Juve, rinovim me Alegrin

E ardhmja e Massimiliano Alegrit duket se është rikthyer në shinat bardhezi. Drejtuesit e Juventusit e kanë konfirmuar publikisht, nga Paratici te Marotta, dhe tani një eksperiencë jashtë Italisë duket më e largët për trajnerin e kampionëve të Serisë A. Së shpejti është parashikuar edhe një takim mes palëve për të planifikuar së bashku vitet e ardhshëm. Siç raportojnë mediat italiane, trajneri do të kërkojë garanci, duke nisur nga rinovimi i kontratës deri në vitin 2020, me atë aktualen që skadon në 2018, si edhe blerjen e lojtarëve të nivelit më të lartë për të vijuar ciklin e fitoreve. Emrat që qarkullojnë janë të rëndësishëm, pasi përveç atij të Bernardeschit në axhendën e drejtuesve të Juves ka përfunduar edhe Angel Di Maria.
Argjentinasi është një lojtar i klasit botëror dhe ëndrra e madhe e Juventusit për merkaton e 2017-ës. Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë t’ia rrëmbejnë PSG, por mundësitë ekzistojnë. Disfata sensacionale e pësuar ndaj Barcelonës mund ta shtyjë Di Marian, të pranojë një sfidë të re për të synuar triumfin në Champions League, çka është objektivi primar edhe për Juventusin. Nga Franca te Juve mund të shkojë edhe Tolisso, bardhezinjtë janë vënë në ndjekje të futbollistit të Lionit, për të cilin duhen 40 milionë euro. Pastaj është një objektiv më i vjetër, Bernardeschi, anësori i Fiorentinës është i ri dhe italian, dy kushte të rëndësishme për ndërtimin e Juventusit të ri. Rinovim me Alegrin dhe kampionë të rinj në skuadër, është ky plani i Agnelit.

Artikulli paraprakItalia e frikshme dhe me rekorde
Artikulli tjetërSimeone i shpreh “besnikërinë” Atleticos