Brenda 20 ditëve, Juventusi do të vendosë për qëndrimin ose jo të Paul Pogba. Përsa i përket kësaj çështjeje, mesfushori i badhezinjve u përgjigj se është nën kontratë me kampionët e Italisë dhe se për të ardhmen e tij duhen pyetur drejtusit e klubit. Përgjigjja e francezit lë në pikëpyetje të ardhmen e tij te Juventusi. Situata bëhet disi më e komplikuar prej ofertave në adresë të 23-vjeçarit. Klube si Manchester United, PSG, Barcelona, Reali i Madridit e gjigantë të tjerë të futbollit europian janë të gatshme t’i ofrojnë Pogbas deri në 10 milionë euro rrogë në sezon.
Ndërkohë që, nga ana tjetër drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Beppe Marotta është shprehur qartë, se stafi drejtues i “Zonjës së Vjetër” ka besim absolut tek mesfushori dhe nuk dëshiron të heqë dorë prej tij. Pritet që të hënën të zhvillohet një takim mes Pogba dhe Marrotas, ku do të diskutohet rreth rinovimit të kontratës. Shifrat janë të rëndësishme: pagë 6,5 milionë euro në sezon, të cilës i shtohen edhe bonuse për paraqitjet dhe rezultatet. Kjo është oferta që drejtuesit bardhezi do t’i paraqesin francezit. Synimi i Juventusit është që Pogba të qëndrojë në Torino, por nga ana tjetër duhet parë dhe dëshira e lojtarit. E, nëse ky i fundit dëshiron largimin, Juventusit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të presë ofertat që do të vinë, nga ku pritet që konkurrenca të jetë e fortë.