Juventusi shkon në 8 pikë plus

Juventusi ka çuar në 8 pikë diferencën nga Roma ndjekëse me fitoren e sotme kundër Peskarës, duke iu afruar edhe më shumë titullit kampion të radhës në Serinë A. Dy golat e Higuain në pjesën e parë të takimit ndaj skuadrës së Memushajt, bënë shumë të thjeshtë suksesin e bardhezinjve të Alegrit që duket se po kalojnë një formë të shkëlqyer në këtë pjesë të fundit të sezonit.
Por jo gjithçka ka shkuar siç duhej për Juventusin, pasi në fillimin e pjesës së dytë, Paulo Dibala është larguar i dëmtuar nga fusha e lojës, duke ngritur dyshime për praninë e tij në takimin e të mërkurës në Ligën e Kampioneve kundër Barcelonës.
Nëse Juventusi ka bërë detyrën, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Romën, e cila është ndalur në barazimin 1-1 nga Atalanta. Te kjo e fundit, u duk e çuditshme lënia në pankinë e Etrit Berishës për t’i bërë vend të riut Golini. Ky i fundit nuk zhgënjeu, duke u treguar vendimtar me disa pritje, për të vënë në dyshim tashmë edhe statusin e titullarit të portierit shqiptar.
Në barazim 2-2 përfundoi ndeshja ndaj Xhenoas e Lacios së Strakoshës, i cili luajti titullar, ashtu si edhe Veseli në fitoren e rëndësishme 2-1 të Empolit ndaj Fiorentinës.
Ndërkohë, Roma nuk mundi të marrë më shumë se një barazim 1-1 edhe pse luante në fushën e saj në ndeshjen ndaj Atalantës. Empoli befasoi Fiorentinën, duke e mposhtur 1-2 në Firence, ndërsa edhe Lazio nuk mundi të fitonte në transfertën e Genoa-s, duke e mbyllur ndeshjen në barazim 2-2.
Ndërsa në “derbin e kinezëve” mes Interit e Milanit nuk pati fitues. Në “San Siro”, sfida përfundoi ashtu sikurse edhe në fazën e parë, me barazimin 2-2 në një ndeshje vërtet të çmendur ku ai që e vulosi rezultatin përfundimtar ishte Zapata në sekondën e fundit të shtesës prej 7 minutash. Edhe pse si asnjëherë më parë derbi u luajt në mesditë, ndeshja ishte me ritëm të lartë dhe me emocione të shumta. Milani e nisi ndeshjen më agresiv se Interi, duke krijuar disa raste për shënim, por për aftësi të Handanoviç dhe si pasojë e gabimeve të lojtarëve kuqezi, porta e Interit nuk u prek në 45 minutat e para.

Artikulli paraprakDerbi i çmendur!
Artikulli tjetërChampions, në Katalunjë kërkojnë “Remuntada”-n