Miralem Pjaniç do të jetë përforcimi i parë i rëndësishëm për Juventusin gjatë merkatos së verës. Sipas “Sport Mediasset”, bardhezinjtë kanë rënë dakord me drejtuesit e Romës për të paguar klauzolën e largimit në kontratën e mesfushorit boshnjak, më saktë plot 38 milionë euro, duke u paraprirë lëvizjeve të Barcelonës, Realit të Madridit apo të Paris Saint Germmain. Ky çmim konsiderohet i pranueshëm për kampionët në fuqi të Italisë, që do të bëjnë të tyrin një nga mesfushorët më të vlerësuar të momentit. Pjaniç është prej 5 sezonesh pjesë e Romës, periudhë gjatë së cilës e ka veshur 183 herë në total fanellën verdhekuqe, duke shënuar 30 gola, 27 vetëm në Serinë A.
26-vjeçari që i pëlqen shumë Alegrit, ka qenë truri i lojës së Romës, ndërkohë që Juventusit i ka munguar një lojtar me të tilla karakteristika që pas largimit të Andrea Pirlos. Futbollisti boshnjak konsiderohet përforcimi i duhur për mesfushën bardhezi, që edhe në këto momente është shumë e fortë. Claudio Marchisio pritet të rikthehet në fund të tetorit për shkak të dëmtimit të rëndë që pësoi në gju, por me zbarkimin të Vinovo të Pjaniç, do të ketë kohën e mjaftueshme në dispozicon për të rifituar formën e mëparshme.
Juventusi kërkon të bëjë gjëra të mëdha në të ardhmen e afërt dhe këtë e tha qartë edhe presidenti Andrea Anjeli, në konferencën e së mërkurës, me rastin e rinovimeve të Bufonit dhe Barzaljit. Por për të synuar fronin europian kërkohen edhe investime të mëdha dhe lojtarë cilësorë, prandaj, për të festuar më së miri titullin e pestë radhazi, padroni bardhezi ka vendosur që të mos kursehet, por kërkon t’i shtojë një emër të madh në mesfushë Juventusit, një organizator, lojtarin e shumëkërkuar nga trajneri Masimiliano Alegri prej dy vitesh. Pistat që po ndiqen tashmë njihen nga të gjithë, por risia është se në klubin torinez kanë vendosur që të hapin thesin dhe të paguajnë shifra stratosferike.
Prej më shumë se një jave, Juventusi po shqyrton edhe organizatorin e Realit të Madridit, Hames Rodriguez. Kolumbiani, i cili nuk po shkëlqen në radhët e “galaktikëve” është shndërruar në një objektiv serioz, aq sa pas mediave italiane, tashmë edhe ato spanjolle konfirmojnë kontaktet dhe lejen që ka marrë “Zonja e Vjetër” për të ngritur në këmbë një tratativë serioze. Në këto bisedime përfshihet pagesa e 50 milionë eurove, plus rikthimin gratis të Alvaro Moratës në “Santiago Bernabeu”, për një total prej 80 milionësh, e njëjta shifër që Reali pagoi dy vite më parë, për të siguruar amerikanojugorin.
Por nga Spanja lëshojnë edhe një tjetër bombë të vërtetë. Juventusit i pëlqen aq shumë mesfushori 22-vjeçar portugez i Valencias, Andre Gomes, aq sa për të është gati të bëjë një ofertë të frikshme. Pas refuzimit të ofertës prej 30 milionë eurosh, të bërë tri javë më parë dhe të refuzuar nga iberikasit, drejtori i përgjithshëm bardhezi është rikthyer në sulm me një tjetër ofertë: 30 milionë euro kesh, plus 20 milionë euro të tjera në formë bonusesh për tri vitet e ardhshme, për një total prej 50 milionësh. Dhe, në të tilla shifra, Valencia tundohet jo pak, ndonëse kjo tratativë është vetëm në hapat e saj të parë dhe bisedimet pritet që të bëhen më serioze, pas datës 21 janar, kur Juventusi të mbyllë zyrtarisht këtë sezon, me finalen e Kupës së Italisë kundër Milanit.