“Ka dy muaj që Ibrahimi po më provokon për t’u arratisur”/ Historia e trishtë e kohës së diktaturës: Nuk mund t’i besosh as njeriut më të afërt. Ndaj dyshoj se…

Nga Reshat KRIPA/ Arbëri qëndronte në qoshkun e tij në sallë, duke pritur mbërritjen e avionit që do ta çonte në një botë tjetër dhe meditonte. Meditonte dhe ëndërronte rrugën plot hithra e ferra, nëpër të cilën kishte kaluar jeta e tij. I kujtoheshin brengat që e kishin shoqëruar vite me radhë. Kishte shumë pasione. Donte të bëhej jurist, gazetar, mjek, inxhinier, artist, shkrimtar apo çfarëdo tjetër gjë, që të mundësohej. Por fati e kishte dënuar që të mos arrinte asnjë, nga majat e ëndërruara. Zhgënjimin e haste në çdo hap të jetës.

Arbëri dhe Blerina e kishin bërë zakon që çdo pasdite, pasi mbaronte orari i punës takoheshin dhe dilnin shëtitje ose uleshin diku dhe bisedonin për ëndrrat e tyre. Por atë pasdite Arbërin e kishte mbërthyer një ngërç i madh. Bisedat e zhvilluara me Ibrahimin dhe sidomos kur mori vesh se vëllai tij ishte liruar, ia shtuan më tepër dyshimin që ai kishte për shokun.

Megjithatë diti të ruajë të njëjtat marrëdhënie me të, duke i lënë të kuptojë, se shoqëria e tyre vazhdonte të ishte njësoj si më parë. Në të vërtetë nuk ishte fare i qetë. Para syve i dilte Resuli dhe fjalët që u kishte thënë kur u takuan para shtëpisë. Të dyja këto i lidhte së bashku. Atë pasdite kishte vendosur t’i tregonte së fejuarës gjithçka.

– “Blerina, – i tha, – dua të të them diçka që më ka shqetësuar shumë kohët e fundit”.

– “Çfarë është ajo”?

– “Ka më tepër se dy muaj, që Ibrahimi më provokon, duke më kërkuar të fillojmë një aktivitet kundër pushtetit”.

– Mos është marrosur”?!

– “Nuk e di, por unë kam edhe një dyshim tjetër”.

– “Çfarë dyshimi”?!

– “Megjithëse unë ia kam prerë që në fillim, ai nuk tërhiqet po vazhdon. Ajo që më habit më tepër, është se edhe vëllai tij, ka disa ditë që është liruar nga burgu, pa mbushur ende gjysmën e dënimit”!

– “E pastaj”?

– “Sot jetojmë në një kohë të vështirë. Nuk mund t’i besosh, as njeriut më të afërt. Ndaj dyshoj se mos edhe Ibrahimi, është përfshirë në këtë lojë të ndyrë. Këtë dyshim ma përforcoi më tepër, lirimi i të vëllait”.

Blerina nuk foli. Për disa çaste qëndruan në heshtje. Të dy ishin fundosur në botën e tyre të hamendjeve.

– “Nuk di si të përgjigjem, – foli më në fund ajo. – Më duket e pabesueshme, për shoqërinë që keni”.

– “Historia e këtyre viteve ka treguar që, për ndonjë përfitim personal, edhe vëllai është hedhur kundër vëllait dhe jo më shoku kundër shokut”.

– “Për deri sa nuk kemi ndonjë shenjë të kësaj natyre, le të mos nisemi me hamendje. Sidoqoftë ti, duhet të ruhesh, në mënyrë që ai të mos kuptojë se ke dyshuar. Le të presim”.

– “Blerina, me ty dua të flas hapur. Kam një parandjenjë të keqe. A të kujtohet se çfarë tha Resuli, kur u takuam para shtëpisë: ‘Më vonë do t’ia dëgjoni avazin’. Mua më duket se ky është avazi që përmendi ai. Të dyja ngjarjet, janë të lidhura ndërmjet tyre. Kanë të njëjtën komandë”.

– “A thua”?

– “Po. Viktima e kësaj, do të jem unë, ndaj dua të të them se në rast se tërmeti bie mbi mua, ti nuk duhet të vuash pasojat e tij”.

– “Ai tërmet, në rast se bie, do të na përfshijë të dyve. Ne jemi të lidhur përjetësisht”.

– “Në asnjë mënyrë. Ti ke të drejtën tënde, të jetosh normalisht dhe kështu duhet të veprosh. Lejen time e ke”.

