Kaçe lider në Vjenë, fiton Manchester

Ergys Kaçe sërish titullar në një tjetër 90 minutësh europian për Viktoria Plzen. Mesfushori shqiptar udhëhoqi skuadrën çeke në transfertën e Vjenës përballë Austrisë, ku ekipi i tij siguroi një pikë pas barazimit pa gola. 22-vjeçari i lindur në Korçë zhvilloi një ndeshje shumë pozitive, duke diktuar ritmin e ekipit çek që shkon në kuotën e dy pikëve në Grupin E të Europa League. Sfida tjetër mes Romës dhe Astrës foli për skuadrën italiane që triumfoi 4-0 në “Olimpico” ku arriti të rikthehej te fitorja në evenimentet europiane.
Në “Old Trafford”, Manchester United hasi shumë vështirësi për të thyer ukrainasit e Zoryas dhe një gol i shënuar nga Ibrahimoviç në pjesën e dytë i dhuroi suksesin e parë europian skuadrës së Jose Mourinhos. Mijëra km më larg në Stamboll, Fenerbahçe gjeti suksesin ndaj Feynoord për t’u ngjitur në kuotën e 4 pikëve në krye të Grupit A. Disfatë të rëndë regjistroi Sassuolo në transfertën e Genk. Belgët shënuan tre herë në portën e skuadrës së Di Francescos që nuk arriti të shkëlqente si në sfidën e parë kundër Athletic Bilbaos, pasi zbriti në fushë kryesisht me një formacion të ri.
Në Bilbao, Athletic u mjaftua me golin e shënuar nga Benat Etxebarria për të vendosur fatin e ndeshjes. Pas sfidave të dyta, të katërta skuadrat e Grupit F numërojnë nga tre pikë. Surprizën e vërtetë të mbrëmjes e dhuroi Dundvalk në Irlandë që i dha një shuplakë Maccabi Tel Aviv. Izraelitët u dorëzuan në fushën e ishullorëve modestë, të cilët e kaluan me sukses 1-0 testin e dytë në Grupin D, aty ku Zenit St. Peterburg shkatërroi 5-0 AZ Alkmaar. Në Francë, Saint Ettiene siguroi një pikë përballë Anderlecht pasi barazoi rezultatin në minutat e fundit. Në sfidën tjetër të grupit, Mainz u imponua 3-2 në fushën e Qabalas. Në ndeshjet e tjera, APOEL Nicosia mundi OLympiacos 1-0, ndërsa Astana dhe Young Boys u ndalën në barazim pa gola.
Në Grupin I, Schalke dominoi 3-1 Salzburgun për të shkuar në kuotën e 6 pikëve, ndërsa të njëjtën gjë bëri edhe Krasnodar që shkatërroi Nice 5-2 duke u ngjitur në krye të klasifikimit. Në përballjet e tjera, Ajax u mjaftua me një gol për të mposhtur Salzburg dhe për të regjistruar suksesin e dytë në Grupin G, ndërsa Celta Vigo nuk hasi vështirësi ndaj Panathinaikosit duke shënuar dy gola në pjesën e dytë për të rrëmbyer trepikëshin që e ngjit në kuotën 4. Në Grupin H, Gent fitoi 2-0 ndaj Konyaspor, ndërsa Shakhtar Donetsk u imponua me të njëjtin rezultat ndaj Bragës.

Exit mobile version