Ka gola dhe ide, por Milanit i mungon loja. Kuqezinjtë nuk bindin akoma

Nëse ka një gjë që kemi mësuar për Serxho Konseisaon në këto javët e para, është se atij nuk i pëlqen të flasë shumë, por kur e bën, nuk fshihet kurrë dhe e pranon me qetësi se Milani i tij ka ende shumë probleme për të zgjidhur.

Fitorja me përmbysje ndaj Komos do ta ndihmojë në këtë aspekt, sepse gjetja e korrigjimeve të duhura pas një suksesi është më e mirë se pas një disfate, por nuk ka dyshim që kjo skuadër është shumë larg asaj që ka në kokë ish-trajneri i Portos.

ASPEKTE POZITIVE – Përveç rezultatit dhe karakterit (fitorja e tretë me përmbysje nga katër sfida), ka pak gjëra pozitive e ndër to është pa dyshim performanca e Rafael Leaos. Nuk është rastësi që nga dy shpërthime të portugezit, krahas golave u lindën edhe dy aksionet më të rrezikshme: në pjesën e parë, fillimisht Reijnders dhe më pas Morata nuk arritën t’i shfrytëzonin, ndërsa në fillimin e pjesës së dytë ishte Himenez i cili shpërdoroi gjithçka kur u gjend një kundër një me portierin rival Butez.

Goli 2-1 është, përkundrazi, një përzierje e teknikës dhe shpejtësisë, një numër që e kemi parë shumë herë në të kaluarën nga numri 10 i “Djallit”. Shenja rikuperimi edhe nga Abrahami, i cili kundër Juves do të drejtojë sulmin kuqezi që do të jetë ndoshta edhe pa Pulisiçin duke qenë se Morata nuk do të luajë për shkak skualifikimi. Pozitive është edhe hyrja e Gabias, që është kandidat për fanellë titullari në vend të të dëmtuarit Çau.

NEVOJAT – Pikat e dobta, megjithatë, janë të ndryshme, duke filluar nga loja e shprehur. Konseisao është ende në kërkim të soliditetit, sepse skuadra vuan kur sulmohet dhe i lejon kundërshtarët të dalin shumë lehtë. Pastaj ende nuk shohim presionin e lartë, i cili do të mundësonte një ekip që ndoshta vrapon më pak, por e bën në mënyrën më efikase. Benaser dhe Fofana i shkelën territoret njëri-tjetrit dhe francezi sigurisht që performon më mirë me Musahun në krah, siç u dëshmua në pjesën e dytë. Teo po rritet në sulm, por në mbrojtje ka ende disa amnezi (shih golin e Diaos të cilit i la shumë hapësirë). Gjithsesi, renditja po bëhet më interesante, zona e Champions është në 5 pikë (potencialisht 2 në rast të fitores në ndeshjen rikuperuese ndaj Bolonjës), por duhet një hov në cilësi dhe vazhdimësi e rezultateve.

Artikulli paraprak“Ursula von der Leyen, një zë i fortë i Europës në botë”/ DW: E mban të bashkuar kontinetin në kohë të vështira
Artikulli tjetërPas Sazanit për familjen Trump, edhe Kalaja e Lëkurësit/ Rama i jep investitorëve strategjikë zonën arkeologjike