Atë mbrëmje nënë Afërdita, kishte përgatitur një tavë kosi me mish qengji, që kishte mundur të blinte në treg. Ajo ishte gjella e preferuar e Arbërit. Ishte ulur në një poltronë dhe po priste të birin. Orët kalonin dhe ai nuk po dukej. Zakonisht shëtitjet me Blerinën, vazhdonin deri rreth orës nëntë, ndërsa tani ajo po shkonte dhjetë dhe djali nuk po dukej.

– “Ku je more bir, – pyeste nëna, –  a nuk e di  merakun tim”?!

Një mendje i thoshte se mund të kishte takuar shokët. Orët kalonin dhe ai nuk po dukej. Iu kujtua Ibrahimi.

– “Të vete të shoh, se mos është me të”?

Shtëpitë e tyre ishin fare pranë, jo më shumë se njëqind metra larg. U nis. Derën ia hapi vetë ai.

– “Nuk është Arbëri me ty”?! – e pyeti.

Ibrahimi u drodh. Kuptoi se ai ishte bërë viktimë e deklaratës së tij. Nuk e priste se kjo do të ndodhte kaq shpejt.

– “Ai u takua me disa shokë të shkollës dhe shkuan të pinë ndonjë gotë. Me siguri atje duhet të jetë”, – i tha nënës me një zë që mezi i dilte.

Ora e qytetit tingëlloi njëmbëdhjetë herë. Nëna u kthye në shtëpi. U ul pranë dritares dhe vështronte rrugën, nga do vinte i biri. Shqetësimi i saj, kishte arritur në kulmin.

– “Ku je bir”? – pëshpëriste vazhdimisht dhe lëvizte nga një anë e dhomës në tjetrën.

Afrohej në dritare, e hapte dhe shikonte përjashta.

“Mos e ka mashtruar ndonjë nga ato zuskat e rrugëve dhe e ka tërhequr”? – mendonte. “Jo, jo nuk kam ashtu djali unë. Ai e ka  lidhur tashmë fatin e tij”, – i kthente vetes përgjigjen.

Kthehej përsëri në dhomë. Kapte flokët dhe i shkulte me forcë. Por nuk ndiente dhimbje. Dhimbjen e kishte në zemër. Filloi të humbiste memorien. Sytë iu çakërdisën. Qëndroi disa minuta si e ngrirë dhe pastaj u shemb përdhe.

Ndërkaq dielli sapo kishte lindur. Një rreze e tij hyri nëpërmjet dritares në dhomë dhe drejt e në sytë e nënës. U përmend. Dëgjoi një trokitje në portë.

– “Djali”! – thirri dhe u ngrit menjëherë dhe rendi drejt saj. E hapi.

– “Nënë, çfarë keni”! – e pyeti Blerina kur e pa në atë gjendje.

– “Ku është djali”?

– “Nuk është brenda Arbëri”?

– “Jo”.

– “Paska dalë shpejt sot”?!

– “Jo, bijë, – nëna e mblodhi veten. – Djali nuk ka ardhur fare sonte”.

– “Si? Nuk ka ardhur fare”!?

– “Jo”.

Blerina shtangu. Para syve i doli biseda që kishte bërë një ditë më parë ,dhe fjalët e fundit të tij. Por duke parë gjendjen e nënës e mblodhi veten dhe i tha:

– “Eja të vemi brenda”!

Hynë në dhomë. Blerina e uli nënën në divan.

– “Shtrihu që të qetësohesh, – i tha – Me siguri ai diku këtu rrotull duhet të jetë”.

U ngrit mori një gotë ujë dhe ia dha.

– “Pije se të qetëson”.

Nëna e piu.

– “Gjema djalin, bijë”!

– “Mirë, po jepma fjalën se do të rrish e qetë”.

– “Mirë”.

– “Atëherë unë po dal ta gjej”.

U largua pa e ditur edhe ajo, se ku të shkonte. Lajmëroi se do të mungonte atë ditë në shkollë dhe shkoi të takonte Petritin. Ai u trondit së tepërmi.

– “Ku mund të ketë shkuar”?

– “Nuk e di”.

I tregoi për dyshimin që i kishte shprehur Arbëri.

– “Mos e kanë arrestuar”?! – tha.

– “Ndoshta”.

– “Apo mos ka marrë rrugën për t’u arratisur, për t’i shpëtuar burgut”? – pyeti pa e ditur edhe ai përse.

– “Arbëri nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë në një kohë, kur ne sapo jemi fejuar dhe po përgatitemi për martesën. Ai nuk do ta linte kurrë nënën e tij vetëm. Do pranonte më mirë burgun, se sa braktisjen e familjes”.

