Pas Grezdës dhe Da Silvës, edhe një tjetër lojtar i rëndësishëm mund të largohet nga Partizani në merkaton e janarit. Bëhet fjalë për zëvendëskapitenin Valentino Murataj.
Mesfushorit i skadon kontrata në fund të sezonit dhe nga janari mund të firmosë një parakontratë me cilin klub të dëshirojë. Megjithatë, përtej kësaj, “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se 27-vjeçari mund të largohet që në janar në rast se arrin të gjejë një marrëveshje me klubin e kuq.
Murataj, thuajse në çdo merkato, ka pasur oferta nga klube të ndryshme jashtë vendit për t’u transferuar, por kontrata me Partizanin ka qenë gjithnjë pengesë.
Aktualisht, në drejtim të lojtarit mësohet se kanë ardhur dy oferta konkrete, një nga Tuzlaspori në Turqi dhe një tjetër nga një klub azer, emri i të cilit nuk bëhet me dije për momentin.
Murataj prej tri vitesh është një ndër lojtarët kryesorë të skuadrës, por në ndeshjet e fundit e kemi parë të spostohet në mbrojtje apo të jetë jashtë 11-shes. Nuk përjashtohet mundësia që çështja kontraktuale të ketë ndikuar në këto vendime, pasi lojtari aktualisht preferon të bëjë një kalim më fitimprurës dhe më cilësor.