Kamera nxjerr zbuluar mashtrimin e Ramës për laboratorin e plehrave

Zbulohet mashtrimi i Ramës për laboratorin e kontrollit të plehrave që do të vijnë nga jashtë. Rama ka deklaruar se, laboratori i kontrolllit të mbetjeve është çertifikuar nga BE, por kamera e emisionit më të ri “Publicus” në “Vizion Plus” ka mundur të depërtojë në laboratorin e Agjensisë Kombëtare të Mjedisit, për të cilin flasin të gjithë, por të cilin nuk e ka parë askush. Është pikërisht ky laborator që është servirur nga kryeministri Rama si një nga garancitë më të mëdha se në Shqipëri nuk mund të hyjnë plehra të rrezikshme. Vetë Rama dhe mbështetësit e tij kanë folur për investime të mëdha, çertifikim nga BE, trajnime etj. Por në fakt, realiteti që tregon kamera e “Publicus” ka nxjerrë në pah një skandal. Në këtër vite aty nuk ka ndryshuar pothuajse asgjë përveç zgjerimit të ambienteve.
Autori i emisionit “Publicus”, Artan Rama ka shkuar vetë ta prekë nga afër këtë skandal, duke i marrë në pyetje punonjësit, por ata janë përgjigjur se ndryshimi më i madh është hapësira me më shumë ambiente, duke nxjerrë zbuluar mashtrimet e kryeministrit.
Drejtuesi i emisionit “Publicus” ka intervistuar një nga punonjëset e këtij laboratori.
-Çfarë ndryshimesh janë bërë?
Ne kemi ndryshuar godinën.
-Ku keni qenë më parë?
Kemi qenë në Tufinë, tek ish-Pyjorja mesa di unë. Këtu jemi më mirë, sepse kemi hapësirë më shumë dhe zgjerim të stafit plus që kemi pas edhe blerje reagentësh si nga Agjencia si edhe nga Shoqatat e huaja që na kanë ndihmuar.
-I kontrolloni standardet e tyre?
Kur është kërkuar nga Inspektoriati. Kur ka pasur ankesa Inspektoriati kanë vajtur edhe në terren psh kanë vajtur edhe tek Birra “Tirana”, me urdhër nga Inspektoriati kanë shkuar kanë marrë monstrat dhe janë bërë analizat.
-Po për 10 fonderitë në autostradë që trajtojnë plumb, zink, e gjëra të tjera a keni bërë kontrolle?
Jo, jo…
Pra, nuk ka asnjë ndryshim cilësor. Ishte i njëjti laborator me atë të tre viteve më parë. Si atëherë kur i mungonin kapacitetet për të kryer testet e nevojshme, edhe sot po njësoj.
Nëse u hedhim një sy të dhënave të publikuara për akreditimin e kësaj Agjencie, kapacitetet e këtij institucioni nuk e tejkalojnë cilësinë për të kryer vetëm testet e ujit natyror apo atij të ndotur. Pra, kryeministri po thotë një të pavërtetë ose dikush i ka shkruajtur gjëra që nuk qëndrojnë.

Specialisti: Ky laborator nuk ka në funksion analizimin e cilësisë së mbetjeve

Një nga specialistët e laboratorit që ndodhet në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit për të cilin Rama dha garanci se është një laborator i ri i standardeve europiane, u shpreh se ky laborator ka për detyrë të monitorojë cilësinë e mjedisit dhe të përgatisë raportin e mjedisit që del çdo vit dhe jo të bëjë analizat e mbetjeve.
“Laboratori i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe vetë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit ka për detyrë të monitorojë cilësinë e mjedisit dhe të përgatisë raportin e mjedisit që del çdo vit. Nuk ka në funksion mbikëqyrjen, nuk ka në funksion inspektimin, nuk ka në funksion analizimin e cilësisë së mbetjeve. Ndërtimi i këtij laboratori nuk është bërë me qëllim që të masë përbërjen e materialeve ose të vlerësojë kontaminimin e nivelit të ndotjes së mbetjeve”, deklaroi specialisti i laboratorit që ndodhet në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.
Rama deklaroi pak ditë më parë se është një laborator i ri i standardeve europiane për çdo lloj analize. “Kemi krijuar Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, specialistët e të cilëve kanë 2 vjet që trajnohen nga Interpoli, Europoli dhe një sërë agjencish të tjera ndërkombëtare për funksionet e tyre. Pra, për monitorimin e lëvizjes kufitare të mbetjeve në kohë reale. Kemi një laborator të financuar nga BE. Laborator i ri i standardeve europiane për çdo lloj analize”, ka deklaruar Rama. Por siç duket, kryeministri mashtron qytetarët, pasi është i njëjti laborator që ka qenë edhe tre vjet më parë.

