Juve në çerekfinale të Kupës së Italisë

Juventusi vuan, djersit shumë, por në fund ia del të kualifikohet në çerekfinalet e Kupës së Italisë. Në “Juventus Stadium”, bardhezinjtë mposhtën me rezultatin 3-2, Atalantën në një ndeshje të dominuar për më shumë se 60 minuta nga skuadra e Allegrit, por që në çastet e fundit, bergamaskët për pak sa nuk e çuan ndeshjen në shtesë. Paraqitje e mirë për portierin e kombëtares shqiptare, Etrit Berisha me këtë të fundit që e kishte thjesht të pamundur të evitonte tre golat e Juventusit. Për t’i dhënë avantazhin skuadrës vendase mendoi Paulo Dybala që në 22-tën i asistuar nga Mandzukiç realizoi një supergol duke mos i dhënë asnjë shans Berishës.
Në të 34-tën talenti argjentinas i kthehu reston kroatit Mandzukiç, i cili bëri gjithçka mirë duke realizuar edhe golin e epërsisë së dyfishtë për Juventusin. Kur ndeshja dukej e mbyllur erdhi edhe reagimi i zikaltërve me Konkon që në të 72-tën shkurtoi shifrat. 3 minuta më pas Pjaniç, kthehu në gol një 11-metërsh duke e çuar sërish në dy avantazhin e golave për Juventusin. Por vetëm pak çaste më vonë Atalanta u rikthye në ndeshje me golin e 18-vjeçarit të talentuar nga Bregu i Fildishtë, Emmanuel Latte Lath. Në fund vuajtjet ishin të gjitha për Juventusin, Neto dhe fati ndalën hovin e Atalantës që u eliminua me dinjitet nga raundi i 1/8 të Kupës së Italisë.
Skuadra e Juventusit ka mposhtur 3:2 Atalantën e Etrit Berishës, për të kaluar tutje në çerekfinale të Kupës së Italisë. Golat për Juventusin në këtë ndeshje i shënuan Dybala, Mandzukiç dhe Pjaniç, ndërsa për Atalantan realizuan Konko dhe Latte Lath. Juventus bëhet skuadra e tretë që kalon në çerekfinale, pasi më herët këtë fazë e siguruan Napoli dhe Fiorentina. Në çerekfinale bardhezinjtë do të kenë përballë fituesin e çiftit Milan-Torino.
Në çerekfinale u kualifikua edhe Fiorentina që tashmë do të sfidojë Napolin. Skuadrës vjollcë i mjaftoi një gol në fund nga pika e bardhë e penalltisë i Federico Bernardeschit për të kaluar 1-0 Chievon dhe për të avancuar më tej. Në “Artemio Franchi” të dyja skuadrat e mbyllën ndeshjen me nga një lojtar më pak sepse fillimisht Radovanoviç për veronezët dhe më pas Zarate për Fioren u ndëshkuan me karton të kuq.

Artikulli paraprakPërplasje te Bajern
Artikulli tjetërHyka, zgjedh “ëndrrën” amerikane