“Kam dashur dhe dua përmbysjen e këtij pushteti dhe zëvendësimin e tij me një demokraci perëndimore”

“Kam qenë dhe jam armik i pushtetit të sotëm në Shqipëri, kam dashur dhe dua përmbysjen e këtij pushteti dhe zëvendësimin e tij me një regjim të tipit të demokracisë perëndimore“- Shefqet Beja

Më 10 tetor 1947 përkujtohet Grupi i parë opozitar në Parlamentin shqiptar. 72 vjet më parë, më 10 tetor 1947, në orën 3 pas mesnate, i ngarkuari me cilësinë e prokurorit, mori në dorëzim të dënuarit me vdekje, deputetët:

Shefqet Beja (me varje në litar)
Riza Alizoti (me varje në litar)
Sulo Klosi (me varje në litar)
Selaudin Toto (me varje në litar)
Sheh Ibrahim Karbunara
Paolo Saggioti
Agathokli Xhitoni
Mehmet Prishtina
Abdul Kokoshi
Beqir Çela
Salim Kokalari (me varje në litar)
Tefik Deliallisi
Irfan Majuni (me varje në litar)
Pertef Karagjozi
Enver Sazani (me varje në litar)
Hysen Shehu

Me heqje lirie të përjetshme u dënuan:

Foto Bala
Ramazan Tabaku
Rram Marku
Gjovalin Vlashi

Me nga 20 vjet heqje lirie u dënuan:

Shefki Minarolli
Rustem Sharra
Xhevat Xhafa

Me 15 vjet heqje lirie u dënua:

Sulo Konjari

Organizata Nacional-Demokratike e njohur ndryshe dhe si Grupi I Deputetëve përbën grupin e parë opozitar brenda Asamblesë Kushtetuese. 17 deputetë, të cilët duke mos njohur natyrën e vërtetë me të cilën kishte vendosur të funksiononte pushteti i Enver Hoxhës, i porsaardhur në fuqi, guxuan të kundërshtojnë dhe të bëjnë opozitën e parë të tij.

Deputeti i Shkodrës, Riza Dani, më 7 mars të vitit 1946, kundërshtoi listën e Presidiumit të Asamblesë, rregulloren për çështjen e imunitetit dhe të mandatit të deputetit si dhe projektstatutin e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë mbi të cilin do të mbështetej më pas pushteti I regjimit komunist:
“Për statutin tonë ka dy anë të shëndosha, të çkëlqyera, e plot heroizëm. Lufta çlirimtare në njërën anë e Fronti Demokratik në anën tjetër. Kjo bazë dyshe pa dyshim na ka diktue projekt-statutin. Por lufta çlirimtare dhe Fronti Nacionalçlirimtar kanë pasur dhe kanë akoma ma tepër karakter kombëtar sesa karakter ideologjik. Populli pa ndryshim klase e ideje ka luftue. Prap populli pa ndryshim ideje e partie ka bërë qëndresë në Frontin Demokratik. Fronti s’asht tjetër veçse bashkim njerëzish, partish e tendencash për luftën çlirimtare e për rindërtimin.

Çdo lloj ngjyre ideologjike që mund të marrë Fronti, ai do të ketë për pasojë xhdukjen apo transformimin e tij në nji parti të thjeshtë me ngjyrën e saj esenciale. Statuti pa dyshim asht ba me frymë ideologjie dhe politikisht ashtu dhe nga pikpamja social- ekonomike.

Unë vetë personalisht jam në nji demokraci të lirë. Do të votoj për statutin, por natyrisht do të dëshiroja që dhe statuti jonë të inspironte nga ky parim”.
Në dhjetor 1946, Riza Dani u arrestua. Në maj 1947 u arrestuan dhe deputetë e anëtarë të tjerë të Organizatës Nacional-Demokratike. Në shtator 1947 u zhvillua gjyqi kundër tyre. Ata u akuzuan si elementë terroristë, që kishin dashur të përmbysnin me dhunë pushtetin, duke shpresuar dhe në ndihmën e anglo-amerikanëve. Trupi gjykues dha për 21 vetë dënime me vdekje dhe për shumë të tjerë dënime me burgime të rënda.

Asgjësimi i këtij grupi tregonte se forcat opozitare do ta kishin të pamundur të organizoheshin në kushtet e diktaturës komuniste. /Muzeu Kombetar “Shtepia me Gjethe”

Exit mobile version