Ndërkaq nëna vazhdonte të qëndronte në pritje të kthimit të Blerinës. I dukej sikur nga çasti në çast, ata do të hynin në dhomë si dhe herë të tjera, të dy së bashku. Papritmas një trokëllimë e fortë në portë u dëgjua. Dukej sikur do ta shkulnin nga vendi.

– “Ç’keni more, mos u çmendët”?! – thirri duke hapur portën, por shtangu në vend.

Para saj qëndronte një civil dhe dy ushtarakë.

Civilin e njohu. Ishte operativi i Sigurimit të ndërmarrjes ku punonte.

– “Çfarë doni”? – pyeti, por kësaj here me një zë më të qetë.

Operativi e shtyu me forcë dhe hynë brenda. Pa i folur fare, filluan të bastisin gjithçka. Nuk lanë dollap, raft apo sirtar pa kontrolluar. Kontrolluan edhe nëpër rrobat e Arbërit. Nuk gjetën asgjë.

– “Tët bir e kemi arrestuar, si armik i popullit”, – i tha operativi kur po largoheshin.

– “Nuk u ngopët me tim shoq, por më rrëmbyet edhe të vetmin”? – u thirri ajo nga prapa.

Operativi ktheu kryet e vështroi sikur do ta përpinte. Nëna e përballoi, pa iu dridhur asnjë muskul. Kështu kishte qëndruar edhe kur kishin arrestuar Sokolin.

Ndërkohë po ktheheshin Blerina me Petritin. Ata e dëgjuan bisedën e fundit të nënës me ta dhe nxituan që të futeshin brenda.

– “Nënë, çfarë ndodhi”? – pyetën njëzëri.

– “Ejani brenda – u tha, – Arbërin e kanë arrestuar”.

Askush nuk foli. Nuk kishin më fjalë.

Një vend të veçantë në jetën e Arbërit të atyre viteve të vuajtjes së dënimit në burg, zuri figura e Xhavitit, mitraljerit trim të forcave nacionaliste, në krahinën e tij. Ai u bë si një vëlla i dytë për të. E donte aq shumë, sa ishte i gatshëm të sakrifikonte çdo gjë për ta ndihmuar. Hanin bukë bashkë dhe kishin shtretërit ngjitur

Kishte shpirt dhe zemër të madhe. Tregonin se në betejën që zhvillonte çeta nacionaliste me fashistët, ai qëllonte flamurin italian, që valëvitej përballë tij. Kur shokët e pyesnin përse nuk qëllonte mbi ushtarët, por mbi flamurin, ai përgjigjej

– “Dua të thyej krenarinë e tyre”.

Vazhdonte të qëllonte deri sa flamuri u rrëzua dhe bashkë me të u thyen edhe italianët.

Pas lufte nuk u dorëzua, por qëndroi për më shumë se një vit në male, duke luftuar për lirinë e dhunuar. E tradhtoi një njeri i fisit të tij, ku kishte shkuar për një kafshatë bukë. Në kohën që po lante kokën dhe e kishte atë të mbuluar nga shkuma ia behën Forcat e Mbrojtjes së Popullit, që e arrestuan. Një vit qëndroi në qelitë e Sigurimit. Por kokën nuk e uli.

– “Mbani kokat lart”! – u thërriste shokëve nga qelia.

Gjykata e dënoi me vdekje, që më vonë iu kthye në burgim të përjetshëm.

Fundi i dhjetorit. Ishte cingërimë, binte një borë e ftohtë dhe e shkrirë. Po ktheheshin të rraskapitur nga puna e lodhshme. Ishin lagur deri në palcë. Arbërin e kishin filluar disa të  dridhura. Sa hyri në kamp, u shtri në shtrat.

– “Çohu të shkojmë te doktori”, – i tha Xhaviti

I mbajtur në supet e Xhavitit, mbërritën në infermieri. Sa e pa doktor Istrefi, e shtroi. I vendosi termometrin. Tregonte 40 gradë celsius. Arbërit nuk do t’i hiqej kurrë nga mendja ajo natë, kur jeta e tij luftonte dhëmbë për dhëmbë me vdekjen. Në atë luftë, protagonisti kryesor ishte doktori. Gjithë natën i qëndroi mbi kokë, duke i ndërruar pecet me ujë të ftohtë, që ia vendoste mbi ballë, të vetmet mjete që kishte në dispozicion, përveç ndonjë aspirine, apo bari tjetër të këtij lloji. Në kllapinë e tij, ai dëgjonte fjalët e doktorit që i pëshpëriste. I fliste për familjen dhe shokët e tij dhe Arbërit i dukej sikur ata i kishte pranë. Më në fund këmbëngulja e mjekut, triumfoi mbi vdekjen. Afër mëngjesit, temperatura filloi të zbresë.

