Juve i falet Pjaniç

Miralem Pjaniç merr nën patronazh Juventusin. U vonua pak, por arriti të tregohej më i fortë se ata që e kritikonin. Më në fund mesfushori boshnjak, ka arritur të shfaqi anën e tij më të mirë. Jo vetëm për golin e shënuar nga goditja e dënimit, në takimin kundër Chievos, e 12-ta për Pjaniç që nga momenti kur ai u transferua në kampionatin italian, por edhe për faktin se, mesfushori ka një rol kyç në skemat e teknikut Masimiliano Alegri. 26-vjeçari ka arritur t’i përshtatet në mënyrën më të mirë të mundshme si mesfushor i krahut të djathtë.
Goli i largon disi peshën e madhe të përgjegjësisë, sepse transferimi i tij tek bardhezinjtë, bëri që Pjaniç të cilësohej si zëvendësuesi i Andrea Pirlos. Fillimi disi i vështirë, por tashmë duket se Pjaniç ka ndërruar marsh, duke rritur shpejtësinë dhe duke i dhënë më shumë kualitet mesfushës së “Zonjës së Vjetër”. Jo gjithçka eci mirë pas fitores në Bendegoti për trajnerin Alegri. Mbrojtësi Andrea Barzagli ka pësuar dëmtim në shpatullën e majtë. Ende nuk dihet se përsa kohë 35-vjeçari do të qëndrojë larg fushave, pasi është në pritje të përgjigjes të analizave nga stafi mjekësor i Juventusit. Nga dëmtimi tek nervozizmi.
Sulmuesi Gonazlo Higuanin, i cili ende nuk po arrin të shfaqi anën e tij më të mirë, në momentin kur do të zëvendësohej, shfaqi një lloj pakënaqësie nga ana e tij dhe mosdakordësie për vendimin e teknikut toskan. Në fakt tek bardhezinjtë ecuria e skuadrës vlen më shumë se gjithçka dhe El Pipita duhet të mësohet me këtë fakt. Sidoqoftë kampionët e Italisë, janë aty në krye të tabelës së klasifikimit, me 4 pikë diferencë  nga Roma  e vendit të dytë.
Juventus dhe Milan ecin krah për krah në krye të renditjes, duke arritur fitore të ngjashme në Palermo dhe Verona. Bardhezinjtë triumfuan 2-1 ndaj Chievos ndërsa Milani ndaj Palermos, duke patur ecuri të njëjtë dhe gjatë ndeshjes. Në Bentegodi, bardhezinjtë gjetën epërsinë vetëm në pjesën e dytë me Mandzukiçin, që në të 53-ën shfrytëzoi një harkim të Cuadrados.
Gjithsesi Chievo që gjithmonë i ka hapur vështirësi Juventusit, në minutën e 66-të arriti të barazojë shifrat me Pellisier, që bardhezinjtë i ka “viktimë” të preferuar, duke u treguar i saktë nga pika e bardhë. Juventus megjithatë nuk e vonoi golin e fitores dhe në të 75-ën ishte Pjaniç që dërgoi topin në rrjetë për golin e 2-1.
Rezultat të ngjashëm regjistroi dhe Milani në Palermo, por kuqezinjtë patën meritën se gjetën shumë shpejtë epërsinë që në minutën e 15-të me Suson, që shfrytëzoi të vetmin gabim në ndeshje të Posavecit. Palermo sidomos në pjesën e dytë rriti ritmin dhe në të 71-ën ishte Nestorovski që barazoi shifrat. Zgjidhja për Milanin erdhi nga stoli me Lapadulën, që i hyri si zëvendësues me një takë të jashtëzakonshme mundi t’i jepte fitoren të tijve.
Gjithsesi, Roma e rimori shumë shpejt vendin e dytë, pasi nuk zhgënjeu në shtëpi ndaj Bolonjës, teksa fitoi 3-0 ndaj Bolognas, me Salah që ishte protagonisti i madh, duke shënuar një 3 golësh për verdhekuqtë.
Interi më në fund u rikthye te fitorja, duke mundur 3-0 Crotonen në shtëpi. Një ndeshje që zikaltërit megjithatë arritën ta zgjidhin vetëm në fund, pasi deri në minutën e 84-t sfida ishte e barabartë 0-0. Perisiç ishte ai që i dha frymëmarrje Interit me golin e tij. Ndërsa më pas ishte radha e Icardit për të shënuar dy herë, fillimisht nga pika e bardhë dhe më pas në aksion.

Exit mobile version