Juve nuk di të ndalet

Gardiani i portës së Juventusit, Gianluiggi Buffon, i cili ishte dhe protagonist në fitoren kundër Fiorëntinës, duke pritur një 11-metërsh në minutat e fundit të takimit, është shprehur se fitorja vertetoi se forca e kamionëve është ajo e një grupi të konsoliduar. “11-metareshi më kujton një episod nga sezoni i kaluar kundër Genoas, ku prita një penallti, fituam takimin dhe ishim me një dorë tek titulli kampion. Jam shumë i lumtur që skuadra arriti të fitonte. Treguam se jemi një ekip i fortë dhe se nuk dorezohemi kurrë”, u shpreh Bufon.
Bardhezinjtë janë afër titullit të 5 kampion radhazi dhe për Buffon, ky i këtij viti mund të konsiderohet si një nga triumfet më të veçanta, duke patur parasysh startin e dobët në fillim të kampionatit. “Mund të them, se ky është një nga titujt kampion më të bukur, pasi po të kujtojmë fillimin e kampionatit askush nuk e mendonte një sukses tonin”, tha portieri i Juventusit.
Në fund të intervistës 38-vjeçari foli dhe për objektivat e së ardhmes, ku sigurisht Champions League është një prej tyre. Sipas Buffon, eliminimi nga Bayern Munich do t’i shërbeje si leksion ekipit që sezonin e ardhshëm të bëjë akoma dhe më mirë.
Juventusi fitoi ndaj Fiorentinës me rezultatin 1-2 në transfertë, duke thelluar diferencën e pikëve me ndjekësit e Napolit në +12. Bardhezinjtë kaluan të parët në avantazh me anë të Mario Mandzukiç në minutën e 39′. Bardhezinjtë fituan ndeshjen e 24-ërt në 25 takimet e fundit në Serinë A, duke zgjatur akoma më tej rekordin botëror të fitoreve për numrin e sfidave të luajtura si më sipër. Një 11-metërsh i pritur nga Buffon në minutën e 90-të i lejoi Juventusit të fitonte sfidën, duke patur protagonist jo vetëm portierin, por dhe Mandzukiç e Moratën, me spanjollin që shënoi vetëm 2 minuta pas barazimit të Fiorentinës. Një fitore që mund të shpallë Juventusin kampion këtë të hënë në rast se Napoli nuk fiton me Romën.
Mandzukiç i dha epërsinë bardhezinjve në pjesën e parë, ndërsa Fiorentina iu përgjigj 9 minuta para fundit, duke konkretizuar lojën e mirë që po zhvillonte. Juventus, megjithatë tregoi se di të jetë cinike kur i nevojitet dhe në goditjen e dytë në kuadrat Morata shënoi golin e dytë. Ndeshja mund të kishte patur një tjetër fund, nëse Kalinic do të kishte realizuar nga pika e bardhë, por dhe Buffon donte të merrte merita në këtë sukses dhe u tregua i saktë mes dy shtyllave, me Juventusin që fitoi për të nëntën ndeshje radhazi në kampionat.
Aktualisht, Juventus ndodhet në krye të Serisë A me 85 pikë dhe një hap fals i Napolit nesër ndaj Romës do të bënte që bardhezinjtë të festonin tri javë para titullin kampion. Në ndeshje nuk munguan edhe polemikat. Si Juventusit ashtu edhe Fiorentinës iu anuluan nga një gol në pjesën e parë. Për këto episode, shtypi italian ka ‘kryqëzyar’ arbitrimin e ndeshjes.

Exit mobile version