Rama mashtroi edhe me ligjin për importin e mbetjeve

Kryeministri Rama u zotua se nuk do të ketë djegie të mbeturinave, të cilat do të importohen nga jashtë, por ligji i ri për nga mënyra se si është formuluar lë hapësira për abuzime. Në relacionin e paraqitur për miratim në seancën e 22 shtatorit nga ana e Komisionit parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese ngrihen hije dyshimi mbi Nenin 48/1. Në këtë dispozitë mund t’i hapet rruga e importimit të mbetjeve jo të rinvoueshme, zëvendësuese, që përdoren pikërisht nga kjo industri për energji. Neni 48/1, pika 1, termi “riciklim” mund të shihet si një kamuflim për djegien e plehrave.
Alarmi është dhënë nga ana e përfaqësuesit të Aleancës Kundër Importit të Plehrave, i cili e cilëson si tepër evazive këtë sanksionim ligjor. Përfaqësuesi i AKIP, Lavdosh Ferruni, ngriti këtë shqetësim në lidhje me nenin e dyshimtë, pasi sipas tij, në të ardhmen ky formulim mund të lërë shteg për abuzim gjatë importimit të mbetjeve. Në argumentimin që i bën Nenit 48/1, pika 1, termi “riciklim” mund të shihet si një kamuflim për djegien e plehrave. “Energji jo të rinovueshme janë fosilet. Industria energjetike do të përdorë në zëvendësim të naftës e qymyrit, plehrat. Pra, nuk do të djegim plehra, por do të prodhojmë energji me plehrat. Dhe këto plehra për industri do të lejohet të importohen bashkë me ato për riciklim. Mos vallë riciklimi lakohet fort për të kaluar butësisht djegien dhe inceneratorët (impiantet djegës) po ndërtohen? Sigurisht kështu është”, deklaron Ferruni. Më tej ai shton se, ka një përplasje mes vetë nene të formuluara, tashmë të votuara me 63 vota nga Kuvendi.
“Si ka mundësi që mbështetësit e importit të plehrave thonë se me ligj ndalohet djegia e mbetjeve jo të rrezikshme për qëllime djegieje, ndërsa në ligjin e zbardhur Neni 48/1 e lejon?!! A thua ka ndonjë metodë që prodhimi i energjisë nga plehrat të bëhet edhe pa i djegur ato? Djalli fshihet në detaje. A është lidhësja “dhe” në vend të asaj “ose” e vitit 2011 që lejon djegien e plehrave me ligj? A e di z. Shalsi që “lëndë e parë dytësore” janë dhe plehrat në landfill?”, thekson Ferruni. Raporti dhe neni i ligjit Gazeta “Shekulli” disponon variantin final të ligjit të miratuar në seancën parlamentare të 22 shtatorit, i shoqëruar dhe me raportin e firmosur nga dy deputetët Shalsi dhe Baraj. “Projektligji synon rilejimin e importit për mbetjet e ngurta jo të rrezikshme të listës së gjelbër, si lëndë e parë dytësore, për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë ricikluese të vendit, për qëllime riciklimi dhe përdorimi si zëvendësues, të lëndëve të tjera nga burime jo të rinovueshme. Në vitin 2013 u ndalua importi i mbetjeve për arsye riciklimi, pasi institucionet përkatëse nuk ishin në gjendje të inspektonin cilësinë e mbetjeve për shkak edhe të mungesës së laboratorëve përkatës.

Artikulli paraprakKrimi rritet frikshëm, 4 të vrarë gjatë 24 orëve
Artikulli tjetërBasha: Tirana larg komplekseve paternaliste ndaj Prishtinës dhe inferiore ndaj Beogradit