“Virusi” vazhdon. Pas rastit “Axel Witsel”, të cilit iu afrua shumë, por nuk e mori dot, Juventusi pritet të ketë një fund të ndryshëm me “telenovelën Emre Can”. Gjermani është në fakt objektivi kryesor për të forcuar mesfushën e bardhezinjve në sezonin 2018-2019, kur, ndoshta, ai mund të marrë vendin e bashkatdhetarit Sami Khedira, që synon ta përfundojë karrierën e tij në SHBA. Emre mund të arrijë te Juventusi si transferim i lirë, pasi kontrata e tij me Liverpool skadon qershorin e ardhshëm. Siç shkruan “Tuttosport”, Juventusi do t’i informojë “Reds” në janar për kontaktet e vendosura tashmë me lojtarin e tyre.
Më shumë se nga Liverpool, megjithatë, bardhezinjtë do të duhet për t’u mbrojtur nga konkurrenca e fortë e Manchester United të Mourinhos, edhe pse Juventusi shpreson të ketë në anën e vet deklaratat e bëra një muaj më parë nga menaxheri i kombëtares së Gjermanisë, Oliver Bierhof, i cili siguroi: “Emre Can, me 80 për qind do të shkojë te Juventusi”. Vendimtare në këtë kuptim mund të jenë bisedimet e mesfushorit me dy shokët e tij në kombëtare, si Howedes dhe Khedira, tashmë të stacionuar në Torino dhe të gatshëm për të sponsorizuar zgjedhjen bardhezi. Marotta pret dhe përgatitet për të bërë një tjetër goditje pa asnjë kosto. Kuptohet, nëse e lejon Manchester United.