Ka vetëm një çështje në fletën e votimit, SPAK dhe GJKKO

Nga Fitim Zekthi

Si gjithnjë kur vijnë zgjidhjet thuhet se ato janë “historike”. Në të vërtetë shumica e zgjedhjeve janë të zakonshme, nuk përbëjnë ndonjë ngjarje shumë të rrallë ose rezultati i tyre nuk sjell ndonjë ndryshim të madh apo radikal pavarësisht se gjithmonë cilësohen si “historike”.

Sigursht që ka zgjedhje historike siç janë ato të vitt 1991, atë të vitit 1992, në Shqipëri, ato të vitit 1949 në Gjermani, ato të vitit 1945 në Francë, ato të vitit 1974 në Greqi pas juntës ushtarake etj. Në zgjedhje të tilla është në lojë e gjithë ardhmja e vendit ose zgjedhje të tilla kanë një ndikim në historinë politike të mëpasme të vendit.

Ka edhe zgjedhje të tjera të një rëndësie ose historike të cilat ndonëse nuk vijnë pas lufte ose ndonjë rënie diktature ato përsëri janë shumë të rëndësishme siç ishin zgjedhjet e kaluara në SHBA, zgjedhjet e shkurtit të këtij viti në Gjermani. Zgjedhje të tilla kanë rëndësi shumë të madhe sepse mbahen në një kohë ekuilibrash politikë të brendshëm shumë të ndërlikuar, në një kohë kur sistemi politik duhet të gjejë zgjidhje, qoftë edhe duke rënë ose ndryshuar fuqimisht, për sfida shumë të rëndësishme, duhet të gati ekzistenciale.

Zgjedhjet e këtij viti në Shqipëri janë gjithashshtu të kësaj llojrëndësie. Këto zgjedhje mbahen në kulmin e një ngopjeje të sistemit tonë politik, njëkohësisht edhe në kulmin e konsolidimit të një autoritarizmi elektoral.

Shqipëria është një nga vendet e vetme në Europën Lindore, vende që dolën nga komunizmi në fillim-vitet 1990, e cila drejtohet prej gati 35 vitesh nga dy parti të mëdha të cilat alternohen në pushtet me njëra-tjetrën. Natyra dy-partiake e sistemit tonë politik është e veçantë dhe nuk gjendet askund tjetër në Europën Lindore me konture kaq të qarta.

Qëndrimi në kontroll të sistemit politik i dy partive për një kohë kaq të gjatë dhe qëndrimi në drejtim të sistemit dhe të partive i dy individëve me grupet e tyre politike për mbi 30 vjet ka bërë që jo vetëm partitë por në përgjithësi tërë sistemi politik të jetë i mbyllur. Kjo do të thotë që aksesi në ekonomi, në biznes, në vendimarrjen politike dhe në gjithçka që ka të bëjë me të mirën publike kalon përmes këtyre dy grupimeve të kontrolluara nga dy individë.

Siç thotë Peter Oborne, ka sisteme në të cilat dy partitë e mëdha kanë të njëjtën gjuhë pak a shumë, të njëjtën sjellje, të njëjtin stil apo qasje politike, të njëjtën bazë ekonomike, të njëjtën kulturë dhe mënyrë të jetuari. Në këtë rast dy partitë janë thjesht një sistem kundër ose në rastin më të mirë përballë popullit. Pra, kemi dy partitë dhe popullin ose sistemin dhe njerëzit si dy entitete që përfaqësojnë gjëra që rrinë përballë.

E reja e vetme e madhe në këto zgjedhje është se një organizëm, një entitet jo politik por i fuqishëm, është kundër këtij sistemi. Ky entitet jo politik është SPAK dhe GJKKO, dy organizma që po luftojnë kundër krimit të organzuar (i cili nuk mbijeton dot pa mbështetje politike dhe korrupsionit në politikë).

Çështja e vetme e këtyre zgjedhjeve është në fakt SPAK dhe GJKKO. Në këto zgjedhje do të votohet thjesht dhe vetëm pro dhe kundër GJKKO. Dy partitë e mëdha të sistemit do të përpiqen dhe po përpiqen që ta zhvendosin debatin në çështje të tjera për të fshehur çështjen e vërtetë dhe shqetësimin e tyre të vërtetë.

Edhe Rama edhe Sali Berisha kanë vetëm një shqetësim, kanë rrezikun që i kanos dy grupimet që ata drejtojnë nga ndëshkueshmëria. Sigurisht që Rama dhe Berisha do të flasin për ekonominë dhe për BE-në, sigurisht që Rama dhe Berisha nuk do të thonë se janë për të mbrojtur krimin dhe korrupsionin apo se janë në zgjedhje vetëm për fatin e SPAK dhe të GJKKO. Përkundrazi ata do të thonë se këto zgjedhje nuk kanë lidhje fare, po fare ama, me fatin e SPAK dhe GJKKO. Në të vërtetë këto zgjedhje kanë lidhje në radhë të parë vetëm me fatin e SPAK dhe GJKKO ose të paktën PS dhe PD duan t’i përcjellin mesazh edhe duan të ndryshojnë (deri edhe shkrijnë fare) SPAK dhe GJKKO.

Duke qenë kështu këto janë zgjedhjet më të rëndësishme të vendit tonë që nga viti 1997. Këto zgjedhje mund ta fusin vendin në një hulli tjetër, mund të vendosin përfundimisht që nuk ka politikanë dhe njerëz të fuqishëm të paprekshëm, që procesi i nisur nuk ka kthim dhe që politika në Shqipëri po ndryshon njëherë e përgjithnjë./liberale.al

Exit mobile version