Ka një mori ofertash, por Hasi pret Shqipërinë

Besnik Hasi është në fazën vendimtare të sezonit me Anderlecht-in, ku mbetet në garë me Club Brugge për titullin në Belgjikë. Megjithatë, e ardhmja e trajnerit duket larg klubit “Mbretëror”.
Me punën e shkëlqyer dhe eksperiencën e marrë me klubin më të njohur të Pro League-s, 44-vjeçari i lindur në Gjakovë ka tërhequr vëmendjen e klubeve nga kampionatet më të rëndësishme të Europës, por edhe të Kombëtares shqiptare, ku cilësohet favorit për stolin në rast të largimit të Gianni De Biasit.
Ky është përfundimi i mediave belge, sipas të cilave probabiliteti që Besnik Hasi të mbetet te Anderlecht-i edhe për sezonin e ardhshëm është tejet i ulët. Largimi duket i paevitueshëm edhe në rast të fitimit të titullit të dytë kampion si trajner. Këto janë zërat që qarkullojnë në korridoret e klubit belg, ku theksohet se nëse De Biasi do të bëhej realisht pasardhës i Conte-s te Italia, në krye të stolit të Shqipërisë mund të emërohej Besnik Hasi.
Ish-kapiteni kuqezi ishte kandidat potencial për këtë detyrë edhe afro 5 vjet më parë, por zgjodhi të qëndronte te Anderlecht-i, ndërsa Kombëtarja iu besua italianit që e udhëhoqi drejt Euro 2016.
Besnik Hasin është edhe në vëzhgimin e Ingolstad-it në Bundesligë, edhe pse interesi i shfaqur nga gjermanët ishte më pak specifik se ai i Trabzonspor. Madje, presidenti i klubit turk, Muharrem Usta është gati të udhëtojë drejt Belgjikës për të biseduar me gjakovarin, ndërsa një kandidat tjetër është edhe Felix Magath. Një tjetër klub në garë për Benik Hasin është edhe Nantes në Ligue 1, edhe pse skuadra aktuale e Lorik Canës dhe Ermir Lenjanit duket se ka shanset më të vogla.

Exit mobile version