Juve largon “djallin” nga Kupa e Italisë

Juventus fitoi derbin me Milanin në Kupë dhe siguroi një vend në gjysmëfinale përballë Napolit pas suksesit të parë sezonal ndaj kuqezinjve 2-1. Në “Juventus Stadium” bardhezinjtë  në ndryshim nga sfidat e mëparshme me Milanin të këtij sezoni, mbyllën ndeshjen atëherë kur duhet për të menaxhuar më pas lojën dhe rezultatin.
Pas golit të parë të Dybala-së në minutën e 10-të që po konfirmohet gjithmonë e më shumë si protagonist te ky ekip, ishte Pjaniç që me një goditje dënimi të mrekullueshme realizoi golin e dytë duke krijuar një epërsi qetësie pas vetëm 21 minutash lojë.
Milani kishte dëshirë, por jo kthjelltësinë e duhur e mbi të gjitha pjekurinë për t’i bërë një përmbysje Juventusit brenda në Torino, pavarësisht se ekipi i Montellës i dha vetes shpresë me golin e 2-1 të Baccës.
Dalja me karton të kuq e Locatellit dy minuta më pas megjithatë nuk i ndihmoi miqtë, përkundrazi ja bëri kontrollin e ndeshjes më të lehtë Juventusit, që pavarësisht ndonjë rasti të kuqezinjve e menaxhoi mirë rezultatin duke siguruar një vend në gjysmëfinale, ku e pret Napoli.

Exit mobile version