PD dhe PDIU kanë kundërshtuar dje rikthimin në Kuvend të ligjit që sanksionon vendosjen e kamerave në ambiente publike dhe private, ndërsa LSI ka abstenuar. Gjatë diskutimit të dekretit të Presidentit, që ktheu për shqyrtim në Parlament këtë nismë të Ministrisë së Brendshme, Flamur Noka dhe Luan Rama kanë bërë me dije se kjo ministri nuk kanë bërë publike qëndrimet e misioneve të SHBA dhe BE, që asistojnë policinë shqiptare. Kryetari i Komisionit, Spartak Braho kërkoi shpjegime nga zëvendësministri Stefan Çipa. Por socialistët kanë këmbëngulur në ligjshmërinë e ligjit, si parandalues i krimit. Ligjvënësit e LSI dhe PD folën edhe për një kosto të lartë financiare që shoqëron ligjin. Deputeti Luan Rama tha se kostoja vetëm për 3600 objektet arsimore është më e madhe se 23 milionë euro. Pas diskutimeve, 2 demokratët, një i PDIU-SE votuan në mbështetje të dekretit presidencial, 4 të LSI-së abstenuan dhe 6 socialistë votuan për rrëzimin e tij.
Deputetet demokratë kanë kërkuar që të zbardhet kostoja e zbatimit të ligjit. “Kostoja ka qenë edhe një ndër arsyet pse e kemi kundërshtuar. ICITAP thotë se nuk u dorëzua asnjë relacion dhe s’u zhvilluan takime. ICITAP thotë se ligji është barrë financiare për bizneset dhe se i ka këshilluar Ministrisë së Brendshme që të lërë mënjanë ligjin”, tha deputeti Flamur Noka. Ndërsa deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama tha se në komision kishte votuar kundër ligjit, pasi nuk kishte mendimin e partnerëve dhe asnjë projekt për kostot. “Në komision nuk na erdhi asnjë qëndrim zyrtar, megjithëse e kërkuam. Qëndrimet që u paraqitën në komision pas miratimit të ligjit. S’mund të them sa i ka qëndruar Nishani argumenteve të partnerëve. Unë kam votuar kundër ligjit, propozoj ta hedhim në votim dekretin. Kam kërkuar mendimin e partnerëve dhe një projekt të kostos. Kërkesat e mia në mbledhjen e fundit kur kaloi ligji. Ministria e Punëve të Brendshme tha se PAMECA dhe ICITAP janë dakord me ligjin”. Sipas biznesit që e ka kundërshtuar këtë ligj, kostot janë të larta dhe llogariten në miliona euro.
ICITAP kërkoi tërheqjen e ministrisë nga ligji
Misioni i Departamentit amerikan të Drejtësisë ishte shprehur kundër vendosjes së kamerave me detyrim në ambientet publike e private. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e përmendi këtë fakt në relacionin që shoqëroi vendimin e tij për ta kthyer këtë ligj në Kuvend. “Në arsyetimin e kthimit të këtij ligji janë marrë në konsideratë gjithashtu komentet dhe mendimet e misioneve PAMECA IV dhe ICITAP, të cilat kanë identifikuar cenimin e një sërë të drejtash themelore, për të cilat kanë dhënë rekomandimet përkatëse”, shkruan Nishani.
Raporti i zbuluar nga “HashtagAl” tregon detaje të tjera mbi qëndrimin që në veçanti ICITAP ka patur mbi ligjin. Këtë raport ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ua fshehu dy komisioneve parlamentare: Komisionit të Ligjeve dhe Komisionit të Sigurisë. ICITAP ka patur një letërkëmbim me ministrin Tahiri në periudhën prill–qershor 2015. Misioni i Asistencës Ligjore të SHBA i kishte kërkuar një raport të detajuar mbi arsyet përse duhej miratuar ky ligj, përse duheshin vendosur kamerat me detyrim në ambientet publike e private. Por Tahiri e injoroi këtë kërkesë. Ai nuk ua paraqiti kurrë amerikanëve relacionin e kërkuar. U dërgoi vetëm draftin, të cilin, më pas e dërgoi në Kuvend, në tetor të 2015, pa u konsultuar me ta.
Në raport thuhet: “Ministria e Brendshme dorëzoi pranë ICITAP vetëm kopjen e projektligjit dhe nuk e shoqëroi me ndonjë relacion shpjegues dhe as nuk u mbajt ndonjë takim për të shpjeguar tekstin dhe ndryshimet e bëra në versionin fillestar. Si rrjedhojë nuk është e qartë nëse në këtë, gjatë hartimit të këtij versioni janë marrë parasysh mendimet e ICITAP (prill 2015) mbi versionin e mëparshëm. Siç do të shihet dhe më poshtë, shumë prej komenteve të ICITAP janë përsëritje e mendimeve tona mbi versionin e parë të këtij projektligji”. Ndryshimet e kërkuara nga ICITAP, në raportin që ata i kishin dërguar, ishin injoruar gjithashtu. ICITAP e kishte bërë mjaft të qartë: Tahiri duhet të hiqte dorë nga ky ligj. Në raport, qëndrimi kundër ilustrohej me dështimin e policisë në dy ngjarje kriminale të bujshme, të filmuara nga kamerat e sigurisë: vrasja e bankierit Artan Santo dhe grabitja e “Babagjyshëve” në një argjendari në TEG.
