujë dhe do iki. Hë i ke marrë me vete (lekët)?
Qytetari – Epo, ai i gjeti në rrugë dhe i numëroi.
Ervis Bregasi – Po jo, ça ëëë.
Qytetari – I gjeti në rrugë dhe i numëroi. 5 …
Ervis Bregasi – Po jo kështu, mbaji futi në xhep. Bëji bashkë dhe…
Qytetari – Ëëë, t’i bëjmë kështu dhe ja… Ja shikoje, se thua pastaj më ke dhënë 200 pastaj. Ma ka bërë njëri kështu mua.
Ervis Bregasi – Joo.
Qytetari – Gjashtë…
Ervis Bregasi – Futi në xhep. Ne s’kemi dalë në Pazar këtu oo.
Qytetari – Ëëë?
Ervis Bregasi – Në pazar kemi dalë në, i mban në dorë ti.
Qytetari – Epo do bëjmë pazar ne, ëëë. Po ça do bësh, s’u ulëm në ndonjë kafene.
Ervis Bregasi – Ëë?
Qytetari – S’u ulëm në ndonjë kafene.
Ervis Bregasi – Pse këtu. Do të hash ndonjë gjë ti?
Qytetari – Jo. Ku do vemi ne nashi.
Ervis Bregasi – Ëre këtu re.
Qytetari – Hë, na i do këtu, hë?
Ervis Bregasi – Do të hash ndonjë gjë ti?
Qytetari – Ore ku… na!
Ervis Bregasi – Ja të marr një shishe ujë.
Qytetari – Na (lekët).
Juristi merr lekët
Ervis Bregasi – Do të hash ndonjë gjë?
Qytetari – Jo po të them ore, po sss.
Ervis Bregasi – Ore ka këtu për të ngrënë.
Qytetari – Ore spo më kupton ore.
Ervis Bregasi – Ore do të iki në shtëpi, se shtëpinë këtu e kam.
Qytetari – Tashti, nashi kam 7 toka. Sa do nashi, të bëhem gati?
Ervis Bregasi – Jo po s’bëj pazar. Mbaro këtë që ke ti, edhe. Këtë që e ke për të shitur.
Qytetari – E po e, të mbarojmë këtë nashi.
Ervis Bregasi – Këtë e ke ditën e hënë në shtëpi.
Qytetari – Të bëhet gati re.
Ervis Bregasi – Ditën e hënë e ke në shtëpi.
Qytetari – Për të tjerat.
Ervis Bregasi – Ato do t’i bëjë Bedriu.
Qytetari – Opo Bedriut ia kam dhënë unë re (lekët). I ka marrë (lekët) Bedriu.
Ervis Bregasi – Ëëë, i ka marrë …
Qytetari – Bedriu i ka marrë të tijat, pjesët e tija. Ti nashi sa do (për parcelat e tjera) që të bëhem gati unë?
Ervis Bregasi – Po çke.
Qytetari – Që të më ndihmosh.
Ervis Bregasi – S’dua asnjë gjë për ato.
Qytetari – Ëëë?
Ervis Bregasi – Asnjë gjë.
Qytetari – Qysh nuk do asgjë?
Ervis Bregasi – Asgjë, s’dua asnjë gjë.
Qytetari – Do e mbash llafin?
Ervis Bregasi – Unë jam nga ata burra që e mbaj llafin. Nama dorën.
Qytetari – Mirupafshim. Ça të them unë. Po, do e mbash llafin ama?!
Ervis Bregasi – Të bëjë dokumentin ai.
Qytetari – Bedriut ia kam dhënë të thashë, e kam likujduar.
Ervis Bregasi – Sa i ke dhënë Bedriut?
Qytetari – 300 (mijë lekë), 300. Prandaj po të them sa do ti?
Ervis Bregasi – Asnjë s’dua, asgjë.
Qytetari – Në rregull. Po do mbash llafin ama, mirupafshim.
Pas 5 ditësh…
Qytetari – Përshëndetje, si jeni?
Roja – Ça po bën.
Qytetari – Ejj, do e marësh çik atë, të dalë çik Ervis, të dalë.
Roja – S’del dot ai se e ka mbyllur shefja me çelës.
Qytetari – Si?
Roja – E ka mbyllur shefja me çelës.
Qytetari – Shefja me çelës?!
Roja – Se ka lëvizur drejtori dhe ajo ua ka mbyllur derën brënda.
Qytetari – Ëëë, po qysh do bëjmë, qysh do bëjmë. Ai vetëm më tha, hajde.
Roja – Hajde pastaj në orën 16.20.
Qytetari – Në 16.20?
Roja – Ee.
Qytetari – Mirë ça do bëjmë.
Telefonon juristin…
Ervis Bregasi – Alo.
Qytetari – Ervis, Arizi jam!
Ervis Bregasi – Hë Ariz ça bën.
Qytetari – Ça do bëjmë. Bërë ndonjë dokument nga ato që lamë bashkë muhabetin.
Ervis Bregasi – I bëra, e bëra.
Qytetari – I ke bëre të tëra? Apo atë vetëm?
Ervis Bregasi – Ëëë?
Qytetari – Atë vetëm ke bërë, atë parcelë vetëm ke bërë?
Ervis Bregasi – Jo mo, i ka sjellë ai nga Njësia (Frakull)?
Qytetari – Si?
Ervis Bregasi – I ka sjellë ato Bedriu nga Njësia?
Qytetari – Jo s’i ka sjellë akoma, po ti atë parcelë e ke bërë, apo s’e ke bërë?
Ervis Bregasi – E kam bërë, e kam bërë.
