Juventusi i bëhet mburojë Ronaldos: Një për të gjithë, të gjithë për një…

Juventusi është shtrënguar rreth Cristiano Ronaldos. Pas dëbimit të diskutueshëm të yllit portugez nga loja (me karton të kuq) ndaj Valencias, në ndeshjen e parë të Ligës së Kampioneve për këtë edicion, e gjithë bota bardhezi ka ngritur një mur të vërtetë në mbrojtje të CR7. Duke filluar nga shokët e skuadrës.
Në këtë kuptim, fotografia e Mandzukic, Chiellini, Bonucci dhe Bernardeschi, e hedhur në rrjetet sociale, të gjithë bashkë duke inkurajuar Cristiano Ronaldon, flet qartë. Një foto, që presidenti Andrea Agnelli e ka hedhur në “Twitter”, të shoqëruar nga motoja e famshme e “Tre Musketierët”: “Një për të gjithë, të gjithë për një”.
Cristiano Ronaldo, në anën tjetër, sipas një raporti në “La Gazzetta dello Sport”, ka vlerësuar padyshim mbështetjen e marrë dhe, pas ndeshjes, pavarësisht nga zemërimi, nuk është “zhdukur” plotësisht, por festoi fitoren me shokët e tij në dhomat e zhveshjes.
Tani, të dyja palët, Juventusi dhe CR7, presin vendimin e UEFA-s, që do ta shqyrtojë rastin më 27 shtator. Ka shumë hipoteza për momentin, por duket se ka të ngjarë që Ronaldo të vuajë pezullimin për një ndeshje, ngaqë mori karton të kuq, jo dënim ekstra disiplinor.

Artikulli paraprakA do të udhëtojë Shaqiri me Liverpool drejt Serbisë
Artikulli tjetërProkurorët rrahin në zyrë kamikazen e Ramës, Donika Prela