Nuk ishte përmirësuar ende, kur e njoftuan se do të transferohej në një kamp tjetër. Doktori kërkoi me forcë ta mbante, por daullja binte në vesh të shurdhër. Ndarja me doktorin, e bënte Arbërin ta ndjente veten të braktisur në mëshirë të fatit. I dukej sikur kishte humbur mbështetjen. Ia shprehu këtë ndjenjë. Ai filloi t’i fliste, se edhe në kampin tjetër, do të gjente plot burra të tjerë, ku mund të mbështetej.

– “Jam i ri” – i tha doktorit.

Nuk e la të vazhdonte. U ngrit në këmbë dhe me një frëngjishte të pastër, i deklamoi vargjet e Sidit, nga tragjedia e Kornejit:

“Je suis jeune, il est vraie,

Mais aux åmes bien nais,

La valeur n’attend point,

Le nombres des annèes”.

(Unë jam i ri, por në shpirtrat e mëdhenj, vlefta nuk pret vitet).

Vargjet vepruan si magji, në zemrën e tij. Një ndjenjë besimi në vetvete, ia mbushi zemrën. Ndjenja e mëparshme e thyerjes shpirtërore, ishte zhdukur.

Të nesërmen u bë nisja për në një kamp, në Jug të Shqipërisë. Atë ditë moti bëri shumë i keq. Që me mëngjes filloi një shi i rrëmbyer. Gjëmonte dhe vetëtinte sikur do të përmbysej gjithçka. Si u qetësua pak, i hipën nëpër makina dhe u nisën. Dengjet i ngarkuan në një makinë tjetër. Kaluan qytete dhe ura. Së fundi u ndalën. I zbritën dhe i urdhëruan, që secili të merrte dengun e tij në krah. Më tutje nuk kishte rrugë për makinat, kështu që duhej ta bënin në këmbë.

Kampi, drejt të cilit po shkonin, ndodhej në majë të një kodre të lartë. Shiu vazhdonte të binte, ndonëse jo me intensitetin e mëparshëm. Policët që i shoqëronin, kishin veshur pelerina të mëdha dhe çizme, kështu që nuk lageshin. Të burgosurit ishin bërë ujë. Megjithatë, ishin të detyruar të ecnin nëpër një rrugë gjithë baltë, me dengun në krah, ku shpesh herë rrëshqisnin dhe duhej të ngriheshin menjëherë, sepse përndryshe të vinte roja me një kamxhik në dorë dhe të qëllonte ku të mundte, duke thënë:

– “Çohu se pengove shokët”!

Autokolona e skllevërve vazhdonte rrugën. Pas gati dy orësh,   mbërritën në kamp. U futën si mundën nëpër kapanone. Arbëri hapi dengun e plaçkave. Kishin shpëtuar pa u lagur një palë ndërresa, që ishin në mes të tij, si dhe një batanije. U gëzua pa masë. U ndërrua shpejt e shpejt dhe u mbështoll me batanijen. Atë natë e kaluan ashtu të mbështjellë, mbi dërrasat e shtretërve të kapanonit, duke u dridhur nga të ftohtit.

Në kamp kryheshin punime për tharjen e një kënete. Për këtë duhej hapur një kanal i gjatë, rreth gjashtë kilometra. Kilometri i parë i tij, për shkak të relievit malor, duhej të gërmohej deri në tridhjetë metra thellësi, ku vendoseshin tuba të mëdhenj betoni, për të kaluar uji. Deri në dhjetë metrat e para të thellësisë, gërmimi bëhej me krah dhe transportohej dheu me karro dore, nëpër një rrugë në formë zigzage. Pastaj nxjerrja e tij bëhej me vinça dhe transportohej me karro dore.

Puna ishte e vështirë dhe me pasoja të rënda. Aksidentet ishin të shumta. Porsa kishte mbaruar platforma e vinçit prej trarësh dhe dërrasash. Vinçier ishte një djalë i ri. E quanin Qemal. Arbëri rrinte shpesh me të dhe bisedonin. Ishte një djalë i qeshur dhe me humor. Pas katër muajsh, do të lirohej. Montoi vinçin, i vuri kondrapeshat dhe filloi ta rrotullojë, për ta provuar. Kur ato arritën nga ana e jashtme e platformës, dy dërrasa, që ishin harruar pa mbërthyer u ngritën nga pesha e vinçit.

