Tjetër dëmtim për Giorgio Chiellinin. Për mbrojtësin e skuadrës së Juventusit, sezoni futbollistik i këtij viti nuk ka qenë nga më të mirët, kjo për shkak të demtimeve të shpeshta. Në sfidën kundër Udinezes, 32-vjeçari u zëvendësua në minutën e 11 të takimit. Trajneri Alegri u shpreh se është diçka jo serioze dhe se shumë shpejt do të nisë fazën e rikuperimit. Në takimin e ditës së premte, kundër Milanit, Chiellini nuk do të jetë i gatshëm dhe do të tentohet që në ndeshjen e kthimit në Champions League përballë Portos, të mund të jetë në formën e tij më të mirë fizike.
Situata nuk duket nga më të mirat, pasi nuk dihet ende nëse muri i mbrojtjes bardhezi do të rikuperohet në kohë për sfidën champions. Sidoqoftë tekniku i “Zonjës së Vjetër” nuk duket shumë i shqetësuar, pasi reparti i prapavijës ka shumë alternativa të tjera, që ofrojnë siguri. Barzagli, Bonucci, Benatia apo dhe Ruganni janë emrat që ofrojnë siguri në repartin e tërhequr. Ata e bëjnë teknikun toskan të qëndrojë i qetë dhe e vetmja detyrë është të vlerësojë se cili prej tyre gëzon formën më të mirë. Në dilemë është edhe mesfushori Sturaro, ndërkohë që pritet rikthimi i Lemina.