U luajtën dy ndeshjet e fundit në Grupin H të Ligës së Kampionëve. Juventusi mposhti me rezultatin 2-0 Dinamon e Zagrebit duke siguruar në këtë mënyrë vendin e parë në grup me 14 pikë. Golat e fitores u shënuan nga Higuain dhe Rugani. Në ndeshjen tjetër Lioni dhe Sevilja u ndanë në barazim 0-0, çka i siguroi spanjollëve vendin e dytë në grup me 11 pikë.
Francezët e Lionit e mbyllën të 3-tët me 8 pikë dhe do të vazhdojnë të luajnë në Ligën e Europës, ndërsa Dinamo e Zagrebit u rendit e 4-ta pa marrë asnjë pikë.
Në Grupin G të Ligës së Kampionëve Porto shpartalloi me rezultatin 5-0 kampionët anglezë të Lestërit duke siguruar kualifikimin për më tej si e dyta e grupit me 11 pikë. Ndërkohë Lestëri e kishte siguruar vendin e parë që në javën e kaluar dhe e mbylli grupin me 13 pikë.
Në ndeshjen tjetër Kopenhagen arriti të fitojë me rezultatin 0-2 në transfertë ndaj Klub Bryzhit, duke e mbyllur grupin në vendin e 3-të me 9 pikë, çka do të thotë se do të vazhdojnë aventurën europiane në Ligën e Europës. Ndërkohë belgët e Bryzhit e mbyllën grupin në vend të fundit pa grumbulluar asnjë pikë.
Ndeshja mes dy kryesuesve të Grupit E, Monako dhe Bajer Leverkusen, ishte thjesht për statistikë, pasi francezët kishin siguruar vendin e parë në grup dhe gjermanët të dytin.
E rëndësishme ishte ndeshja mes Totenhemit dhe CSKA të Moskës që do të përcaktonte kush shkonte në Ligën e Europës dhe ajo nxori fituese skuadrën angleze që do të vazhdojë kësisoj të qëndrojë në Europë, edhe pse në një turne dytësor.