Kambana e Blinken do të dëgjohet pas disa muajsh!

Nga Ermal Peçi!

Antony Blinken është sekretari i gjashtë amerikan i shtetit që vizitoi dje Shqipërinë. Vetëm fakti që këmba e njeriut më të rëndësishëm të politikës së jashtme të SHBA-ve që shkeli në Shqipëri do të thotë shumë. Simbolika e këtij takimi merr përmasa shumë të rëndësishme sidomos për rajonin.

Aktualisht faktori shqiptar po forcohet në Ballkan, kemi rastin e kryeministrit të parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, kemi zëvendëskryeministrin e Malit të Zi dhe trazirat në veri të Kosovës, ku SHBA po e monitoron nga afër çdo proces për të minuar rrezikun e përshkallëzime nga provokimet e Vuçiç.

Por nga ekspertët e sigurisë, fakti që baza e Kuçovës u ndërtua me paratë e NATO-s dhe ku investitori më i madh është SHBA, tregon që tashmë Shqipëria është e rreshtuar krah SHBA-ve edhe kundër Rusisë në luftën që po bëhet në gjeopolitikë mes dy kulturave, perëndimore dhe asaj lindore.

Por pavarësisht gjeopolitikës vëmendjen kryesore gjatë ditës së djeshme e mori takimi i Blinken me Dumanin. Altin Dumani që në momentin kur mori drejtimin e SPAK ka qenë dhe është njeriu më i sulmuar nga klasa e vjetër politike. Takimi i djeshëm ishte simbolik, por përçonte mesazhe të forta e rrëzonte propagandën e Ramës, në të cilën fliste se Reforma në Drejtësi ishte meritë e tij dhe e Partisë Socialiste, kur akuzonte e fliste për “Republikë Prokurorësh” dhe kur kërkonte të kontrollonte me komision ad hoc, SPAK-un. Në anën tjetër Berisha dhe Meta e quajnë SPAK-un, Skapin e partisë, për të hedhur në opinion publik idenë që këtë sistem drejtësie e kontrollon Edi Rama dhe për të futur frymën e përçarjes në shoqëri. Por dje, sekretari i shtetit ishte shumë i qartë me mesazhin që publikoi gjatë ditës së sotme krah krerëve të drejtësisë, SPAK-u është projekt i joni, askush nga palët politike nuk e kontrollon dhe është një institucion, i cili ka për detyrë të sjellë drejtësinë e munguar në këto 33 vite në Shqipëri. Në këtë panoramë politike që shfaqet sot i vetmi politikan dhe forcë politike që e mbështet SPAK-un pa asnjë kusht dhe nuk i trembet drejtësisë është Lulëzim Basha dhe Partia Demokratike. Në çdo sondazh që po publikohet kohët e fundit, po tregohet se qytetarëve po ju rritet besimi tek ky institucion. Një lajm i mirë, që propaganda e izolantrikëve për të sulmuar drejtësinë nuk po funksionon sepse shqiptarët e kanë kuptuar se në këtë vend mungesa e drejtësisë ka sjellë erozionin e këtij vendi. Pa drejtësi nuk mund të kemi kurrë një shtet të së drejtës, i cili mund të ofrojë të ardhme për qytetarët. Pa drejtësi do kemi shtete private, por jo sisteme institucionale ku qytetarët mund të marrin përgjigje dhe të ofrohet stabilitet e siguri. Për këto arsye në fakt kambanat e vizitës së Blinken në Shqipëri kemi për t’i dëgjuar pas disa muajsh sepse në këtë vend kanë jetuar politikan të cilët përdorën shtetin për të fuqizuar pushtetin e vet duke ju vjedhur të ardhmen shqiptarëve.

Exit mobile version