Juventusi hedh sytë nga e ardhmja. Klubi bardhezi ka zyrtarizuar sot blerjen e qendërmbrojtësit Matia Kaldara, i cili po bën një sezon të shkëlqyer me Atalantën. Por 22-vjeçari nuk do t’i bashkohet “Zonjës së Vjetër” as në janar e as në përfundim të sezonit, por do të qëndrojë i huazuar tek Atalanta për një sezon e gjysmë dhe në verën e 2018-ës do të vishet bardhezi.
Sipas komunikatës së Juves, vlera e përgjithshme e operacionit pritet të arrijë në 25 milionë euro. Në arkat e Atalantës do të derdhen 15 milionë të ndara në katër këste, ndërsa 10 të tjera (6+4) do të paguhen në varësi të afateve të kontratës dhe arritjes së objektivave. Marrëveshja e nënshkruar e lidh Kaldarën me Juventusin deri më 30 qershor 2021.
Ndërkohë, në raundin tjetër të Kupës së Italisë, Juventusi do të përballet me Milanin që mposhti Torinon 2-1. Milani, që përgjithësisht e dominoi ndeshjen ndryshoi ritmin në pjesën e dytë dhe nga 61-të deri në të 64-ën shënoi dy herë, duke ndryshuar tërësisht fatin e ndeshjes, i pari që dërgoi topin në rrjetë ishte Kucka. Ndërsa 3 minuta më pas, Bonaventura vuri në shinat e duhura kualifikimin e të tijve me golin e 2-1. Milani mund t’i kishte luajtur në qetësi çastet e fundit, por Lapadula në të 94’ gaboi një gol të sigurt.