Juventusi fitoi 1-3 derbin me Torinon dhe e çon në +7 diferencën me Romën dhe Milanin, që e luajtën këtë të hënë ndeshjen e tyre për javën e 16 të Serisë A. Gonzalo Higuain me një dygolësh dhe Miralem Pjaniç në kohën shtesë zhvlerësuan finalizimin e Belottit që në minutën e 16-të. El Pipita përfitoi nga një pasim i saktë i Mandzukiç në minutën e 28-të për golin e 1-1. Kur Torino ishte hedhur në sulm për golin e fitores, argjentinasi shënoi golin e dytë personal, për avantazhin 1-2 të Juventusit. Në kohën shtesë pas një aksioni të gjatë të bardhezinjve Pjaniç mbylli llogaritë për rezultatin përfundimtar 1-3.
Napoli shpërtheu 0-5 në fushën e Cagliarit në një ndeshje pa shumë histori. Në pjesën e parë për të besuarit e Sarrit realizuan Mertens e Hamsik, ndërsa në fraksionin e dytë e gjetën golin Zielinski dhe dy herë të tjera Mertens, që meritoi ta merrte në shtëpi topin e takimit.
Me Etrit Berishën të padisponueshëm për arsye dëmtimi Atalanta u mposht 1-3 në shtëpi nga Udinese. Zapata u dha avantazhin friulanëve në fund të pjesës së parë, ndërsa Kurtic barazoi përkohësisht sapo nisi fraksioni i dytë, pasi Fofana dhe Thereau shënuan dy gola të tjerë për Udinesen.
Ndërkohë përfundoi në barazim pa gola sfida e D’Alaras mes Bolognës dhe Empolit.