Nënkryetarja e Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Orjola Pampuri, në një intervistë për A2 CNN me gazetarin Erion Dushi, është shprehur se përfaqësuesit e rinj në zgjedhjet e ardhshme, duhet të matën përmes profesionalizmit dhe integritetit duke ofruar shpresë dhe zgjidhje për vendin.
Ajo më tej tha se duhet t’i jepet fund politikanëve që vënë përpara interest e tyre personale mbi ato të qytetarëve, pasi sipas saj janë atë që e mbajnë të bllokuar zhvillimin e Shqipërisë dhe kanë penguar drejtësinë për 34 vite.
Pampuri shprehu mbështetje të plotë për SPAK-un, duke e cilësuar si një mundësi të vetme për të ndaluar pandëshkueshmërinë. Sipas saj, Demokratët Euroatlantikë janë oferta më e mirë pasi një ekip përfaqësues, kandidatë të cilët janë të pastër, me integritet dhe që nuk kanë lidhje me figurat e vjetra që kanë abuzuar me pushtetin.
“Me këtë kut maten politikanët e rinj sot. Me këtë kut maten ata të cilët janë profesionistë të mirë, njerëz me integritet, të cilët duan të japin diçka, duan të japin më të mirën në këtë vend. Në fund fare të kthejnë shpresën në këtë vend. Oto ishte thjesht një burokrat, pra nuk ishte i keq, ishte thjesht një burokrat i cili kishte zbatuar urdhrat por duke lënë mënjanë normat e moralit. Dhe këtë kanë bërë sot shumë politikanë të cilët panë interesat personal për karriget e tyre të deputetit. Dhe në fakt unë po e them ndoshta pa i përzgjedhur fjalët, po marrin në qafë këtë vend, po marrin në qafë këta qytetarë, po marrin në qafë shqiptarët vetëm për interesat e tyre personal. Sepse nuk është vetëm një individ i cili nuk po tërhiqet për interesat e veta personale, por faji kryesor do të bjerë një ditë dhe historia do të gjykojë ata të cilët e mbështetën në këtë rrugëtim të gabuar, vetëm dhe vetëm për një karrige e cila zgjidh vetëm problemet e tyre dhe hallet e tyre ndoshta. Ose zgjidh çështjet e tyre ekonomike dhe financiare me të cilat kanë menduar t’i zgjidhin duke shfrytëzuar popullin i cili pret zgjidhje nga politikanët, por në fakt prej 34 vitesh janë pikërisht këta politikanë të cilët po i mbajnë peng, janë këta politikanë që e kanë lënë vendin në një tranzicion nga i cili nuk po dimë më si të dalim. Ndaj themi SPAK-u, SPAK-u, dhe SPAK-u është i vetmi institucion që ka mbështetjen e 80% të shqiptarëve dhe pse jo 100% të shqiptarëve. Sepse është i vetmi institucion ku shqiptarët shohin një fije shprese dhe thonë më në fund do t’i vij fundi pandëshkueshmërisë. Më në fund do të ndahet politika nga ndërhyrja tek drejtësia. Nga ajo që të dyja palët,të gjithë bashkë ata autorët e tranzicionit 34 vjeçarë kanë futur duart aq thellë në drejtësinë shqiptare sa kanë sa kanë arritur të emërojnë, të kenë njerëzit e tyre në drejtësi dhe kur vjen puna për ndëshkime të rëndësishme, janë ata të cilët ndajnë thelat njëri më shumë e tjetri më pak sipas nevojës dhe hallit që kanë. Mjaftë më me këtë lloj politike, ka ardhur momenti që ky ekip që zoti Basha prezantoi, është një ekip përfaqësues, është grupi i parë i kandidatëve për deputetë, kandidatë të cilët janë të pastër, me integritet. Dhe jo nga ata kandidatë të cilët unë jam përballur, jo kandidatë, por dhe thjesht na kanë shoqëruar në fushatë ku unë kam qenë në 2017-ën për herë të parë kandidate, kur unë dilja si një profesioniste e mirë e përfshirë tashmë në politikë dhe më thonin “me atë do dalësh, po ai ka qenë drejtor, ajo ka qenë drejtoreshë dhe ka abuzuar me paratë tona”. Mjaftë më me këto figura. Nuk janë këto figura të cilët përfaqësojnë sot e tutje politikën shqiptare dhe nuk mund të jenë më sepse njerëzit nuk i duan” – u shpreh Pampuri.