Juventusi është gati t’ia ofrojë Paul Pogbas kthimin në Serie A gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi që gazeta sportive me bazë në Torino, Tuttosport, raporton se mesfushori francez e dëshiron largimin nga Manchester Unitedi.
Fituesi i Kupës së Botës ishte përfolur për një largim të mundshëm nga “Old Trafford” gjatë afatit kalimtar të verës, mirëpo transferimi i tij nuk u realizua pasi që Real Madridi dhe Juventusi s’ishin të gatshëm t’i paguajnë 180 milionët e kërkuara për të.
Pasi iu mohua mundësia e largimit gjatë verës, Pogba tani dëshiron ta sigurojë transferimin gjatë afatit kalimtar të janarit dhe Juventusi është i gatshëm të përfitojë nga kjo situatë, sipas Tuttosport.
Trajneri Ole Gunnar Solskjaer nuk dëshiron ta lejojë Pogban të largohet, përveç nëse arrin të gjejë zëvendësues për të, pasi që Manchester Unitedi ka mungesa në repartin e mesfushës.
Francezit i kanë mbetur edhe dy vjet në kontratën e tij me Manchester Unitedin, mirëpo klubi anglez e ka opsionin për t’ia zgjatur atij kontratën edhe për një vit tjetër shtesë.
Pogba raportohet se beson se klubi nuk është duke u përmirësuar dhe mendon se ai po fajësohet për gabimet e të gjithëve në klub.
Solskjaer e kishte lavdëruar francezin për sjelljen e tij gjatë turneut parasezonal në Australi dhe Lindje të Mesme. Fillimisht dukej se kjo e kishte bindur Pogban të qëndrojë në Manchester United.
Mirëpo, tani Pogba – i cili ka munguar në tri ndeshjet paraprake shkaku i një lëndimi, para se të kthehej kundër Rochdale – ka vendosur përfundimisht dhe dëshiron të largohet nga klubi, sipas gazetës italiane.
Pogba i kishte shijuar katër vjet të suksesshëm në Torino me Juventusin, duke e fituar titullin e Serisë A në të gjitha sezonet, si dhe nga dy trofe të Kupës dhe Superkupës së Italisë, para se të kthehej në Manchester United.