Paulo Dybala mund t’i shkaktojë Juventusit probleme të tjera lidhur me transferimin e tij, pasi nuk është i bindur nga Tottenham Hotspuri, ashtu siç nuk ishte nga Manchester Unitedi.
Sky Sport Italia kishte raportuar se Zonja e Vjetër e ka pranuar ofertën prej 70 milionë eurosh të Spursave që argjentinasi ta vazhdojë karrierën në Angli.
Megjithatë, klubi nga Liga Premier duhet të arrijë marrëveshje për kushtet personale me La Joya, gjë që po kalon me vështirësi.
Dybala kishte kërkuar 12 milionë euro në sezon plus bonuset te Unitedi dhe 15 milionë euro komision për agjentin e tij.
Duke qenë se kërkesa është e ngjashme edhe te Tottenhami, në këtë rast ai do të bëhej lojtar më i paguar se Harry Kane.
Sipas ekspertit të transferimeve të Gazzetta dello Sport, Nicolo Schira, 25-vjeçari nuk është aspak entuziast për këtë transferim, ndërsa tashmë e ka refuzuar shkëmbimin me Romelu Lukakun te Unitedi.
Ai dëshiron të qëndrojë te Juve dhe nëse largohet, Paris Saint-Germaini mund të jetë opsioni më i mundshëm ose shkëmbimi me Mauro Icardin te Interi.