Qemali fluturoi dhe ra në kanal nga një lartësi më shumë se dhjetë metra. Menjëherë pas tij ra edhe vinxhi, i cili e fundosi rreth një metër në tokë.  Vdekja ishte e llahtarëshme. Ajo kishte ngrirë buzëqeshjen e tij. Shokët, midis tyre edhe Arbëri, zbritën poshtë, çmontuan vinçin dhe nxorën trupin e sakatosur. Në pasdite e varrosën në vendin e caktuar për të vdekurit, disa hapa jashtë rrethimit, në anën e sipërme të kampit. Askush nuk dha llogari për këtë aksident.

Punonin në gërmim në fund të kanalit. Thellësia kishte arritur mbi njëzet metra. Zakonisht në mes të tij linin një bllok dheu, me dimensione 80 X 40 cm., pa gërmuar, për të llogaritur volumin e dheut. Llogaritjet bëheshin çdo mbrëmje. Ishe i detyruar të realizoje normën, përndryshe, mbeteshe pa racionin e bukës dhe çajit të darkës. Këto blloqe dheu të burgosurit i quanin piramida. Lartësia e saj, kishte arritur gati dy metra.

Skënderi, biri i një personaliteti të njohur në Shqipërinë e Veriut, punonte në fund të kanalit. U ul pranë një piramide të tillë dhe ndezi një cigare. Por lodhja dhe dobësia, bënë që t’i shpëtonte cigarja nga duart dhe ta zinte gjumi. U mbështet pas piramidës. Roja që kontrollonte të burgosurit, po afrohej. Arbëri, që punonte me të, e pa dhe thirri:

– “Skënder, çohu se po vjen roja”.

Në tentativë për t’u ngritur, i përgjumshëm siç ishte, nga nxitimi u mbështet më me forcë. Piramida u rrëzua. Një klithmë e tmerrshme u dëgjua. Dheu kishte rënë mbi të. Arbëri me shokët e tjerë u munduan ta ngrinin, por ai nuk lëvizte dot. Kishte dhimbje të mëdha në shpinë. Kishte mbetur i kërrusur. Shokët e morën me vështirësi dhe e vendosën në një tezgë që sajuan aty për aty. E transportuan në infermierinë e kampit.

Doktor Istrefi, që kishte vetëm disa ditë që kishte ardhur edhe ai në kamp, e vizitoi dhe konstatoi se mund të kishte thyer shtyllën kurrizore. I gjori Skënder, nga mesi e poshtë, ishte i paralizuar. Në mes të dhimbjeve, pyeste doktorin:

– “Doktor, a do të mund të shpëtoj, për me pa edhe nji herë nanën?

Të ëmën bashkë me pjesëtarët e tjerë të familjes, i kishte të internuar në një fshat të Shqipërisë së Jugut. Doktori e dinte se për të nuk kishte më shpresë. Megjithatë i jepte vazhdimisht kurajo:

– “Sa të kalojnë disa ditë dhe do të bëhesh më mirë. Do të shkosh në spital dhe do të shërohesh”. Por komanda e kampit as që kishte menduar ta çonte në spital.  Rrojti edhe disa ditë dhe mbylli sytë. Edhe ai u varros në vendin e caktuar.

Ndërkohë vitet kalonin. Kishte më shumë se dymbëdhjetë vjet që Arbëri kalonte sa në njërin kamp në tjetrin. Kudo e njëjta gjendje. Kudo i njëjti trajtim, ndaj të burgosurve. Por edhe jashtë, gjendja nuk ishte më e mirë. Një krizë e thellë ekonomike, kishte pushtuar vendin. Ishte rikthyer sistemi i triskëtimit, që tani quhesh sistemi i tollonave.

Megjithatë propaganda shtetërore mundohej të mbante gjallë entuziazmin e popullit. Gazetat dhe televizioni për çdo ditë, flisnin për sukseset e pakrahasueshme që kishte arritur vendi. Një indoktrinim i paparë sundonte pothuajse në pjesën më të madhe të popullsisë. Trumbetohej me të madhe, “Njeriu i ri socialist”, që kishte ndërtuar sistemi. Si rrjedhojë kjo kishte sjellë që një pjesë e tyre, të kthehej në manekinë që vepronin vetëm sipas shkopit të dirigjentit, që ndodhej në krye të vendit. Memorie.al

Artikulli paraprakNën hetim për inceneratorin e Tiranës, GJKKO revokon masën e arrestit shtëpiak për ish-drejtoreshën e Ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma
Artikulli tjetërTjetër operacion “Sky ECC” në Greqi, 15 të arrestuar për vrasje e trafik droge