Lila kaloi shkallën e parë të procesit të Vettingut, por në seancën e sotme KPA i gjeti të pabazuar në ligj e në prova arsyetimin dhe konkluzionin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK lidhur me pasurinë e këtij subjekt rivlerësimi dhe vendosi shkarkimin e saj nga detyra.
Komisioni e konfirmoi Lilan më 10 janar të këtij viti, duke vërejtur se pasuria e familjes së saj përbëhet nga një shtëpi në Tiranë, një makinë dhe depozitë në bono thesari në vlerën 3.8 milionë lekë, e krijuar me punën e pandërprerë nga viti 1992 e në vijim.
Rezultati negativ financiar në 2005 për shkak të mosprovimit të të ardhurave nga shitja e një banese dhe pamundësitë financiare në vitet në vijim, që sipas KPK, dukej se kishin ardhur si pasojë e pasaktësive në deklarimeve të gjendjes cash, në frymën e parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit u vlerësuan se nuk përbënin shkak për penalizim. Po ashtu, Lila mori vlerësim pozitiv për figurën dhe profesionalizmin, sipas BIRN.
Vendimarrja e Komisionit për prokuroren Lila u ankimua nga Komisionerja Publike, Irena Nino, e cila kërkoi shkarkimin. Sipas Ninos, mbetej e paprovuar ekzistenca e pasurisë së deklaruar si e shitur, ashtu dhe të ardhurat e pretenduara të përfituara prej saj, në vlerën 1.1 milionë lekë. Sipas Ninos, edhe bilanci negativ për periudhën tjetër ishte më i madh nga kishte konstatuar KPK.
Sipas saj, shpenzimet jetike për vitin 2007 nuk janë përllogaritur bazuar në jurispudencën e Kolegjit. Ndërkohë, gjendjet cash nuk janë deklaruar në vite si burimi krijimi për likujditetet bankare.
Ashtu si Nino, edhe shumica e trupit gjykues të Kolegjit vlerëson se pretendimi për përfitimin e vlerës 1.1 milionë lekë nga shitja e një pasurie, mbeti në nivel deklarativ.
Sipas KPA, rezulton se shpenzimet jetike për 2007-ën janë më të larta nga sa janë konkluduar prej Komisionit. Po ashtu, u vërejt se arsyetimi i Komisionit lidhur me pasaktësitë në deklarime, nuk përputhjet me aktet në dosje. Për rrjedhojë, u çmua se pamjaftueshmëria sipas analizës financiare të kryer në KPA, nuk i nënshtrohet dot parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit.
Njoftim vendimi
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 8/2024, datë 06.03.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 729, datë 10.01.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Zena Lila.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:
– Ndryshimin e vendimit nr. 729, datë 10.01.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Zena Lila.
– Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 19.09.2024.