Qytetari – E ke bërë ëëë? Po do ta nisësh, do ta përcjellësh atje në postë?
Ervis Bregasi – Po, po me postë do vij. Po këto ditë ja mbaron ajo. Këto ditë.
Qytetari – Në rregull.
Ervis Bregasi – Mirupafshim.
Pas disa ditësh, gazetarët shkojnë në Hipotekën e Fierit
Gazetari – Kemi një rast të një qytetari që është ankuar, Ariz Çervanaku. Është nga Frakulla e Madhe. ‘Po bëj nja 3 vjet’ thotë që është sorollatur.
Drejtori – Të njihem me rastin…
Gazetari – Ai ka kontaktuar me një jurist, Ervis. Është Ervisi këtu?
Drejtori – Po. Se këta kur kontaktojnë tek e tek, janë jashtë institucionit.
Gazetari – Ai thotë se kam kontaktuar me këtë Ervisin dhe më ka kërkuar lekë, biles thotë që kam paguar edhe lekë. Më kanë kërkuar lekë thotë nga zyra e Hipotekës.
Drejtori – O Ervis, ktheje pak atë kamerën kështu. Atëherë, Ervis. Këta janë të Top Channel-it, është një, tani po ma thonë, Ariz Çervanaku.
Gazetari – Ariz Çervanaku.
Drejtori – Praktikën e keni juve?
Ervis Bregasi – Po, ka mbaruar praktika.
Drejtori – Ka mbaruar praktika, është pajisur me certifikatë ky zotëria?
Ervis Bregasi – Po.
Gazetari – Ankesën e ka bërë që zotëria në fjalë (juristi) i ka kërkuar lekë. Biles thotë që ka paguar 300 mijë lekë.
Drejtori – Kjo është tjetër, më fal të lutem. Nuk e di… Atë pjesë… Unë po flas, të qartësohem në radhë të parë unë. Ky Ariz Çervanaku është pajisur me certifikatë në kohën time, apo më përpara nga unë?
Ervis Bregasi – Jo, jo ai ka marrë certifikatë pronësie, unë e kam mbaruar praktikën që në datë 19.03.2018.
Drejtori – Sot ky qytetar, ka marrë certifikatë pronësie në dorë?
Ervis Bregasi – Shiko, unë si jurist e kam mbaruar.
Drejtori – Ke kontaktuar me Ariz Çervanakun, për pjesën e këtyre që jemi sot në qendër të vëmendjes, jo historira, jo l…
Ervis Bregasi – Ai mund të thojë çfarë të dojë, Arizi, se Arizi është i mangut nga trutë. E kam takuar poshtë, më ka thënë kshu kshu e kam hallin. I thashë Ariz do të ndihmojë, se e pash që ishte i mangut…
Drejtori – Ne bëjmë detyrën, nuk ndihmojmë, bëjmë detyrën. Ne ndihmojmë të tërë qytetarët.
Ervis Bregasi – I thashë, sipas ligjit Ariz unë do të ndihmojë. I thashë do ta shikojmë me përparësi praktikën, do të të ndihmojë. E ndihmova, që në 19.03 ka mbaruar certifikata.
Drejtori – Të ka dhënë ty lekë o? Nëse të ka dhënë, zgjidhjen e bën vet ti, për mua ka organe të tjera. Unë jam titullari dhe nuk është që të marrë në hetim
Ervis Bregasi – Shiko, këta kanë ardhur me një ankesë të qytetarit. Qytetarit në fjalë ja kam prodhur certifikatën në fjalë në 19.03. Ti thua që unë ja paskam marrë… ato (lekët)?
Gazetari – Kështu na tha qytetari që më ka marrë diçka.
Ervis Bregasi – Ai mund të thojë çfarë të doojë.
Gazetari – Me jelen tuaj (drejtor), mund të na japë një intervistë?
Ervis Bregasi – Jo, intervistë nuk jap
Gazetari – Mund ta marrim në intervistë?
Ervis Bregasi – Jo.
Drejtori – Nuk jam te pjesa se si i gjejnë këta këto lidhjet e shkurtra, o Sokol.
Gazetari – S’ke kontaktuar ndonjëherë me këtë (qytetarin)?
Ervis Bregasi – Në sportel po, edhe në telefon po, më ka kontaktuar. Më ka marrë numrin te roja, Ervis…
Gazetari – E ke takuar?
Ervis Bregasi – E kam takuar poshtë pra.
Gazetari – Para 10 ditësh, të enjten?
Ervis Bregasi – Jo.
Gazetari – Të mërkurën?
Ervis Bregasi – Jo.
Gazetari – S’e ke takuar?
Ervis Bregasi – Jo.
Gazetari – E ke takuar para ETC-së?
Ervis Bregasi – Para ETC-së unë?
Gazetari – Po. Para 10 ditësh, ditën e mërkurë.
Ervis Bregasi – Jo.
Gazetari – Jo këtë të mërkurën që kaloi.
Ervis Bregasi – Jo. Ti mund t’i nxjerrësh pamjet filmike.
Ervis Bregasi – E kam takuar në sportel poshtë, e kam marrë në makinë se më ka ardhur keq, nuk e di ku e ka shtëpinë, andej nga ETC-ja. 21.03 është bërë certifikata.
Drejtori – Ti e ke mbyllur, volumin unë se kam firmosur se kemi pasur KLSH-në këtu, do të thotë se ku s’e ka marrë certifikatën akoma.
Gazetari – Kur do t’a marrë?
Drejtori – Ja tani, do t’i kaloj unë volumet tani, që të gjitha, e ka të mbyllur ai, e ka të mbyllur ai.