Kalvari i të moshuarve për të marrë pensionin! Radhë me orë të zgjatura, shumica s’e marrin, mbarojnë lekët

Emisioni Fiks Fare solli rastin e disa të moshuarve të qytetit të Elbasanit, ku ankohen për radhën që bëhet në Zyrën Postare nr.6 ku tërheqin pensionet. Por ajo që i shqetëson më shumë është se dhe atëherë kur u vjen radha nuk mbarojnë punë, pasi kanë mbaruar lekët në postë.

Të moshuarit shprehen se ngrihen në orët e para të mëngjesit për të marrë pensionet e tyre, sepse po të shkojnë në orarin që hapet posta, nuk arrijnë dot të marrin pensionin. Paratë mbarojnë nga fluksi i madh e do të duhet një ditë tjetër për të zënë sërish radhë.

Në një ditë tërheqjeje pensioni, radha në këtë postë nis që në orën 6 të mëngjesit. Ka edhe nga ata pensionistë që dalin për të zënë radhë edhe më herët. Disa nga këta të moshuar thanë se vijnë çdo ditë për të tërhequr paratë e tyre, por kthehen në shtëpi pa gjë pasi nuk ka para.

Edhe pse kanë dalë herët në mëngjes disa prej tyre ora 12:00 e mesditës i gjen ende në radhë, duke i shtuar këtu edhe lajmin jo të mirë të punonjësve të postës që i njoftojnë se kanë mbaruar lekët.

Dhe kështu pritja zgjat me ditë dhe javë që këta të moshuar të tërheqin pensionet e tyre.

Pensionet ndahen nga data 1 deri në datën 26 të çdo muaji, ku çdo ditë është e ndarë sipas një grafiku ditor për ndarjen e këtyre pagesave. Në këtë grafik ditor është e përcaktuar se sa fond duhet të kenë posta në dispozicion, por mesa duket kjo gjë nuk është zbatuar nga kjo zyrë e postës.

Fiksi u interesua në zyrat ku bëhet kjo shpërndarje, punonjëset e sportelit thanë se radha ka ardhur nga fluksi i madh i njerëzve dhe se kjo gjë ndodh pasi posta mbulon një zonë shumë të madhe. Por asnjë nga punonjëset nuk pranon që të ketë pasur mungesa në shpërndarjen e pensioneve dhe se çdo gjë ka qenë korrekte nga ana e tyre.

Fiksi gjithashtu u interesua në drejtorinë e Postës së Elbasanit, ku morën një përgjigje nga shefja e shërbimeve Elvira Hoxha e cila tha se nuk ka pasur asnjë problematikë të tillë dhe se mohon që të kenë ndodhur vonesa në këtë postë.

Dhe pse Fiksi i pohon se janë të faktuara të gjitha ajo e refuzon dhe shpreh se nuk kanë të faktuar asgjë, pasi kjo postë punon rregullisht dhe është korrekte me klientët. Ajo shprehet se nuk ka pasur asnjë ankesë nga qytetarët dhe tani që Fiksi i referoi këtë problematikë do të merren masa dhe nuk do të ndodhin më këto probleme. Pra duhej Fiksi të referonte një problematikë të tillë pa të merreshin masa.

Exit mobile version