Juventus në gjendje alarmi. Situatë aspak e favorshme paraqitet në kampin e bardhezinjve, një pjesë e mirë e lojtarëve pritet të mos jenë të gatshëm për sfidën e së shtunës së ardhshme ndaj Lazios. Mario Mandzukiç dhe Andrea Barzagli janë dy emrat e fundit që i bashkohen listës së të dëmtuarve. Sulmuesi kroat pësoi një dëmtim në takimin ndaj Finlandës edhe pse nuk kishte asgjë serioze, gjasat janë që ndaj Lazios, ai të mos jetë në gjendje për të luajtur.
Situata paraqitet kritike edhe në repartin e mesfushës. Marchisio pas operacionit është duke u stërvitur i veçuar, por faza e rikuperimit për të pritet të zgjasë. Khedira gjithashtu vazhdon të ndjejë shqetësime në pjesën e gjurit, ndërkohë i sapoardhuri Howedes ka nisur të vrapojë, por fizikisht mbetet prapa me përgatitjet. Pjanic dhe Barzagli me shumë mundësi do të jenë të aftë për të luajtur vetëm në ndeshjen e Champions League ndaj Sporting Lisbona. Në “boxe” do të qëndrojë dhe De Sciglio, ndërsa rikthimi i kroatit Pjaca do të jetë i mundur në nëntor. Trajneri i Juventusit, Massimiliano Alegri ndodhet në pozita të vështira. Tetë emra të formacionit bazë të dëmtuar me kampionatin që rifillon fundjavën e ardhshme. Deri atëherë numrit një të bardhezinjve nuk i ngelet gjë tjetër veçse të shpresojë që të paktën disa prej këtyre emrave të jenë të gatshëm për sfidën ndaj Lazios.