Nuk zhgënjejnë të mëdhatë në sfidat eliminatore të së dielës ku Gjermania dhe Anglia hodhën një hap tjetër drejt Botërorit 2018 duke konsoliduar pozitat në krye të grupeve respektive. Kampionët e botës shkatërruan 4-1 Azerbajxhanin në Baku. Sfida nisi që në minutën e 19 me golin e Andre Schuerrles.
Pak minuta më vonë Dimitrij Nazarov vendosi baraspeshën duke krijuar iluzionin se ndeshja mund të merrte një kthesë, por Muller në të 36-ën kaloi sërish Gjermaninë në avantazh. Gjatë fraksionit të dytë, skuadra e Low e thelloi avantazhin me Mario Gomez dhe sërish Schurrle 9 minuta nga fundi. Me këtë fitore Gjermania mbetet në krye të Grupit C me 15 pikë, 5 më shumë se Irlanda e Veriut që dhuroi një tjetër paraqitje pozitive pasi mposhti 2-0 Norvegjinë. Për ishullorët mjaftoi pjesa e parë ku Jamie Ward dhe Conor Washington vendosën fatin e këtij takimi. Ndërkohë, forca e tretë e këtij grupi, Republika Çeke regjistroi suksesin e lehtë 6-0 në fushën e San Marinos duke u ngjitur në kuotën e 8 pikëve. Në Grupin F, Anglia u tregua cinike ndaj Lituanisë duke arritur një fitore 2-0. Jermain Defoe ishte njeriu që zhbllokoi ndeshjen në pjesën e parë.
Jamie Vardy vulosi suksesin e “3 Luanëve” në pjesën e dytë për ta çuar Anglinë në kuotën e 13 pikëve, 4 më shumë se Sllovakia që u imponua 2-1 në transfertën e Maltës. Vladimir Weiss që në minutën e 2 kaloi në avantazh miqtë, por ishullorët barazuan 12 minuta më pas me autor Jean Paul Farrugia.
Pjesa e parë dhe gjithë ndeshja u mbyll me golat e Jan Gregus dhe Adam Nemec që i siguruan 3 pikë kombëtares së Sllovakisë. Në duelin tjetër të këtij grupi, Skocia kaloi Slloveninë 1-0. Golin e fitores në fundin e ndeshjes e shënoi Chris Martin. Në Grupin E, Polonia dominoi Malin e Zi 2-1. Lewandowski kaloi në avantazh bardhekuqtë në pjesën e parë.
Stefan Mugosa barazoi shifrat në minutën e 63, por Lukasz Piszczek riktheu në avantazh polakët që kryesojnë me 13 pikë, të ndjekur nga Mali i Zi me 7, po aq sa Danimarka që barazoi pa gola në Rumani. Në takimin tjetër të këtij grupi, Armenia kaloi 2-0 Kazakistanin. Në Jerevan ishte Mkhitaryan ai që shënoi golin e parë, ndërsa Aras Oezbiliz dyfishoi rezultatin.