Kadilli pranon rezultatin e zgjedhjeve në PD: Do të vazhdoj të shpalos projektin tim

Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli në një dalej për mediat në selinë e PD pranoi rezultatin paraprak të zgjedhjeve që nxorën fitues Lulzim Bashën.

“Jam krenar që ndeza shkëndijën e garës. Kjo sfidë tregoi që opozita nuk është ekskluziviteti i askujt. Sot, asnjë demokrat nuk mund të thotë se nuk kishte zgjedhje tjetër. Nuk jam këtu për të përligjur rezultatin tim apo për të shprehur keqardhje për fitoren e Lulit. Kishte një kryetar që nuk lëshoi zyrë. Deputetë dhe kryetar degësh që nuk mbajtën distancën për të mos ndërhyrë në proces. Unë nuk jam Luli, unë e pranoj këtë rezultat. Ato qindra vota që mbështetën projektin tim janë fitili që ndezi një lëvizje të re. Unë nuk iki, nuk dorëzohem nuk krijoj parti të re por do të vazhdoj të shpalos me këmbëngulje këtë projekt në ringritje sepse vetëm kështu opozita bëhet e vërtetë”, tha Kadilli.

Ai u shpreh se duhet të ngrihet një opozitë e re me një projekt të ri. Sipas Kadillit, projekti i tij është ai që duhet implementuar, ndërsa u shpreh i hapur për bashkëpunim me Bashën në këtë drejtim.

Artikulli paraprakProtesta e maturantëve trondit regjimin, Rama nxjerr në skenë ministren
Artikulli tjetërMaturantët kundër deklaratës së ministres: Është një mashtrim, do të vijojmë protestën!