“Në dhjetor 2013 një grup i armatosur i njohur si banda e ‘Babagjyshëve’ hyri në një qendër tregtare i armatosur (TEG) për grabitje argjendarish, duke i kërcënuar me armë zjarri. I tërë incidenti u kap me kamerat me qark të mbyllur CCTV dhe aksioni kriminal u krye pavarësisht një numri të caktuar të rojeve të sigurisë. Po kështu, në qershor të vitit 2014 një bankier i nivelit të lartë (Santo) u vra në një rrugë me shumë lëvizje në Tiranë, nën vështrimin e një oficeri të Policisë së Shtetit dhe autorët e krimit ishin filmuar nga një sërë kamerash CCTV para, gjatë dhe pas vrasjes. Kamerat e sigurisë dhe prania e personelit të sigurisë as nuk parandalojnë dhe as nuk zbulojnë rastet e kriminelëve të organizuar që fshehin identitetin e tyre.
Në kushtet e bareve dhe klubeve të natës, prania e kamerave të sigurisë dhe/ose e personelit të sigurisë, mund të ndihmojë në zbulimin e krimeve me armë, por janë provuar si më pak efikase, si pengesë. Në dy rastet e fundit që përfunduan me viktima, (Kuliçi 2013) dhe (Xhuvani 2014), mund të thuhet se shkelësit, të cilët ishin nën ndikimin e alkoolit dhe të drogës, nuk do të ndiheshin të penguar nga masa të tilla të sigurisë. Hulumtimet tregojnë se kamerat e sigurisë kanë një vlerë të kufizuar për sa i përket parandalimit të krimeve të rënda.
ICITAP e konsideronte draftin antikushtetuese; ai kufizonte të drejtat e qytetarëve. Ekspertët amerikanë ishin shprehur qartë se policia mund t’i nxiste bizneset për të vendosur kamerat e sigurisë, por nuk mund t’i detyronte. “Një nismë e tillë nuk ekziston gjëkundi, as në SHBA dhe as në ndonjë shtet të Europës”, shpreheshin ata në raport. “Ka një shqetësim se masat e propozuara do të krijojnë një barrë të konsiderueshme financiare për disa biznese private. Kostoja e procesit të çertifikimit dhe rinovimeve të mëvonshme të sistemeve të kamerave CCTV dhe personelit të sigurisë mund të rezultojnë një barrë e panevojshme për shumë biznese të vogla e të mesme. Në shumë vende, veçanërisht në SHBA, ekziston një praktikë ku policia i nxit bizneset private dhe individët të investojnë në sisteme për të parandaluar dhe për t’u mbrojtur kundër krimit. Megjithatë, këto nisma për policimin në komunitet, kurrë nuk kërkojnë të imponojnë një detyrim normativ për t’u respektuar e aq më pak akoma të kriminalizojnë mosrespektimin e tij”.
Rekomandimi i ICITAP: Tahiri duhet të heqë dorë nga kjo nismë
“Siç ka deklaruar dhe në dokumentin e mëparshëm, ICITAP-i, do të dëshironte fillimisht të shihte një relacion ku diskutohen politikat në vend se të shikonte një projektligj të përfunduar. Praktikë normale është një relacion ku të diskutohen:
– Vëllimi i njohur dhe karakteristikat e krimit apo problemit të rendit publik, përfshirë statistikat e sakta.
– Një listë të opsioneve të detajuara të shkelësit të ligjit, për të rritur shkallën e zbulueshmërisë, duke u mbështetur në metoda që kanë rezultuar të suksesshme në vende të tjera.
– Kostot përkatëse të çdo opsioni si për qeverinë ashtu dhe për biznesin privat.
Ky projektligj nuk ofron asnjë gjë nga sa thamë më lart, thjesht merr të mirëqenë problemin dhe imponon një zgjidhje pa dhënë prova për arsyetim. Si rrjedhojë ICITAP dhe Ministria e Punëve të Brendshme, ta lënë mënjanë projektligjin dhe të përgatisin një dokument politik të hollësishëm ku të trajtojnë pikat e përmendura në këtë paragraf”. Tahiri këto kërkesa të qarta nuk ua vuri përpara asnjëherë deputetëve. Ai u tha atyre se ishte konsultuar me ICITAP dhe misionin PAMECA, pa u shpjeguar se çfarë qëndrimesh kishin dy misionet e asistencës. Referuar shpjegimit të Presidentit të Republikës, edhe PAMECA kishte shprehur të njëjtat shqetësime.