Kamerat e sigurisë tradhtuan policët e Qafë-Thanës për 8 tonelatat me drogë

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur detaje të reja lidhur me arrestimin e katër policëve të pikës kufitare të Qafë-Thanës, në lidhje me 8 tonët e kanabisit sekuestruar në Ankona. Sipas grupit hetimor një nga policët shihet në kamerat e sigurisë së doganës së Qafë-Thanës, duke hyrë në kamionin që trasportonte drogën. Në bazë të filmimit, ai shihet duke marrë ose duke lënë diçka. Ndërkohë, që shoferi maqedonas i arrestuar në Itali shihet duke komunikuar më shpesh me katër policët e prangosur.
Në mesin e provave, që kanë bindur gjykatën në caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” për të dyshuarit, janë evidentuar edhe pamjet e kamerave të sigurisë së pikës së kalimit kufitar në Qafë-Thanë. Sipas përshkrimit të pamjeve të datës 4 shkurt, që janë pasqyruar në vendim, thuhet se në orën 17:14 minuta kamioni me drejtuesin Zoran Stajonoski i ngarkuar me 8 ton hashash afrohet pranë peshores që ndodhet afër kabinave të kontrollit të punonjësve të policisë. Aty zbret shoferi dhe kthehet pas 7 minutave.
Por një minut pas kthimit të shoferit Stajonoski në kabinën e kamionit, aty afrohet një punonjës policie i veshur me jelek fosforeshent, i cili hap derën e pasagjerit të kamionit, duke u futur në kabinën e mjetiti. Nga pamjet e përshkruara nga oficeri i Policisë Gjyqësore, thuhet se punonjësi i policisë merr ose lë diçka brenda kabinës, pa qenë në gjendje të dallohet se çfarë dhe largohet. Vetëm pas largimit të policit, shoferi Stajanoski afrohet pranë pikës së kontrollit për t’iu nënshtruar procedurave të hyrjes.
Ky moment, thuhet nga Prokuroria është edhe njëri nga dyshimet kryesore se efektivët e policisë kanë bashkëpunuar në lehtësimin e kalimit të kamionit me 8 ton hashash në pikën kufitare të Qafë-Thanës. Aty veç procedurave të zakonshme, kamionit i është vendosur plumçja dhe vulosur rimorkio, e më pas është lejuar të kaloi drejt Durrësit, tranzit nëpër Shqipëri. Në vendim, thuhet se punonjësit e policisë nga nxitimi nuk e kanë regjistruar në sistemin TIMS hyrjen e kamionit brenda territorit shqiptar, ndërsa e gjithë procedura tjetër dyshohet se është bërë fiktivisht për të lehtësuar kalimin e drogës. Ky kamion, më pas ka kaluar në Portin e Durrësit pa u kontrolluar drejt Italisë, ku është bllokuar nga policia në një parking publik në Ankona.

Artikulli paraprakAksidentet me vdekje, Shqipëria shifra rekord në krahasim me BE-në
Artikulli tjetër“Shëndetësia falas”, Spitali e nxori të pastër, pacienti vdes nga kanceri