Ricardo Kakà ka kërkuar të rikthehet te Milani si futbollist për fazën e dytë të sezonit, para se të nisë karrierën si drejtues në klubin e Serisë A. Për këtë nuk ka dyshim shtypi brazilian, që raporton se 35-vjeçari po përgatit nisjen e eksperiencës së tij të tretë si kuqezi. Kakà zhvilloi ndeshjen e fundit me Orlando City-n në MLS, pasi kishte njoftuar më parë se nuk do të rinovonte kontratën.
Ditët e fundit është folur edhe për një rikthim të tij në kampionatin brazilian, pikërisht te Sao Paolo, që është skuadra ku ka nisur karrierën. Kakà është kthyer një herë në Milano në sezonin 2013-2014, duke koleksionuar 30 ndeshje në total dhe 7 gola. Marco Fassone, përgjegjës për merkaton, deri tani nuk i ka komentuar këto zëra. Gjatë karrierës së tij me fanellën kuqezi brazialiani ka fituar 1 titull të Serisë A, 1 Superkupë të Italisë, 2 Superkupa të Europës, 1 Champions League dhe 1 Botëror Klubesh, pa harruar trofetë e shumtë individual, ku spikat “Topi i Artë”.
Derbi i humbur me Interin është hedhur pas krahëve dhe, përtej rezultatit negativ, në shtëpinë e Milanit e shohin me optimizëm të ardhmen. “Kuqezinjtë”, në raundin e tretë të ndeshjeve në Grupin D të Europa League-s, do të presin AEK-un e Athinës, sfidë të cilën trajneri Montella kërkon ta fitojë me çdo kusht për të siguruar kualifikimin.
“Jam i bindur që kjo skuadër është në rrugën e duhur dhe po përmirësohet nga dita në ditë. Duhet të jemi më agresivë në fushë dhe të bindur se do të ecim përpara. Kemi mundësinë më të mirë për të hipotekuar kualifikimin. Vlen shumë edhe për të ardhmen tonë. AEK-u zhvillon një futboll dinamik dhe përshtatet me kundërshtarin që ka përballë. Kjo skuadër ka lojtarë shumë të rrezikshëm në sulm”, u shpreh Montela.
Montella është kritikuar për modulin e lojës 3-5-2, por trajneri “kuqezi” thekson se është ende në fazën e ndërtimit të lojës. “Po përpiqem të kuptoj se si mund të luajë më mirë skuadra. Gjatë verës kompletuam organikën, ndërsa tani po studioj se cilët janë modulet që i përshtaten më mirë kësaj skuadre”, tha ai.
I pyetur për sulmuesin e ri, Cutrone, Montella u shpreh i lumtur që stërvit një talent të tillë, ndërsa për objektivat në Europa League theksoi se Milani do të synojë maksimumin, sepse është një skuadër me “stof” europian.