Ernest Muçi pritet ta ketë mjaft të vështirë në këtë sezon që të fitojë hapësira në radhët e Beshiktashit, pasi trajneri XhovanI Van Bronkhorst nuk e sheh mes titullarëve futbollistin e Kombëtares shqiptare.
Kjo është e qartë që pas ndeshjeve të para të sezonit ku ai ka preferuar Rafa Silva në rreshtim, duke lënë Muccin në stol gjithë kohës si spektator në ndeshjet ndaj Gallatasarajit në Superkupë dhe Samsunspor në kampionat, të dyja të mbyllura me fitore.
Pas kësaj sfide të dytë, trajneri holandez u pyet për mungesën e Muçit, i cili ishte blerja rekord e Beshiktashit në edicionin e kaluar.
“Jam unë ai që vendos për lojtarët. Unë preferoja të vendosja në fushë lojtarë që kanë mbrojtje të fortë. Në kemi një ekip të fortë. Ne kemi lojtarë që mund të përdoren kur të jetë e nevojshme dhe kjo është ajo që ndodhi sot”, tha tekniku pas sfidës, duke lënë të kuptohej se Muçi nuk preferohej për shkak të mangësive në lojën mbrojtëse në krahasim me të tjerët në pozicionin e tij.
Kjo ka krijuar një situatë shumë të pakëndshme për lojtarin shqiptar, i cili duket se po shtyhet gjithnjë e më shumë drejt largimit nga gjigandët e futbollit turk, edhe pse ka vetëm pak muaj që është bërë pjesë e tyre.