Juve kundër Monaco

Shorti i hedhur në Nion përcaktoi që në gjysmëfinalet e Champions do të luhet derbi i Madridit, me Realin që sfidon Atletico-n, ndërsa në takimin tjetër, Juventusi do të jetë përballë surprizës Monaco. Reali ishte skuadra e parë e tërhequr në short, me skuadrën e Zidane që sipas formulës do ta luajë ndeshjen e parë në “Bernabeu”. E ndërsa të gjithë rivalët ishin në ankth, goglat nxorën si rivalin e “Los Blancos” rivalët e përjetshëm të Atletico-s.
Një derbi europian, por që këtë herë do t’i vendosë përballë dy skuadrat e Madridit jo më në finale, por në pengesën e fundit për të arritur në ndeshjen për trofeun në Kardif. Kjo do të jetë hera e pestë që Reali dhe Atletico do të luajnë në kupat e Europës.
Çifti tjetër ishte logjik: Pas paraqitjeve të shkëlqyera me Barcelonën, Juventusi tashmë do të ketë përballë Monaco-n, skuadrën që befasoi Europën me paraqitjet e saj, duke eliminuar fillimisht Manchester City-n dhe më pas Borussia Dortmund. Ndeshjet e para gjysmëfinale do të luhen më 2 dhe 3 maj, ndërsa takimet e kthimit më 9 dhe 10 maj.
Për Juventusin përbën avantazh fakti që sfidën e kthimit do ta kenë në Torino. Kampionët e Italisë janë kualifikuar në të dy rastet kur janë përballur me Monaco-n, në gjysmëfinalet e sezonit 1997/98 dhe në çerekfinalet e edicionit 2014/15. Në dy sfidat e vitit 2015, bardhezinjtë nuk pësuan asnjë gol, por Monaco e këtij viti është një skuadër plotësisht e ndryshme dhe një rival për t’u pasur frikë. Në rast të kalimit të turit, Juventusi do të jetë skuadra pritëse në finalen e Kardifit, që do të luhet më 3 qershor.
Përfaqësuesi i Real Madridit në shortin e Ligës së Kampionëve, Emilio Butraguenjo, ka thënë se përballja me Atletico Madridin do të jetë e vështirë, por sipas tij, “Mbretërit” synojnë finalen. “Kjo është hera e katërt me radhë që përballemi me ta. Në ndeshjen e parë duhet të luajmë mirë sepse e dimë se Atletico Madridi është shumë e papërshtatshme si vendas. Kanë mbrojtje të fortë, do të jetë e vështirë për dy ekipet”, ka thënë Butraguenjo pas shortit.
Butraguenjo tha se Reali do të luajë për të shkuar në finale. “Ne do të luajmë për finale. Le të themi që është gara jonë e pëlqyer dhe do të tentojmë të luajmë në nivelin më të lartë për t’i bërë të lumtur fansat. Do të luajmë kundër një ekipi të mirë. Ky është futbolli, çdo gjë është e paparashikueshme”, përfundoi Butraguenjo.

Exit mobile version